Kryemadhi: Me rëndësi për shërbimin dhe funksionimin e ri të pushtetit vendor

430
Ndërsa kanë mbetur vetëm 10 ditë nga data e zgjedhjeve lokale, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi i cilëson të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për klasën politike, ku sipas saj, “duhet të tregohemi të matur, me durim dhe me përkushtim, por mbi të gjitha me përgjegjësi morale dhe politike”.
Në fjalën e mbajtur sot në seancën plenare, Kryemadhi tha se rëndësia kryesore e këtyre zgjedhjeve është te shërbimi dhe te funksionimi i ri i pushtetit vendor, që do të ketë impakt direkt te qytetarët.
Si deputete e qarkut të Lezhës, vijoi ajo, shikoj çdo ditë se reforma e re administrativo- territoriale ka qenë shumë e rëndësishme jo vetëm për ushtruesit e pushtetit vendor, por edhe për vetë qytetarët, të cilët kanë qenë ata që vuanin dhe sfiliteshin nëpër hallkat e stërzgjatura dhe burokrate të një ndarje administrative tepër të copëzuar dhe të atrofizuar.
“Me reformën administrativo-territoriale bashkëpunimi qeveri dhe pushtet vendor do të jetë shumë herë më funksionale se më parë. Kjo gjë do të bëhet e mundur nga angazhimi reciprok i të dyja palëve. Shembulli i mirë për të dëshmuar rezultatin që kjo reformë do të japë në të ardhmen është bashkëpunimi në bashkinë e Lezhës, ku në 18 muaj bashkia e Lezhës është kthyer në një kantier ndërtimi dhe model zhvillimi”, deklaroi deputetja e LSI-së.
Zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm në bashkinë e Lezhës për komunat Balldren, për zonën e Zejmenit, dhe për ishullin Lezhë, deklaroi Kryemadhi, do t’i japë fund aksit të grave dhe vajzave lezhjane, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ngarkohen me ujë si gjyshet tona përpara 100 vjetëve.
Ajo solli në vëmëndje edhe punimet në Sheshin “Gjergj Kastrioti”, që nga një vendparkimi i makinave të prishura, tashmë është kthyer në një shesh modern europian, por mbi të gjitha ky shesh u është kthyer fëmijëve, nënave dhe gjysheve që kalojnë kohën e lirë.

“Rruga e Katedrales me parametra europiane; asfaltimi, së shpejti, i shëtitores së Drinit; rruga Shtraus dhe shumë projekte të tjera, kanë marrë dhe do të marrin jetë nga një bashkëpunim i ngushtë i pushtetit vendor me qeverinë, por këto janë shumë pak për popullin punëtor dhe të mrekullueshëm të Lezhës”, tha më tej Kryemadhi.monika2
Deputetja e Lezhës vuri në dukje se reforma e re administrativo-territoriale do të bëjë të mundur asfaltimin e rrugës së famshme të Torovicës, rrugën e Barbullojës, e cila përmbytej nga mosfunksionimi i tri urave të vogla; rrugën e ishullit Lezhë, rrugët komunikuese me Zejmenin, Kolçin, ishullin Shëngjin e kështu me radhë, sepse tranzicioni jo vetëm që i ndau tokat në ngastra të vogla, por ndau edhe rrugët e lagjeve dhe të shtëpive, dhe rrugët, tranzicioni na i ndau në rrugë të majta dhe të djathta.” Meqenëse ra fjala te ngastrat, kjo reformë do të zgjidhë përfundimisht historinë 25- vjeçare të tokave, pra, marrjen në dorë të aktit të pronësisë”, deklaroi ajo.
Kryemadhi nënvizoi se “familjet të cilat jetojnë për më shumë se 100 vjet në tokat e tyre, sot e kësaj dite nuk kanë në dorë aktin e pronësisë së tokës së të parëve te tyre, pasikryetarët e komunave e përdorin si një mjet presioni, për t’u marrë votën ose edhe si një mjet ryshfeti, të cilën jo rrallëherë e shikojmë. U tundin dosjet dhe u kërcënojnë bukën e gojës. Po, po, ua tundin dosjet, sepse Prenga, i biri i Bibës dhe nipi i Nikollës, prej qindra vjetësh jeton në tokën e tij dhe në shtëpinë e tij, por në fakt, nga viti 2008 pronari i oborrit të shtëpisë, ku janë mbjellë pemët, specat, domatet dhe lulet, u ka dalë një zotëri tjetër, që jo vetëm nuk jeton në Lezhë, por nuk jeton as në Shqipëri”.
“Pra, kjo reformë do t’i japë fund trafikut të pamoralshëm dhe abuzues të tokave; do t’i japë fund abuzimit të përdorimit të varfërisë, të mosnjohjes dhe të mosmarrjes së informacionit apo edhe të shërbimit të duhur në këto zyra.
Në planin e zhvillimit të bashkisë së Lezhës një nga prioritetet është edhe bujqësia dhe blegtoria, të cilat gjatë tranzicionit janë lënë pas dore, për sa u përket subvencioneve, por edhe për orientimin apo drejtimin e vizioneve të qarta për zhvillimin e kësaj fushe”, përfundoi fjalën e saj, deputetja e LSI-së.
Sigal