Kryemadhi: LSI në opozitë me keqqeverisjen, do miratojë çdo ligj për integrimin

430
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi ditën e djeshme grupin parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Kryetarja e partisë Monika Kryemadhi, deklaroi në fjalën e saj se detyra e grupit parlamentar është nga më të rëndësishmet që i kanë besuar votuesit LSI, duke i dhënë grupin më të madh parlamentar që ka pasur ndonjëherë. Ajo tha se çdo deputet do të jetë i përfshirë jo vetëm në problemet e zonës ku ka marrë mandatin, por edhe në problematikat dhe situatat që do të krijohen në gjithë vendin. Kryemadhi deklaroi se do të ketë angazhim të jashtëzakonshëm dhe se çdo deputetët jetë prezent në sallë nëpërmjet grupit parlamentar dhe qëndrimeve të tyre. “Grupi parlamentar do të votoj çdo nismë që ka të bëjë me integrimin evropian, ky është një nga objektivat e LSI dhe që shqiptarët e dëshirojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Do mbështesin çdo nismë sociale dhe në interes të shqiptarëve si dhe do jemi në opozitë me keqqeverisjen dhe jo me partitë politike”, u shpreh Kryemadhi. Më tej bëri me dije se grupi do të jetë i organizuar sipas komisioneve parlamentare, duke thënë se nuk do të bëhet asnjë tolerim lidhur me mungesat e deputetëve. “Nuk kam asnjë lloj dileme, pozicionimi si parti opozitare do të mundësojë që të ofrojmë një opozitë të vërtetë e cila ka munguar gjithë kohës në Shqipëri”, tha ndër të tjera kryetarja e LSI. Brenda javës LSI ka bërë disa takime me grupin parlamentar, ndërkohë që në të gjitha ato është folur për mënyrën e të bërit opozitë. LSI është angazhuar për të bërë një opozitë të fortë përballë një qeveria të cilën e konsiderojnë mjaftë të keqe.
Sigal