Kryemadhi: LSI në opozitë e hapur për një front kombëtar

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi rikonfirmon një opozitë të fortë brenda dhe jashtë parlamentit. Ajo flet për situatën aktuale

Gjatë një interviste në studion e televizionit “ABC news”, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi foli mbrëmjen e djeshme lidhur me situatën aktuale në vend si dhe për mënyrën e të bërit opozitë menjëherë pas fillimit të punës në Parlament në muajin shtator. Kryemadhi pohoi gjithashtu edhe për marrëdhënien e saj me kreun e shtetit, ndërsa zbuloi se familja e Presidentit, nuk do të zhvendoset në Pallatin e Brigadave. Rikonfirmoi edhe një herë faktin se nga zgjedhjet e 25 qershorit LSI doli më e fortë, ndërsa akuzoi Edi Ramën si personi që mundi të fitojë përmes vjedhjes së votës dhe përdorimit të Policisë së Shtetit në fushatë. Për këtë të fundit tha se nuk ka qenë nën urdhrat e Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj. 

Si doli LSI nga këto zgjedhje dhe si po e shijon gushtin?
LSI doli me një rezultat më të mirë se në zgjedhjet e 2013-s, por kjo nuk do të thotë se situata në të cilën ndodhet Shqipëria pas deformimit të votës do të prodhojë një politikë jo efikase. Ajo do të jetë në favor të oligarkëve. LSI pas këtij deformimi të votës del më e fortë.

Në Parlament do keni 19 deputetë?
Ne nuk na penalizoi koalicioni por policia e shtetit, e cila ishte në krye të blerjes së votës. Ky ishte penalizimi që iu bë jo vetëm LSI-së. Kjo do t’u kushtojë shqiptarëve dhe akoma më shumë jetës së rinisë së vendit. 

Ju thoni për një deformim vote por në fakt ishte një ligj dekriminalizimi. Mendoni se ky ligj e ka plotësuar funksionin e tij?
Kriminaliteti është ulur këmbëkryq në të gjitha strukturat duke nisur që nga Policia e Shtetit dhe institucione të tjera shtetërore. 

Policinë e ka pasur Partia Demokratike?
Jo. Ai ishte një ministër teknik, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka qenë nën urdhrat e tij. Ministri kërkoi shkarkimin e tre shefave të komisariatit. Në qarkun e Elbasanit, makinat e policisë kanë qenë shoqëruese të personave të kriminalizuar. Edhe pse janë bërë denoncime, policia nuk ka reaguar, por reagonte ndaj denoncimeve që bëheshin ndaj njerëzve të thjeshtë. 

Do e ndiqni në prokurori?
Kemi bërë një dosje dhe ia kemi dhënë vëzhguesve të OSBE/ODIHR. Sigurisht ata nuk kanë parë asgjë sepse të shtunë e të diel kanë qenë vetëm në disa zona. Unë nuk dua të marrim rolin qaramanit sepse në fund të fundit, ky është roli i opozitës, për të ngritur zërin. U bënë 27 vjet që ne jemi në tranzicion jo vetëm politik por dhe ekonomik.

Si do të jetë LSI në këtë Parlament?
Opozita nuk është çështje numrash, por morali. E rëndësishme është që LSI tani e ka pozicionuar veten e saj shumë qartë. Nuk është e thënë që opozita bëhet vetëm në parlament. Ndërgjegjja e qytetarëve shqiptarë duhet zgjuar. Sistemi i sotëm që dashur pa dashur Edi Rama ka vendosur është, që mund t’i vendosësh çmim çdo gjëje, por nuk mund t’i vendosësh çmim shpirtit të një populli. Rënia e Euro-s do të thotë se në tregun formal kanë qarkulluar mijëra euro. Në shtator do të riorganizojmë grupin parlamentar. 

Mendoni një koalicion me PD?
E kam thënë që LSI është e hapur për një front kombëtar. Është një vend që vazhdon të jetë në tranzicion. Kjo e bënë të pamundur zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. 

Si ju duket PD-ja në këtë moment?
Nuk dua ta analizoj. Ata janë në debatet e tyre të brendshme. Por mendoj se opozita duhet të jetë e bashkuar dhe jo e përçarë. Ajo që ne duam, nuk ka të bëjë me garën, por për një opozitë frontale. Shumë shpejt me fillimin e parlamentit të ri do kemi një platformë. 

Të jep besim Lulzim Basha?
Besoj te vetja ime, te rinia shqiptare. Unë besoj tek vlerat. Aleanca PD- PS bëri që sot ende në Shqipëri të mos ketë qetësi. Marrëveshja e dëmtoi PD-në. Unë them që njerëzit mësojnë nga gabimet. Nëse ripërsëriten nuk është gabim por faj.

Si duket strategjia e Ramës?
Nuk janë dëgjesa por grupe të caktuara njerëzish që mblidhen. Është një skenar. Edhe sot të gjithë merren me listën e 100 të korruptuarëve, me doktorët me zjarrëfikësit, por nuk merren me problemin që është blerja e votës. Jemi në një situatë ku kemi një numër shumë të madh të mbyturish në det. Këto janë mekanizma për të larguar vëmendjen nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Preket LSI nga dorëheqjet?
Nuk ka të bëjë fare me këtë. LSI ishte tërhequr që para zgjedhjeve. Ajo që duhet të shihet problematike janë kërkesat për dorëheqje kolektive. E gjithë kjo nuk ka të bëjë me individin, por me sistemin. Të shkatërrosh shtetin PëR një dëshirë është pak e tepërt. Ne kemi qenë në qeveri por kemi kundërshtuar shëndetësinë falas.

Si do të bëhet një dialog në familje mes opozitës dhe Presidentit?
Edhe unë jam si gjithë njerëzit e tjerë. Di të them se edhe kur ka qenë Kryetar Parlamenti dhe Kryetar Kuvendi, pavarësisht gjithçka ai është i pandikueshëm. Ndoshta kjo e ka bërë Ilir Metën ndryshe nga të tjerët. Iliri është shumë i ftohtë dhe i kthjellët në gjërat e veta. Jam e bindur se ai do jetë një President shumë i mirë. Ai gjithmonë ka vendosur për stabilitetin e Shqipërisë.

Ku do të jetoni tani?
Iliri nuk ka për të lëvizur në Pallatin e Brigadave, sepse ne jemi familje që kemi shumë vizita.