Kryemadhi: Ky vit do jetë fundi i Rilindjes, Rehovica të provojë pafajësinë në Gjykatë

70
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët ka folur për lëvizjet e opozitës në nisje të sesionit të ri parlamentar. Kryemadhi tha se viti 2017 ishte viti i kanabizimit, por 2018 do jetë fundi i qeverisë Rama. Kryemadhi renditi disa nga problemet kryesore ekonomike të shqiptarëve dhe tha se buxhetet familjare do hyjnë në një krizë.
“Viti 2017 ishte një vit që solli ndryshime të mëdha, ishte viti i zgjedhjeve kriminale që njollosi politikën shqiptare, ishte viti i kanabizimit dhe drogës. U bllokua dhe shkatërrua reforma në drejtësi. Situata dekurajuese, ekonomia shqiptare me mungesë të investimeve për shkak të keqqeverisjes. Investimet e huaja zero duke sjellë mijëra vende pune më pak.
Të ardhurat tatimore dhe doganore me rënie drastike, mungesë likujditetesh, drejtoria e thesarit është mbyllur në 15 dhjetor, nuk kreu asnjë likujdim. Paketa fiskale e re do të sjellë pasiguri dhe rritje çmimesh për konsumatorët. Do rriten çmimet për produktet e shportës. Buxhetet familjare do hyjnë në një krizë varfërie. Viti 2018 do jetë viti i afirmimit të një opozite të fortë. Ndërsa për Rilindjen do jetë fundi.”tha Kryemadhi. 
E pyetur për një nga çështjet e fundit të shumëpërfolura, ajo e heqjes së mandatit të deputetit të LSI-së, Gledion Rehovica, Kryemadhi tha se çështja ka kaluar në Gjykatë, dhe se Rehovica mund t’a vërtetojë atje pafajësinë e tij. Ajo shtoi se Caka do jetë pasuesja më e denjë e tij.
“E kam bërë të qartë e kam diskutuar dhe me ambasadorin Lu, ne kemi ligjin e dekriminalizimit, gjëra që i kemi. Pavarësisht nga kjo, zoti Rehovica e ka çuar në gjykatë. Akuza është pse ka gënjyer në formulare, nuk dua të bëj rolin e prokurorit apo gjykatësit. Ne jemi të hapur ndaj proceseve që sjellin Shqipërin në normalitet. Do kete vendime ku disa janë dakord e disa s’janë, ndaj është demokracia. Ne do përfaqësohemi me zonjën Silva Caka.”shtoi kryetarja e LSI-së.