Kryemadhi: Konsensusi është shumë i thjeshtë. Zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme

416
Sigal

Prononcimi i plotë i Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi

Disa nga protestuesit janë studentë, të cilët deklaruan se nuk është plotësuar asnjë kërkesë e tyre. A do të ketë sërish protesta?

Sot është protesta e të rinjve, është protesta e studentëve. Mbasi dëgjuan pardje fjalimin e Paktit të Mashtrimit, Rama akoma nuk ka parë gjë akoma. Është e vërtet që jo vetëm nuk është plotësuar asnjë kërkesë e studentëve, por përkundrazi i kanë futur në një qerthull që e shton akoma dhe më shumë mungesën e funksionimit të universiteteve.  Jemi akoma në periudhën e sensibilizimit, shqiptarët janë sensibilizuar më shumë se kushdo tjetër. Por po sensibilizojmë socialistët në parlamentin e Edi Ramës, po sensibilizojmë edhe atë pjesë të Rilindjes, e cila e kupton vetë që çdo gjë ka marrë fund, por është vetëm një zvarritje, e cila shton edhe më shumë dëmin në rradhët e Partisë Socialiste, se sa opozitës së vërtet shqiptare.

Keni deklaruar gjithashtu një protestë masive në 13 prill. Çfarë pritet?

Protestat nuk do të ndalojnë, 13 prill, 23 prill deri sa në Shqipëri të vendoset njëherë e mirë një sistem i vlerave dhe jo një sistem i antivlerave që ka ngritur Edi Rama. Të vendoset ai sistem që çdo njeri që vjen në Shqipëri të mos ta mendojë Shqipërinë si parajsën e drogës dhe të parave të pista, por ta mendojë Shqipërinë si një vend europian që vjen dhe është i barabartë si në Francë, si në Itali, si në Gjermani. Përballë ligjit je i barabartë, jo sepse këtu je ndërkombëtar dhe përballë ligjit nuk je i barabartë, por shqiptarët duhet të shkojnë, ata që nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, faturat e ujit, ata që nuk kalojnë në vijat e bardha, të futen në burg, ndërsa ata që vijnë këtu shkatërrojnë Shqipërinë, shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve, ata që bëhen palë me krimin e organizuar, ata që mbyllin sytë me parcelat që mbillen me drogë, dhe ata duhet ta kuptojnë që nuk do të jetë më Shqipëria parajsa e tyre, por Shqipëria do të kthehet në një vend normal dhe vetëm me largimin e Edi Ramës ajo do të bëhet një vend normal.

Zonja Kryemadhi në datën 8 do të vijë në Tiranë ZëvendësSekretari Amerikan i Shtetit. A mendoni se palët do të ulen në tavolinë dhe do të kenë një konsensus?

Konsensusi është shumë i thjeshtë. Zgjedhje të parakohshme ku të jenë të lira dhe të ndershme. Nuk ka më asgjë tjetër. E rëndësishme është që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është regjisori, skenaristi dhe aktori kryesor i të gjithë procesit makabër të zgjedhjeve të 2017. Këtë nuk e kemi vërtetuar ne. Këtë e ka vërtetuar prokuroria shqiptare. Këtë e kanë vërtetuar mediat e huaja, dosja 339, dosja 184 që ka gjëra akoma edhe më të rënda. Ajo që e vret më shumë Edi Ramën dhe e largon nga e vërteta, por rri dhe merret me barcaleta, është sepse në ato përgjimet e dosjes 184 Edi Rama ka treguar dhe ka demaskuar skemën e votave në këmbim të parcelave të hashashit. Atë që përdori në 2017. Reforma zgjedhore është një proces që për hir të së vërtetës, nëse nuk garantohet shit-blerja e votës dhe nëse nuk garantohet ndalimi përfundimisht i shit-blerjes së votës dhe përdorimit të bandave kriminale, ju mund të bëni reformë zgjedhore dhe ne mund të bëjmë reforma zgjedhore të gdhendura në shkëmbinj. Por nëse nuk ndalohet ky proces, i cili deformon dhe shkatërron të gjithë procesin zgjedhor, atëherë ajo është e kotë. Teori dhe deklarata mbi demokracinë në Shqipëri kemi dëgjuar pafundësisht. Por për hir të së vërtetës kanë zbatuar vetëm të kundërtën e asaj që kanë thënë. Dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi pas 30 vitesh tranzicion. Pas 30 vitesh shikoni këta qindra e mijëra të rinj që duan të largohen nga Shqipëria, sepse nuk kanë asnjë të ardhme këtu. Reforma të shkruara në letra dhe që nuk zbatohen. Kemi votuar Reformën në Drejtësi. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Më thoni kush nga pikat e reformës në drejtësi është zbatuar sipas asaj që është votuar. Pra hipokrizi dhe demagogji më shqiptarët. Ne nuk jemi budallenj, nuk jemi as të pashkollë, nuk kemi atë mundësi apo shans që të kenë të gjithë qytetarët e tjerë europianë të vendeve të BE-së, por unë di të them që shqiptarët janë të zotët që të marrin fatet e tyre në dorë. Unë di të them që në shtëpinë time nuk vjen të bëhet dot zot komshiu. Për çdo gjë tjetër ne jemi të qartë, jemi të vendosur, sepse në fund të ditës nëse të gjithë këta ambasadorë që janë këtu dhe që na flasin për demokracinë do t’i japin qindra dhe mijëra shqiptarëve bukën e përditshme të fëmijëve të tyre nëpër tavolina?  Nëse ka ambasadorë që flasin për demokracinë dhe për vlera që në vendin e tyre po të ndodhte, jo hynin në burg, por zhdukeshin me 10 breza politikisht po të bleje votën me bandat e krimit të organizuar, unë po them që të gjithë këta njerëz presin nga politika e vendit të tyre, presin nga njerëzit e tyre, presin që fëmijët e tyre ta kenë të ardhmen e garantuar në Shqipëri. Ambasadorët ikin dhe vijnë. Rrinë dy vjet, kthehen si mbretër në vendet e tyre dhe pastaj kthehen në normalitet, por ajo që dua të them është që në fund të ditës shqiptari duhet ta konsiderojë Shqipërinë shtëpinë e vet, sepse në fund të fundit Shqipëria është shtëpia jonë. Nuk është Europa, sepse kemi qenë në emigracion dhe e kemi parë, asnjë nuk ka marrë atë që ka ëndërruar. Kemi qenë shërbëtorë në vendet e tyre dhe nuk jemi kundër kësaj, por ajo që dua të them është se është shumë e rëndësishme që ne të ndërtojmë vendin tonë. Vendin tonë nuk e ndërtojnë bandat, vendin tonë nuk e ndërton krimi, nuk e ndërton trafiku i drogës, por përkundrazi e dëmton çdo ditë e më shumë. Droga varfëroi shqiptarët. Shqiptarët e varfër u blenë shumë lirë më pas nga bandat e krimit të organizuar. Kemi raportin e DASH që është një raport shumë i kthjellët, shumë i qartë ku thotë se bandat kriminale në bashkëpunim me zyrtarë, varfëruan shqiptarët në mënyrë të tillë që shqiptarët të ishin shumë të kollajshme për t’u asimiluar nga bandat.

Mendoni sa djem nënash kanë sot dhe që nuk dihet se ku janë, nuk iu dihet adresa dhe nuk iu gjendet trupi? Kjo vjen si rezultat i kësaj politike perverse të një njeriu pervers që mendon që politika dhe jeta e shqiptarëve është shaka dhe batutë. E ka shumë gabim. Deri dje mund të bënte batuta dhe shaka, por sot nuk ka më shaka. Tani çdo gjë është e vërtetë. Nuk të fal njeri te jeta e fëmijës së tij, nuk të fal njeri te shtëpia e tij.

Nuk ndjen dhimbje morale ai, por ndjen vetëm dhimbje fizike. Por do të jetë shumë vonë për të dhe ne nuk mund të presim aq shumë. I ka parë kolegët e tij. Dashuria e jetës së tij, Vuçiç u tregua më i zgjuar se ky. Dështoi në ndryshimin e kufijtë të Shqipërisë, do të lëvizi të gjithë gurët e shahut që i ka në Amerikë dhe në Europë për të sjellë njerëz për të ecur me idetë e tij në Shqipëri. Mua nuk më takon të flas për kufijtë Kosovës, por më takon të flas për kufijtë e Shqipërisë, më takon të flas për njerëzit e mi dhe për ata që përfaqësojmë ne. Ajo që mendoj unë se është shumë më e rëndësishme është që të marri pak nga mençuria e Vuçiç dhe të shkojë në zgjedhje që të shpëtojë partinë që i dha mundësinë të jetë ai që është.