Kryemadhi: Klasa politike duhet të reagojë për të nxjerrë vendin nga kriza

541
Sigal

Kryemadhi intervistë për televizionin shqiptar “Nova” ne SHBA

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha një intervistë për televizionin shqiptar “Nova”, ku foli për qëllimet e vizitës së saj në SHBA dhe për situatën aktuale politike në vend. Kryemadhi tha se ndodhej në SHBA për të marrë pjesë në Forumin e ish-kongresmenëve dhe ish-senatorëve, ku ka zhvilluar disa takime me kongresmenë, ish-kongresmenë, senatorë dhe ish-senatorë, me të cilët ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri dhe në rajon. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Kryemadhi tha se do të zhvillojë disa takime konsultative me institucione partnere të LSI-së. Kryetarja e LSI-së tha se situata politike nuk është në normalitet dhe se për këtë nevojitet një reagim për të nxjerrë vendin nga kriza. “Unë nesër kam disa takime të tjera, të cilat janë takime në kuadrin e konsultimit. Situata në të cilën gjendet Shqipëria është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është më një situatë ku jemi në normalitet, kemi një Shqipëri e cila lëngon nga problematika shumë të mëdha, ku për hir të së vërtetës shkaktarë të këtyre problematikave jemi vetë ne klasa politike, duke përfshirë dhe veten time si përgjegjëse të kësaj situate, por pavarësisht nga kjo mendoj që më mirë vonë se sa kurrë, ne të gjithë duhet të reagojmë për të nxjerrë vendin nga kriza”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Pjesë nga Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për televizionin “Nova”

Znj.Kryemadhi ju keni ardhur për disa takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, a mund të na thoni se cila është axhenda juaj?
Në fakt është shumë e çuditshme, sepse ne jemi mësuar të bëjmë axhendë protokollare, por të gjitha vizitat e mia në SHBA kanë një axhendë, e cila ka në thelb të saj konsultimet me individë të caktuar apo institucione të caktuara, të cilat kanë qenë partnerë kryesorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sot është dita e parë e vizitës sime, edhe pse kam qenë e ftuar në Forumin e Ish-Kongresmenëve dhe ish-senatorëve, një aktivitet i përvitshëm ku unë ftohem gjithmonë në këtë takim, ku kemi pasur takime me kongresmenë, senatorë, ish-kongresmenë dhe ish-senatorë, ku kemi diskutuar për situatën në Shqipëri dhe në rajon. Gjë për të cilën është një situatë problematike, nuk përfshihet vetëm Shqipëria, sepse Shqipëria është vetëm një pjesë e rajonit, por përfshihet i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Takime të tilla krijojnë një hapësirë krejt tjetër, por edhe një këndvështrim komplet tjetër larg disa emocioneve që ka Ballkani, ndërkohë që këtu shikon se si gjërat shikohen dhe vështrohen në këndvështrime të tjera, në pozicionime të tjera.
Në Shqipëri po zhvillohet protesta të mëdha, a do ta prezantoni këtë problematikë në takimet tuaja në SHBA?
Unë nesër kam disa takime të tjera, të cilat janë takime në kuadrin e konsultimit. Situata në të cilën gjendet Shqipëria është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është më një situatë ku jemi në normalitet, kemi një Shqipëri e cila lëngon nga problematika shumë të mëdha, ku për hir të së vërtetës shkaktarë të këtyre problematikave jemi vetë ne klasa politike, duke përfshirë dhe veten time si përgjegjëse të kësaj situate, por pavarësisht nga kjo mendoj që më mirë vonë se sa kurrë, ne të gjithë duhet të reagojmë për të nxjerrë vendin nga kriza. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme, shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar jetën e tyre jo për meritë të shtetit shqiptar, por e kanë ndërtuar jetën e tyre për meritë të mundësive të veta, të angazhimit të tyre, të punës së tyre, të dijes së tyre, të krahut të tyre, ndërsa merita e shtetit shqiptar ka qenë zero, përkundrazi ka qenë një tërheqje, ka qenë një frenim që shqiptarët të ecin përpara, jo vetëm në SHBA, por kudo në çdo vend që ata kanë ikur. Ne akoma vazhdojmë të themi që jemi një vend në tranzicion. Vetëm në SHBA janë rreth 400 mijë shqiptarë që kanë ardhur pas viteve 90-të. Problematikat që kalon sot Shqipëria kërkojnë një rrugëdalje, që të krijojmë një sistem të fortë. E kam thënë edhe e them gjithmonë edhe në disa artikuj që kam paraqitur në disa media evropiane, e them këtë sepse Shqipëria tashmë nuk ka më nevojë për një lider të fortë. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fortë, i cili u garanton shqiptarëve garanci, drejtësi të barabartë , shëndetësi të barabartë, arsim të barabartë etj.
Meqë folëm për garancinë, a mendoni se shqiptarët janë të sigurtë në shtëpitë e tyre?
Varet se si do ta shikosh. Ka njerëz që e shikojnë gotën plot, ka njerëz të cilët e shikojnë gotën bosh. Megjithatë pavarësisht se si e shikon, problematikat kanë hapësirat e tyre, ashtu edhe si të mirat kanë hapësirat e tyre. Nuk mund të thuash që Shqipëria nuk ka ecur përpara. Po, ka ecur, por kosto është më e madhe krahasuar me ato pak hapa që ka hedhur Shqipëria. A është mbrapa në krahasim me vendet e tjera të rajonit? Sigurisht që është mbrapa. Ne e kemi nisur procesin e integrimit europian për të qenë anëtar të BE-së së bashku me Kroacinë dhe Slloveninë. Sot Kroacia dhe Sllovenia janë anëtare të Bashkimit Europian. Votojnë me 23 dhe 26 Maj për të pasur eurodeputetët e tyre në Parlamentin Europian, ndërsa ne çdo ditë e më shumë stopohemi dhe shtohen problematikat për të hapur negociatat, jo më për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Sot siguria është një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.