Kryemadhi: Ja pse LSI do dalë forcë e parë në zgjedhje

548
Intervista e Zv.Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi për emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në “Top Channel” 
Lëvizja Socialiste për Integrim tenton të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit, por a do mundet ajo të luftojë dhe të fitojë kundër dy “dinosaurëve” të politikës shqiptare? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, në “Top Story” ishte e ftuar zv/kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

U duk sikur LSI-në, e cila ishte sponsori kryesor i një dialogu mes dy palëve, ajo marrëveshje e 17-18 majit e zuri në befasi, apo jo?
Absolutisht jo. Ndoshta nuk do të më pëlqente fjala ‘sponsor’ por ka qenë nxitësja e marrëveshjes dhe LSI-a tregoi që ka qenë shumë koherente dhe e saktë në kërkesat e saj, duke pasur parasysh që dy muaj më përpara, kur Ilir Meta, si kryetari i LSI-së kërkoi qeverinë e besimit duke pranuar edhe Edi Ramën Kryeministër, dhe sot ja ku jemi, në një njëjtat kushte, me një qeveri besimi, ku Edi Ramën e kemi Kryeministër, vetëm që kemi një ndryshim që jemi dy muaj me vonesë dhe jemi në një situatë që në një farë mënyre kemi një vend më të qetë dhe më të stabilizuar politikisht dhe kemi një situatë politike të gatshme dhe një fushatë elektorale e cila ka filluar dhe po shkojmë drejt zgjedhjeve të 25 qershorit, të cilat pa opozitën do të ishin një farsë për demokracinë shqiptare.
Megjithatë ju u regjistruat në zgjedhje, por a do të kishit marrë pjesë në zgjedhje nëse Partia Demokratike do t’i qëndronte vendimit të saj?
Ne kemi ushtruar deri në fund presion, në kuptimin më të mirë të fjalës, ndaj dy forcave të vjetra, qoftë PS-së, qoftë PD-së për të lënë arrogancën dhe kundër-akuzat ndaj njëri – tjetrit për t’u ulur dhe diskutuar. Tryeza e 17 majit që ishte tryeza e gjithë partive politike, qoftë të opozitës, qoftë edhe të mazhorancës, të cilat i ftuan dy partitë e mëdha për të negociuar dhe në fakt sot, pas dy muajsh, ne sot kemi qeverinë e besimit, e cila do të çojë vendin në zgjedhjet e 25 qershorit.
Ndonjëherë dukej sikur e shtynit shumë partnerin tuaj politik, Partinë Socialiste. Në fakt opinionit politik iu duk sikur dy partnerët kryesorë politik të Edi Ramës e vunë atë me shpatulla pas murit dhe i thanë që po nuk votove paketën McAllister, la të kuptohet që nuk do të ishin më me të… A ju duket kjo pak si jo korrekte?
Unë mendoj që i ka ikur koha e arrogancës. Për ne ishte shumë korrekte, sepse ne i qëndruam shumë luajalë marrëveshjes së Shkodrës, ku një nga arsyet ishte zgjedhje të lira e të ndershme dhe përfshirjen e të gjitha forcave politike në to. Ajo çka është më e rëndësishme është që ne duhet ta harrojmë arrogancën në politikë dhe duhet të jemi pak më shumë me këmbë në tokë dhe të jemi më realistë për atë që ne duhet të përfaqësojmë. Dhe unë mendoj që Kryeministri përse provokonte opozitën që do t’ju sjell kutitë e votimit në çadër, ashtu sikurse edhe Partia Demokratike nuk kishte përse të kërcënonte me të ashtuquajturën prishje të procesit zgjedhor.
Megjithatë u duk sikur u prit pak me befasi dhe me habi nga LSI-a ajo marrëveshje midis Ramës dhe Bashës… Pamë disa lëvizje që u dukën si nervoze të ish-kryetarit të LSI-së, z. Meta. Një takim të këtij të fundit me z. Berisha. A ishte Ilir Meta i informuar për këtë lëvizje?
Unë nuk besoj sepse Ilir Meta është një nga inciatorët kryesorë të marrëveshjes Rama- Basha të cilët duhet të ishin ulur dhe të gjenin një rrugëzgjidhje për sa i përket krizës politike, e cila po rriste destabilitetin në vend, e cila çdo ditë e më shumë krijonte një lloj pasigurie jo vetëm politike por edhe ekonomike, e cila ndihej çdo ditë e më shumë në biznesin e vogël, në biznesin e mesëm. Ndihej agresiviteti në administratën shtetërore, e cila priste çdo ditë çdo të ndodhë sot e çdo të ndodhë nesër, duke mos qenë absolutisht e përfshirë. Po të kemi parasysh edhe një javë ose 5 ditë para votimit të reformës në drejtësi, kemi po të njëjtin qëndrim të z. Meta si kryetar i Parlamentit të uljes së të gjithë aktorëve bashkë dhe të miratimit të reformës në drejtësi.
Kur me Ilir Metën në 13 vite LSI doli forcë e tretë. Si do të dilni ju forcë e parë pa të?
Po të shikojmë periudhën në të cilën Ilir Meta ishte Kryetari i LSI-së, si themelues i LSI-së bashkë me shumë djem dhe vajza të tjerë që sot janë të rritur në 13 vite eksperiencë, di të them që LSI ka pasur një rritje progresive. Vjen duke u rritur në mënyrë konstante. Dhe po të bësh një bilanc shikon që rritja vjen nga votuesit për herë të parë, gjë që është shumë pozitive dhe krijon një gjeneratë shumë solide dhe shumë e qëndrueshme dhe çdo ditë e më shumë ajo rritet dhe përkthehet jo vetëm në një votë të qëndrueshme për LSI-në por edhe votë e cila bëhet bindëse për rrethe dhe grupe të tjera shoqërore. Ilir Meta krijoi një filozofi shumë të mirë në LSI, filozofinë e bashkëpunimit, e përkushtimit dhe të përfshirjes të të gjitha strukturave dhe forumeve drejtuese. Një parti politike nuk e ka të gjatë nëse forumet neglizhohen, nëse strukturat nuk janë pjesë e vendimmarrjes dhe në rast se nuk krijohet një demokraci e brendshme e partisë e cila e mban forcën e një partie politike. Kjo filozofi ka bërë që LSI të ketë jo vetëm një rritje organizative por edhe një rritje përsa i përket mendimit politik. Ne tashmë kemi një program qeverisës të LSI-së shumë realist, shumë konkret dhe mbi të gjitha është një plan shumë i mirë që sjell një lloj pozitiviteti dhe të krijon besim që gjërat janë të realizueshme. Janë projekte të implementueshme dhe kthehen në një efektivitet të menjëhershëm për realitetin shqiptar.
Nuk mendoni se do të ishte më e shëndetshme për LSI-në dhe për imazhin e saj të qëndronte në opozitë pas kaq vitesh në pushtet?
Ne kemi qenë 8 vite në pushtet dhe 5 vite në opozitë. Në mandatin e parë qeverisës me PD-në kemi arritur liberalizimin e vizave për shqiptarët, kur LSI mbante postin e ministrit të Jashtëm. Unë do të kujtoja të gjitha ato samitet ku Ilir Meta merrte pjesë dhe lobonte për liberalizimin e vizave dhe që prej vitit 2010 shqiptarët lëvizin të lirë nëpër Evropë. Mendoj që sot shqiptarët e kanë haruar sepse kanë kaluar gati 7 vite që nuk janë më viktima të trafiqeve njerëzore, që është një histori e mbushur me tragjedi apo duke pasur parasysh se si vuani shqiptarët nëpër dyert e ambasadave duke paguar nën dorë dhe duke qenë kështu pjesë e biznesit të pisët të vizave. Po të kthehemi pas te marrëveshja natyrale me Partinë Socialiste në 2013-n, që solli një bashkëpunim natyral mes LSI dhe PS, ku do të kemi sërish procesin e integrimit, që përsëri drejtohet nga LSI, znj. Klajda Gjosha. Ky është proces mjaft i rëndësishëm, po të mbajmë parasysh problematikat.
Në 2013, përveç suksesit patët edhe një moment kritik. Si parti përjetuat një rritje disafish, por u përballët edhe me një krizë identiteti politik. Partia juaj nuk ka një profil mirëfilli politik, historik, ideologjik. Gjithë orbita e LSI-së në perceptimin publik është rrotulluar rreth Ilir Metës. Tani nuk e keni më.
E pavërtetë. LSI-ja është një parti e qendrës së majtë. Në themel dhe në bazë të saj ka shtresat e mesme. Është në shërbim dhe funksion të tyre. Është një parti që fokusohet te solidariteti, mjaft i rëndësishëm. Në këtë periudhë tranzicioni po e humbasim ndjenjën e solidaritetit dhe bashkëpunimit. Politika është kthyer në individualiste, këtë model e pasqyron edhe më poshtë. LSI-ja është një forcë politike që përgjigjet dhe merr përsipër argumentimin e politikave të saj, gjë shumë e domosdoshme dhe e rëndësishme për të krijuar një standard të ri të jetës politike shqiptare. Standard në funksion dhe shërbim të njerëzve, t’u japi shansin të gjithëve. Jo vetëm një grupi të caktuar, por çdo njeriu që ka dëshirë të jetë pjesë e politikës, biznesit, arsimit etj. nga një stad i barabartë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Pranuat taksën progresive megjithëse e kundërshtuat, por prapë e pranuat Ideja është që cilat janë mekanizmat imponues që do të përdori LSI kësaj here?
Shpjegimi i programit të LSI është shumë i rëndësishëm për të kuptuar njerëzit se çfarë ndodh vërtetë. Kjo është një nga arsyet që LSI do të dali forcë e parë. E them këtë sepse njerëzit do ta shikojnë, sepse do të jetë e prekshme. Nuk është thjesht premtim elektoral, por janë premtime të vërteta. Po të kemi parasysh taksimin mbi të ardhurat personale, 12 mijë shqiptarë para zgjedhjeve të 2013, paguanin tatim mbi të ardhurat personale, të cilët ishin mbi një vlerë 1.5 milion lekë të vjetra. Kur ne vendosëm taksimin me 23% nga 12 mijë të taksuar zbriti numri me 6 mijë. Jam e bindur që ky është një shans edhe për Sokol Ballën, i cili të ketë mundësi që mos të paguajë taksën progresive, e cila është me të vërtetë vrastare dhe dëmton shtresën e mesme. Sepse të vendosësh një tatim 23%, mbi një pagë e cila po themi është 150 mijë lekë në muaj është një pagë, e cila nuk është pasuri, por krijon një shtresë të mesme, gjë të cilën ne çdo ditë dhe më shumë me këto taksat e rritura në mënyrë të pallogaritshme sjellin një lloj ulje të formalitetit.
Pse shqiptarët duhet të votojnë LSI?
Shqiptarët do të votojnë LSI, sepse LSI ka prioritet rininë dhe të kesh prioritet rininë do të thotë të kesh prioritet të ardhmen e vendit, do të thotë të kesh prioritet zhvillimin e vendit dhe do të thotë të kesh prioritet zhvillimin e vendit, do të thotë të kesh prioritet të ardhmen e fëmijëve të tu. Fëmijët janë e vetmja gjë, pasuria më e madhe që ka populli shqiptar. Duke pasur një të ardhme të sigurt e të begatë për fëmijët tanë, ne do të kemi të ardhme të sigurt për vendin tonë. Jam e bindur që nuk ka prind në Shqipëri të mos dojë më të mirën për fëmijët e vetë. LSI-ja ua jep këtë shans familjeve të reja, ua jep familjeve të mëdha, ua jep familjeve të cilat nuk e kanë mundësinë për t’i shkolluar fëmijët e tyre për shkak të politikave të gabuara që ne bëjmë, që nuk e kanë mundësinë për të krijuar mundësinë e kurimeve të fëmijëve apo familjarëve të tyre për shkak të politikave të gabuara. LSI është shans, sepse ne ua dhamë shansin dhe PD dhe PS për të qeverisur, tani ka ardhur koha që shqiptarët t’i japin shansin LSI që të qeverisë Shqipërinë për ta çuar të sigurt drejt BE. 
Sigal