Kryemadhi: Frikë nga qeveria e Edi Ramës, vendi po shkon në diktaturë

551
Kryetarja e Lëvizjes Socislite për Integrim Monika Kryemadhi, nga kampingu veror në Jalë, deklaroi se vendi po shkon drejt diktaturës për shkak se për fatin e shqiptarëve vendos vetëm një njeri i vetëm. Ajo foli me tone të ashpra kundër mënyrës se si po mundohet të drejtojë punët e shtetit kryeministri Edi Rama, ende pa marrë frenat plotësisht i vetëm. Sipas saj Shqipëria në këto momente gjendet në udhëkryq, ndërsa komentoi qeverinë aktuale me ministra të PS, PD dhe LSI. Një pjesë të fjalës së saj e zunë edhe raportet e fundit të Gallup dhe Eurobarometrit. Bëri një krahasim mes këtyre dy raporteve, ndërsa shtoi se të tjerë raporte do e përdorin shqipërinë sipas interesave të tyre, por sërish ne do të mbetemi këtu duke luftuar për të drejtat tona. Sipas Kryemadhit ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë dhe kjo bëhet nga një klasë politike pa komplekse. “Për aq kohë sa ishim në qeverisje u shërbyem shqiptarëve më dorë në zemër, gabimet janë gabime dhe janë për njerëzit dhe nëse nuk do bëjnë gabime nuk do të përmirësohen, por kur gabimi kthehet në faj nuk është më gabim, është faj. Prandaj me pozicionimin si opozitë nuk do të përsërisim më gabimet dhe do të bëjmë luftë frontale kundër çdo padrejtësie. Por kjo nuk bëhet e vetme dhe një grup me 19 deputetë, por një grup me qindra të rinj dhe të reja. Duhet të ringremë LRI për ta pasur forumin më të fortë. E majta në Shqipëri po zbehet nga pluhuri i oligarkëve duke e kthyer në një vend hibrid, as në demokraci dhe as në diktaturë, po shkojmë cdo ditë drejt diktaturës, pasi për fatet tona vendos vetëm një individ” u shpreh Monika Kryemadhi. LSI, ashtu sikur edhe PD, pavarësisht se rezultati i 25 qershorit i nxori në opozitë vijojnë që të jenë pjesë e qeverisë Rama duke mos tërhequr ministrat nga kabineti Rama.
Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi
Ky është viti i nëntë që ne organizojmë këtë kamp. Ndihem tepër e kënaqur që jam pjesë e këtij kampi të sivjetmë. Dua të falënderoj grupin organizator të këtij kampi. Floida e tha pak më parë që, “unë para katër viteve kam dalë për herë të parë në këtë skenë dhe faktikisht kisha shumë emocione”, dhe sot Floida, pas katër viteve, është deputete në Kuvendin e Shqipërisë.Kejdi Mehmetaj po të njëjtën gjë e ka bërë para tetë viteve dhe sot ajo ka mandatin e dytë në Kuvendin e Shqipërisë. Endrit Braimllari, në kampin e parë të Jalës ka qenë kryetari i Partisë së Gjelbër dhe sot Endrit Braimllari është deputet dhe Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim.E kështu më radhë, sepse këtu sot ka edhe shumë djem dhe vajza të tjerë, të cilët sot janë njerëz të zakonshëm, por që kanë qenë themelues të LSI-së dhe LRI-së, kanë qenë baza kryesore e asaj që ne kemi këtu sot. Kemi një LSI me 19 deputetë, kemi një LSI me 225073 vota. Kemi një rini të jashtëzakonshme siç është Lëvizja Rinore për Integrim, e cila ka një mision shumë të rëndësishëm. Dua të më dëgjoni me vëmendje sepse në ditët në vazhdim ne do të jemi në kontakte, në takime dhe në bashkëbisedime me njëri – tjetrin. Ky brez i të rinjve, ju që jeni këtu sot por edhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë ardhur, kanë një mision shumë të rëndësishëm. Sot Shqipëria gjendet në një udhëkryq, ku shumë nga ne nuk dinë se si do të veprojnë. Është si puna e një të riu, i cili është në momentin e fundit të aplikimit për të ardhmen e tij, për një universitet, disa prej tyre kanë një orientim nga prindërit, dhe disa të tjerë nuk kanë asnjë lloj orientimi, janë në mes të një udhëkryqi. Dhe sot Shqipëria është në mes të një udhëkryqi, pa një orientim të caktuar. Kemi një qeveri që nuk e dimë se çfarë është, ka edhe ministra të LSI-së, ka edhe ministra të Partisë Demokratike, ka edhe ministra të Partisë Socialiste. Kemi një Parlament që do të mblidhet pas disa javësh dhe një situatë ekonomike dhe politike tejet të rëndë. Gallup e nxjerr që 56 për qind e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria. Ndërsa, Eurobarometri nxjerr që 56 për qind e shqiptarëve janë shumë të lumtur nga ekonomia që po lulëzon në Shqipëri. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që ne nuk kemi një objektiv, një qëllim. Prandaj, LRI dhe të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë kanë sot një objektiv shumë të qartë, Shqipëria ka nevojë për një forcë të majtë politike. Ka nevojë për një filozofi të thjeshtë që ka të bëjë me njerëzit, me të rinjtë dhe të rejat, me shëndetësinë, arsimin, ekonominë, zhvillimin, infrastrukturën dhe me bukën e përditshme që çdo shqiptar çon në shtëpi. Dilema e madhe që krijohet është: ku do të shkojë Shqipëria? Nuk është Europa që do ta bëjë Shqipërinë, por do të jemi vetë në shqiptarët që do ta ndërtojmë Shqipërinë. Në fakt janë të rinjtë dhe të rejat që do ta realizojnë këtë gjë. Pra, çfarë ndodh? Ndodh që Shqipërinë e kanë kthyer në një top futbolli, të cilën po e përdorin sipas interesave të tyre. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë. Kjo nuk bëhet nga një klasë politike me komplekse. Kjo bëhet nga një klasë politike pa komplekse, nga një klasë politike që beson te rinia, beson te populli i saj dhe mbi të gjithë beson të vlerat e demokracisë.
Unë dua të them që e majta në Shqipëri gjithmonë e më shumë po zbehet, po zbehet dhe po mbulohet nga pluhuri i oligarkëve, nga pluhuri i një politike e cila gjithmonë e më shumë kërkon pushtet pa limit dhe çdo ditë e më shumë po e venit të majtën në Shqipëri, duke e kthyer vendin në një demokraci hibride. Dhe ndërkohë po shkojmë drejt diktaturës dhe çdo ditë e më shumë po shohim se si për fatet e secilit prej nesh po vendos një individ i vetëm. Prandaj kjo duhet të na kthjellojë që të gjithëve, duhet të na organizojë që të gjithëve që me solidaritet, me bashkim forcash, duke punuar në grup, duke respektuar njëri-tjetrin por mbi të gjitha duke e dashur njëri tjetrin të bëjmë çdo gjë të mundur.
Studentët e vitit 1992 rrëzuan një regjim i cili u ndërtua mbi mashtrimin që shqiptarët ishin më të lumturit në të gjithë botën, më të pasurit në të gjithë botën, ndërkohë që jetonim në skamje. Sot po kjo varfëri ka pllakosur në familjet shqiptare. Kjo vjen edhe prej indiferencës së klasës politike por mbi të gjitha vjen si rezultat i indiferencës së të rinjve. Të rinjtë dhe të rejat duhet të zgjohen dhe të organizohen. Është e rëndësishme të luftojnë për të drejtat e tyre. Ëndrrat, dëshirat dhe perspektiva që duam ne për vendin tonë do të mbarojnë vetëm kur të mbaronin shqiptarët. Unë jam i bindur se shqiptarët kurrë nuk do të mbarojnë sepse janë një popull vital, një popull me energji dhe ky vitalitet është fati i rinisë shqiptare. Këtë vitalitet ne duhet ta kthejmë në një vlerë për të ndryshuar këtë realitet. Ne nuk kemi frikë të kërkojmë falje për gabimet që kemi bërë, ne nuk kemi frikë të themi që duhet të kishim edhe këtë gjë apo atë gjë. Por ne nuk kemi as kompleksin për të thënë se për aq kohë sa kemi qenë në qeverisje u kemi shërbyer shqiptarëve me të gjitha mundësitë tona dhe me dorë në zemër e me dëshirën për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë atyre atë që u takon. Gabimet janë për njerëzit dhe nëse njerëzit nuk bëjnë gabime nuk mund të përmirësohen. Nëse ti nuk rrëzohesh, nuk ringrihesh dot, por kur gabimi kthehet në faj, ai nuk është më gabim, por është faj dhe është një detyrim i jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve. Ndaj dhe ne me pozicionimin tonë sot si opozitë të gjitha gabimet tonë nuk do ti përsërisim më por do të qëndrojmë fort do të marrim përgjegjësitë, do të marrim përsipër çdo angazhim dhe do të bëjmë atë që është e mundur. Luftë frontale kundër çdo padrejtësie dhe për të ngritur zërin ndaj çdo padrejtësie që i bëhet çdo të riu, çdo të reje, burri apo gruaje, fëmije dhe kujtdo tjetër. Por kjo nuk bëhet e vetme, këtë nuk e bën dot as Monika Kryemadhi apo në grup parlamentar prej 19 deputetësh. Këtë e bën vetëm një grup i jashtëzakonshëm me qindra dhe mijëra të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë. Ne sot kemi një përfaqësi të të rinjve nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht nga Tirana pasi me qarqet e tjera i kemi realizuar kampingjet më përpara.
Detyra juaj në këtë kamping është që secili prej jush të kontribuojë për të bërë axhendën tonë politike për të vazhduar dhe ta ringritur Lëvizjen Rinore për Integrim për të pasur forumin më të fortë ashtu siç e kemi pasur në traditën tonë jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Unë besoj që me këta të rinj dhe të reja kjo gjë do të jetë e mundur dhe e realizueshme.
Sigal