Kryemadhi: Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë votat dhe ndërkombëtarët, por jo opozitën e vërtetë

454
LSI zgjedh kryetarin e ri. Monika Kryemadhi do të drejtojë Partinë e themeluar nga bashkëshorti i saj në vitin 2004. Para mijëra kartonëve jeshilë të ngritur lart, Kryemadhi premtoi opozitë të hekurt
Monika Kryemadhi zgjidhet kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Propozimi i ish-kryetari Petrit Vasili, u miratua unanimisht nga të gjithë të pranishmit në Konventën Kombëtare e paralajmëruar më herët. Me votim të hapur delegatët e Konventës, votuan me kartonët jeshilë në duar, pro kandidaturës së Kryemadhit, e cila vjen në këtë post dy muaj pasi bashkëshorti i saj Ilir Meta u zgjodh President. Petrit Vasili mbajti fare pak pozicionin e kryetarit, për t’u dorëhequr më tej pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërsa propozoi Kryemadhin si pasuesen e tij. Mes një entuziazmi, të cilën e karakterizon këtë forcë, Kryemadhi u kërkoi falje shqiptarëve për disa gabime që LSI sipas saj bëri gjatë bashkëqeverisjes me Partinë Socialiste. U kërkoi falje deklaroi ajo që nuk u fol kur u konstatua se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge, për të respektuar marrëveshjen mes LSI dhe PS. “Nuk e ngritëm zërin sa duhej kur Shqipëria po jepej e gjitha me koncesion. Ne duhet të kishim marrë masa ekstreme deri me bllokimin e Parlamentit. Ne duhet të kishim reaguar më shumë dhe më fort, për mashtrimin që Rilindja bëri për ligjin e arsimit të lartë. Ne mbyllëm sytë dhe veshët kur qindra qytetarë prangoseshin se nuk kishin lekë të paguanin energjinë”, u shpreh Kryemadhi. Ajo tha se, LSI për të gjitha këto mban përgjegjësi, duke shtuar se nuk është turp të pranosh gabimet, por se turpi është i atyre që me planet e tyre po shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Kryemadhi u zotua se çdo gjë do të nisë nga vetja, duke bërë analiza qytet më qytet dhe fshat më fshat. Ajo shtoi se është momenti për të ringritur strukturat, të cilat kanë nevojë ende për përkushtim, për të përfshirë më shumë njerëz me vlera intelektuale dhe morale. Sipas saj, e ardhmja e vendit nuk i lihet dot një grushti njerëzish që po e çojnë vendin në greminë, ndaj tha se LSI duhet të hapet dhe më shumë drejt të rinjve, profesorëve dhe gjithë shqiptarëve, për t’u bashkuar në kauzën pa kompromisë të opozitës, sepse Shqipëria nuk e meriton të qeveriset nga pakica dhe arroganca. “Beteja jonë në parlamentin e ardhshëm do të jetë kundër kësaj kaste që ka marrë në dorë timonin e krimit dhe drogës, kundër çdo praktike korruptive të të fortëve dhe oligarkëve. Kjo betejë duhet nisur një orë e më parë, me dëshirë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Unë jap fjalën time se LSI nuk do jetë kurrë një strehë për ata që bëjnë kompromis me qeverinë e drogës dhe që nuk janë pjesë e luftës pa kompromis ndaj kastës së mafies në pushtet”, u shpreh ajo. Kryemadhi tha se sot është dita për të vendosur, nëse do të bëhet një opozitë e fortë kundër krimit, pasi përballë nuk është thjesht një kundërshtar politik, tha ajo, por një kundërshtar i armatosur me drogën dhe krimin. Ajo e quajti Edi Ramën si një timonier të dehur nga pushtetit të votës së vjedhur. Ndër të tjera Monika Kryemadhi falënderoi të shoqin, themeluesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, aktualisht President i zgjedhur Ilir Meta. “Falënderoj Ilir Metën që na dha mundësinë dhe krijoi LSI, një forcë politike që në themelin e saj ka bazat e socialdemokracisë, solidaritetin, përkushtimin ndaj njerëzve, shtresën e shqiptarëve të vërtetë që e duan Shqipërinë dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për Shqipërinë”, tha ajo. “Kjo është një rrugë që nuk ka kthim pas. Jemi forca kryesore opozitare në vend dhe kemi një punë të madhe përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi një opozitë e vërtetë”, tha Kryemadhi në fjalën e saj, duke theksuar se do të punohet për hartimin e një plani ekonomik e social të vendit. “Sot ju më dhatë votën për t’ju drejtuar në opozitë. Kjo është një detyrë pa kushte për mua. Nuk do të ndalem asnjë minutë, asnjë sekondë, jo vetëm për të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vend i krimit dhe oligarkëve”, tha ndër të tjera Kryemadhi. “Më 25 qershor, 225.073 heronj votuan LSI-në. Janë heronj sepse përballuan shantazhin e administratës publike deri edhe duke kërcënuar fëmijët e tyre maturantë. Përballuan terrorin e policisë dhe të bandave të krimit të organizuar. Përballuan tundimin e parave të drogës dhe të koncesioneve. Heronjtë që votuan LSI-në i dhanë asaj forcën dhe besimin. Na japin ne sot zemër dhe energji duke na thënë që misioni ynë është një dhe i vetëm: Pa ekuivok, pa dilema, pa mëdyshje, pa tundim, opozitë e fortë, opozitë e vërtetë, opozitë deri në pikën e fundit. Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë. Mbi 20 mandate u tjetërsuan për të krijuar një pseudomazhorancë, e cila angazhimin e parë që pati, ishte miratimi për Ligjin e Mbetjeve”, tha Kryemadhi. Ndërsa mori votën e të gjithë të pranishmëve, Kryemadhi deklaroi se nuk do të lejoj kurrë që vendi të kthehet në një vatër krimi. “Nuk do të ndaloj kurrë që ky vend i bekuar nga Zoti, të kthehet në një vatër të krimit, të terrorit, të varfërisë. Nuk do të pranojmë kurrë që ky vend i jashtëzakonshëm i kësaj rinie të jashtëzakonshme të shitet dhe të blihet me litarin e bukës së gojës. Ju jap fjalën e nderit, ju jap fjalën e zemrës sime. Ju jap fjalën e nderit që do të jem me të rinjtë dhe të rejat, me gratë e LSI, të cilat ishin energjia dhe zemra e fushatës tonë. Nuk do të ndalet as Lëvizja Rinore për Integrim, rinia jonë e mrekullueshme. Me LGI me grat tona të jashtëzakonshme, me këto dy forca lëvizjes që i dhanë forcë, jetë dhe shpresë LSI-së.

Patjetër që kemi bërë shumë për të promovuar vajzat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, por në këto muaj fushatë ndjeva më shumë më kurrë se potenciali i vajzave dhe grave, të rinjve dhe të rejave për tu angazhuar në politike është i pashtershëm. Dhe duhet vazhduar për t’i promovuar më tej”, tha Kryemadhi.
Sigal