Kryemadhi: Do të doja që edhe këtë radhë votën tuaj ta çoni në drejtimin duhur

438
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj, u takua me banorët e komunës Ungrej të vendosur në Lezhë, të cilët njihen ndryshe edhe si komuniteti Kashnjetor.
I shoqëruar nga deputetja Monika Kryemadhi dhe deputeti Arben Ndoka, kandidati Viktor Tushaj, garantoi këtë komunitet se në sfidat e ardhshme të bashkisë së madhe, është përmirësimi i infrastrukturave dhe krijimi i kushteve të përshtatshme për mirëqenien e banorëve që jetojnë atje, e po ashtu të komunitetit Kashnjetor që jeton në qytet.
“I bindur se e kam aftësinë për të hartuara ato projekte që i duhen komunës për të performuar ndryshe. Unë jam i bindur që Komuna Ungrej, do të kenë vëmendjen e qeverisë shqiptare. Do të kenë vëmendjen e Bashkisë për të hartuar projekte në kohë rekord aty ku nuk janë sepse disa projekte tashmë janë për të mundësuar që komuna e Ungrejt të ketë vëmendjen e duhur”, tha z. Tushaj. 
Deputetja e qarkut të Lezhës, znj. Monika Kryemadhi, tha se megjithëse pjesa dërrmuese e njësive vendore në Lezhë ishin të djathta, realiteti që ka lënë pas qeverisja e tyre është i trishtë, pasi në gjithë këto vite nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka shpërdoruar besimin që qytetarët iu kanë dhënë. 
“Do të doja që edhe këtë radhë votën tuaj ta çoni në drejtimin duhur, ta çoni në drejtimin e dijes dhe në drejtimin e mbarësisë për këtë vend dhe prandaj në 21 qershor, do ju kërkoja që të votoni për Viktor Tushën”, theksoi znj. Kryemadhi. 
Edhe deputeti i PS-së për qarkun e Lezhës, z. Arben Ndoka shprehu mbështetjen për z. Tushaj dhe për zgjidhjen e problemeve të banorëve të kësaj zone. 
Gjithashtu, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj, zhvilloi një takim me mjekët dhe infermierët e Spitalit Rajonal të Lezhës. I shoqëruar dhe nga Ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli, z. Tushaj vlerësoi punën e bërë nga bluzat e bardha të këtij qyteti, duke theksuar se ky është një mision human që duhet respektuar e mbi të gjitha duhet vlerësuar. 
Në fjalën e tij, z. Tushaj garantoi për mbështetjen që do të ketë ky institucion shëndetësor dhe të tjera në mbarë territorin e Bashkisë së madhe të Lezhës. Z. Tushaj u shpreh se gjatë katër viteve të mandatit të tij do të ketë në vijimësi investime me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për t’u ardhur në ndihmë cilësisht qytetarëve. 
Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se misioni i bluzave të bardha është fisnik dhe i një rëndësie të veçantë, ashtu siç janë të rëndësishme edhe politikat që e vënë pacientin në qendër të vëmendjes. 
“Do të vëmë çdo ditë e më tepër qytetarin në qendër të politikave tona dhe të zhvillimit. Do t’i japim mbështetje pa kufi Viktorit që Lezha, e cila ka merituar shumë më tepër shërbime dhe specialitete, të mund t’i ketë ato këtu. Duke u nisur që nga fëmijët e deri tek më i moshuarit, duhet të përkujdesemi dhe këtë do ta bëjmë vetëm duke qeverisur, ashtu siç ne besojmë drejt, ndershmërisht edhe duke luftuar korrupsionin. Besoj se të gjitha shërbimet që u nevojiten qytetarëve të Lezhës pa pasur nevojë të marrin rrugën, do t’i kenë brenda rrethit të Lezhës, qoftë qyteti dhe qoftë fshatrat. Unë jam fort e bindur dhe se jo vetëm Viktori është njeriu i duhur, por Aleanca është ajo forcë që do ta çojë këtë shoqëri drejt një përmirësimi radikal, të qenësishëm, të prekshëm”, tha znj. Kodheli.
Sigal