Kryemadhi ashpërson tonet ndaj Edi Ramës: Ta rrëzojmë qeverinë e inkriminuar

446
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë fjalës së saj mbajtur në Konventën Kombëtare, ishte e prerë në qëndrimin e saj kundër qeverisjes së Edi Ramës. “Shqiptarët të bëhen pjesë e betejës së madhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës!”. Ka qenë kjo ftesa e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, që u drejtoi qytetarëve nga Konventa Kombëtare e kësaj force politike. Është nevojë emergjente për të larguar këtë qeveri të marrë peng nga krimi, tha Kryemadhi, teksa nënvizoi se arkitekti i gjithë të këqijave është Edi Rama. “E gjithë kjo situatë katastrofike ka një autor. Ai është Edi Rama, ky njeri që deri më sot nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të vërtetën, ndihet i frikësuar për karrigen që po i lëkundet për hir të asaj që ai është gati të bashkëpunojë me çdo kriminel. Ky kryeministër që sot fsheh frikën e tij me arrogancën, çdo ditë po e kupton dhe vetë që asgjë nuk mund t’ia zgjasë më vetes qëndrimin e tij në karrige. Nuk kemi më kohë për të humbur me retorikën politike dhe as nuk do të presim paradën mediatike të fakteve të tjera tronditëse të kësaj mazhorance të kapur nga krimi. Ne jemi gati të përballemi, duhet të shkundim apatinë kolektive kundër një rreziku të madh që i kanoset vendit”, tha Kryemadhi. Kryemadhi tha me tej, se “Rama u shërben oligarkëve me privilegje, ndërsa punëtori i thjeshtë sakrifikon për familjen”. Sipas numrit 1 të LSI-së, sistemi arsimor, ai i shëndetësisë etj, mund të përmirësohen vetëm duke shembur atë që ajo e quan fasadë të shkatërruar. “Ky është misioni ynë, këtë duhet të arrijmë për të shembur këtë fasadë dhe për të nisur rindërtimin, për vende pune, për sistem të ri arsimor, të kujdesit të ri shëndetësor, për të pasur një vend më të mirë për rininë që do të ndërtojë të ardhmen në vend. Duhet rindërtuar qeveria jonë që ta bëjmë të punojë për njerëzit dhe jo për krimin e organizuar. Rrëzimi i kësaj qeverie dhe krijimi i një qeverie të re për njerëzit. Para se të marrë leksionin e hidhur nga populli ynë, se askush nuk mund te tallet me te, se shumë shpejt do të përfundojë në kazanin e plehrave të historisë së shqiptarëve”, vijoi më tej Kryemadhi.
Sigal