Kryemadhi: 2019, vit i vështirë për opozitën por jo një vit i humbur

533
Sigal

E ftuar në emisionin “5 Pyetje me Babaramon” kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se i gjithë aksioni i opozitës në vitin 2019 nuk ishte një vit i humbur por një vit i vështirë. Për kryetaren e LSI, viti që lamë pas nuk ishte thjesht një betejë politike por një përplasje fizike me krimin e organizuar. Me djegien e mandateve opozita ndërgjegjësoi partnerët ndërkombëtarë ndërkohë që po të rrinte në Parlament do ishte kthyer në fasën e Edi Ramën.

‘Nuk mendoj se ka qenë një vit i humbur. Ka qenë vërtetë vit i vështirë për opozitën, sepse beteja e opozitës nuk ishte betejë politike. Ishte betejë fizike me krimin e organizuar. Djegia e mandateve erdhi si rezultat i uzurpimit ose i bllokimit të të gjitha antenave dhe sensorëve të institucioneve ndërkombëtare. Shqipëria ishte kthyer në një vend trafikimi.
Tashmë mjafton të shikosh raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, të vendeve anëtare, kemi një progres raport të Komisionit Europian, i cili ishte fushë me lule në Shqipëri, Shqipëria vend i begatë si Danimarka e Suedia. Por që vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk e konsideruan. Pra 3 herë që u propozua Shqipëria për të hapur negociatat, të treja herët vendet e Bashkimit Europian e sulmuan një raport të tillë, duke thënë që në raportet tona Shqipëria është një vend i kriminalizuar dhe se gjithë ajo reformë e madhe e kryer më përpara është kthyer mbrapsht, është politizuar e të gjitha me radhë. Mjafton të lexosh 36 faqe të raportit të OSBE-së, do të kuptosh shumë qartë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri.
Pra dua të them që vërtetë djegia e mandateve ishte një veprim radikal apo një veprim i paprecedentë në jetën politike dhe përballë institucioneve ndërkombëtare, por ishte e vetmja mënyrë për t’i dhënë mesazhin jo vetëm opinionit publik shqiptar, që nuk jemi pjesë e fasadës së Edi Ramës, që nuk mbahemi peng nga Edi Rama, por jemi të lirë prej tij dhe krimit të organizuar’.