Kryebashkiaku Zeqo: “Fondet e pakta dhe moslëvrimi në kohë po na bllokojnë aktivitetin”

441
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj: “Turizmi mbetet prioriteti ynë!”

Fondet e pakta nga Buxheti i Shtetit dhe mos lëvrimi i tyre në kohë ka sjellë pengesa të shumta për realizimin e projekteve në infrastrukturë në Bashkinë e Fierit, ndërkohë, sipas Kryebashkiakut Baftjar Zeqo, prioritet i punës dhe shtimit të ardhurave në arkën e institucionit, këtë vit ka qenë dhe mbetet turizmi. Në intervistën e tij për ‘Telegraf’, kryevendori Zeqo tregon dhe punën e bërë dhe problemet e tjera me të cilat ata po përballen në këtë jubilar të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë….

Z. Zeqaj, mandati i tretë në krye të institucionit të Bashkisë së Fierit, përbën një përgjegjësi dhe angazhim të madh. Me këtë rast, cili do të jetë qëndrimi juaj në funksion të përmirësimit të jetës së komunitetit?

Ky besim është as më shumë e as më pak një obligacion maksimal në nivelin e detyrës. Unë përherë jam udhëhequr nga motoja që një kryetar bashkie apo komune qoftë, një i zgjedhur i një institucioni jo përmes emërimeve apriori të politikës, duhet të jetë një “shërbëtor” i devotshëm i qytetarit në kuptimin e mirë të fjalës, një evidentues dhe koherent i gjithë problematikës dhe gamës së shqetësimeve të qytetarit që përfaqëson dhe jo vetëm. Qytetari fierak është jo vetëm kërkues për të prekur stadet evropiane në të gjithë komponentët, por edhe i ndjeshëm ndaj asaj që bëhet apo jo, ndaj, parë në këtë këndvështrim, unë mendoj se është një lidhje e ndërsjellë që është krijuar ndër vite, një lidhje evidentuese dhe reflektive, një lloj bilancimi që ky qytetar i ka bërë balancës së trinomit kërkesë e qytetarit – premtime të bëra nga ne – realizime të këtyre premtimeve. Është risk, përgjegjësi dhe obligim gjithashtu që të garosh për herë të tretë për të qenë në krye të një Bashkie si Fieri, por, njëherësh, teksa votëbesohesh sërish është dhe një vlerësim i gjithë arritjeve që së bashku me qytetarët kemi bërë gjatë mandateve të mëparshme, vlerësim që vjen nga qytetari, sepse ai qëndron në zgrip të gjithë filozofisë sime qeverisëse. Është një transkriptim që i qëndroj me devocion edhe gjatë mandatit tim të tretë si kryetar i kësaj bashkie.

Çfarë hapësire zë turizmi në projektet tuaja?

Jo vetëm qyteti, por i gjithë Qarku i Fierit, është “i bekuar”, për shkak se është i rrethuar nga shumë qendra arkeologjike, si Apolonia, Bylis, Nikaia, Gurëzeza, Ardenica etj., të cilat i krijojnë një atraksion të veçantë këtij vendi, duke e magjikuar si përrallor. Më lejoni të përmend këtu të gjitha aktivitetet në kuadër të projektit “Arceos” që zhvillohen në Apoloni, “Bylisfonia” në Qendrën Arkeologjike të Bylisit, “Artfest”, “Sofra Ilire”, “RiniArt”, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, Festivali i Filmit etj..

Kopshtet shtetërore, ku përfshihen dhe nxënësit parashkollore kanë çelur veprimtarin e tyre për vitin mësimor 2012-2013 pa drekë pasi siç dihet shkaku është se Bashkia po paguan borxhin e Ujësjellës SH.A ndaj CEZ-it. Çfarë masash do të merrni për të ndryshuar këtë gjendje?

Po. Nëpërmjet një shkrese të qershorit, nisur Bashkisë Fier, Ministria e Financave nuk na jep të drejtë si institucion vendor të prekim grantin që nga data 1 korrik. Pra, tek ne mbërriti shkresa zyrtare për bllokimin e pjesës së planifikuar të transfertës së pakushtëzuar, për tremujorin e III-të dhe të IV-t për njësitë e qeverisjes vendore, aksionere të ndërmarrjeve të ujësjellësve. Transferta do të zhbllokohet vetëm me likuidimin total të këtij detyrimi. Kjo është shumë e padrejtë, pasi fëmijët  fierakë nuk kanë asnjë arsye të paguajnë kostot e ujësjellësit apo papërgjegjshmërisë së Ministrisë së Financave. Ne i kërkojmë qeverisë shqiptare ndërhyrje për zhbllokim të situatës, për të rikthyer funksionimin normal te tyre.