Kryebashkiaku Xhelal Mziu ironizon: Taulant Balla dhe Gjylameti ripremton nga Kamza se si do të bëhet Vora!

619
Sigal

Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu akuzon deputetët socialistë Blerina Gjylameti dhe Taulant Ballën, që në takimin e tyre të fundit në këtë qytet, kanë folur për banorët e një zone krejt tjetër – Vorën. Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu shkruan: “Rilindja”, përfaqësuesit e saj në Parlament dhe qeveri jo vetëm që në 6 vjet e kanë harruar Kamzën, duke mos i financuar asnjë projekt, por edhe kur bëjnë takim me të vetët nuk dinë se ku janë. Herë thonë në Kamëz dhe pastaj e mbyllin duke përshëndetur banorët e Vorës. Kjo ndodhi në takimin e Asamblesë së PS-së Kamëz, ku duket qartë mos serioziteti dhe mungesa e vëmendjes së kësaj qeverie ndaj Kamzës dhe banorëve të saj. Ishte Blerina Gjylameti, kryetarja e PS Tiranë, – e shoqëruar nga Taulanti i “Toyota Yaris”-it dhe deputeti që ka provuar humbjen dërrmuese në Kamëz Rakip Suli, – e cila nisi të fliste për arritjet imagjinare të “Rilindjes” në Kamëz për ta mbyllur me premtonin që i tillë ka mbetur prej ditës që kanë ardhur në pushtet për të bërë më shumë për Vorën që duan. Pra, duket qartë se këta zyrtarë rilindës kishin ardhur në Kamëz për xhiron e radhës të bindur në dështimin po të radhës që i pret. I kujtojmë Blerinës, Taulantit dhe Rakipit se më kot mundohen të bëjnë propagandë në Kamëz, pasi veprimet konkrete të kësaj qeverie si dhe mosveprimet, kur është dashur, e kanë diskriminuar Kamzën dhe banoret e saj. Me këtë rast u kujtojmë atyre dhe shefit të tyre Edi Rama faktet konkrete se si e kanë diskriminuar Kamzën, duke mos iu përgjigjur nevojave të saj. Asnjë status në Facebook, as takimet me të vetët, madje as ndjesa nuk vlen që ata të kenë sy dhe faqe të dalin para banorëve dhe premtojnë paturpësisht përsëri. I është kërkuar qeverisë të financojë ndërtimin e 6 shkollave, 7 kopshteve, si dhe financimin e rikonstruksionit të 9 shkollave dhe mbi 6 kopshteve, por asnjë financim nuk ka ardhur nga kjo qeveri. Në fakt, jo vetëm që nuk kanë bërë shumë, por nuk kanë bërë as pak, sepse Kamza nuk ka përfituar asnjë financim në asnjë fushë: as në arsim, as në shëndetësi, as në infrastrukturë dhe as nuk është rritur numri i të punësuarve. E kundërta ka ndodhur në këto gjashtë vite: rritje të papunësisë, madje edhe një zyrë pune që ishte në Kamëz e hoqën, jo vetëm nga sportelet e One Stop shop-it në Bashki, por edhe nga qyteti. Janë varfëruar familjet e Kamzës deri në ekstrem, janë bërë arrestime dhe burgosje për fatura të energjisë elektrike, për ndërtime pa leje dhe për tjegullat e çative etj. Edi Rama vetëm është tallur me Kamzën dhe qytetarët e saj, pasi ka rikonstruktuar vetëm një qendër shëndetësore, për të cilën Bashkia Kamëz ka të gatshëm projektin për ndërtimin e një të reje, me të gjitha standardet bashkëkohore, por që nuk financohet nga qeveria, ashtu siç janë lënë të harruar mbi 135 projekte me të cilat kjo Bashki ka aplikuar për gjashtë vite. Ka pasur mungesë totale të investimeve në arsim, në një kohë kur Bashkia dhe qeveria e Partisë Demokratike për gjashtë vjet ndërtoi 18 shkolla të reja.