Kryebashkiaku Erion Veliaj: Vendosni një Flamur në ballkonet tuaja për Festat e Nëntorit. Tirana funksionon si një familje e madhe

521
Sigal

Pas orarit të mësimit, nxënësit dhe të rinjtë e Njësisë 5 mund të merren me aktivitete fizike e sportive në mjediset e rikonstruktuara të shkollës: “Dëshmorët e Lirisë”, Bashkia e Tiranës çeli dyert e palestrës së re të shkollës, duke ftuar, jo vetëm nxënësit e saj, por edhe të rinjtë e njësisë, të merren me sport, si mënyra më e mirë për të pasur një jetë më të shëndetshme. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj theksoi faktin se edhe rikonstruksioni i shkollës dhe i palestrës tregoi edhe një herë se Tirana është si një familje e madhe ku të gjithë kontribuojnë për ta bërë atë më të mirë. “Në Tiranë funksionojmë si një familje; pra, në familje kontribuojnë të gjithë, ku secili sipas mundësisë jep diçka. Ashtu ndodhi edhe këtu, por e rëndësishme është që në fund fare e gjithë kjo doli një përpjekje fantastike. Të kesh gjërat e bukura dhe mos t’i mbushësh me jetë njeriu është si të kesh një stoli që nuk e mban asnjëherë. Kështu që, edhe për ne nuk ka shumë kuptim fakti që kemi gjithë këto gjëra të bukura dhe gjithë këto investime, nëse nuk përdoren nga njerëzit”, tha Veliaj dhe ftoi të rinjtë të bëhen pjesë dhe të mbështesin dy nismat e tjera të Bashkisë së Tiranës, atë për të festuar festat kombëtare të Nëntorit, duke nxjerrë nga një flamur në ballkonin e shtëpisë, si dhe duke mbjellë qoftë edhe një pemë. “Dua t’u kërkoj një nder:

Së pari, dua që për festat e Nëntorit secili në ballkonin ose në dritaren e tij të nxjerrë një flamur për të festuar festat. Imagjinoni nëse e bëjmë këtë në të gjitha njësitë e Tiranës, atëherë përveç bashkisë, i gjithë qyteti do të jetë i dekoruar shumë bukur me flamujt kuq e zi.

Së dyti, dua që secili prej jush përpara se të mbarojë dimri, të mbjellë një pemë. Mund ta mbjellë një pemë për ditëlindje, mund ta mbjellë një pemë për gjyshin ose gjyshen, mund ta mbjellë një pemë për qejf, për një festë ose për të kujtuar një ceremoni, por, nëse nxënësit e Tiranës do të mbjellin nga një pemë secili, do të kemi më shumë sesa 100 mijë pemë në Tiranë dhe po të kemi 100 mijë pemë çdo vit në Tiranë do të kemi një nga qytetet më të gjelbëruara që kemi pasur ndonjëherë”, tha Veliaj.