Kryebashkiaku Veliaj vendos gjobvënie për qytetarët e kryeqytetit

79
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të diskutohet edhe projekti i kryetarit ë Bashkisë, Erion Veliaj, për të vendosur tarifë nëpër rrugët e rrugicat e Tiranës, madje edhe në çdo hapësirë të lirë midis pallateve. Nëse ju kujtohet, një projekt të tillë u mundua ta zbatonte edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës, në prag të 21 qershorit 2015, me bekimin e kryebashkiakut Basha dhe të qeverisë, për t’ja dhënë me koncesion. Mirëpo, atëherë ky projekt u kundërshtua me forcë nga reagimi i qytetarëve të Tiranës. Ndërsa tani, në një rrugë të tërthortë, por të dyshimtë, projekti për parkimet e rrugëve të Tiranës do të diskutohet sot. Veçse me një ndryshim në formë, që gjoja këtë ndërmarrje do ta kontrollojë një agjenci e Bashkisë së Tiranës. Mirëpo, kjo është lëvozhga, që pasi të kalojë ndonjë muaj, Bashkia e Tiranës t’ua japë me qira ose koncesion klientëve të vet. 

Skandali: Bashkia kërkon të privatizojë pronën e qytetarëve

Bashkia e Tiranës, jo vetëm që do të përcaktojë si parking rrugët kryesore të Tiranës, por do të vendosë tarifa parking edhe në çdo rrugicë të Tiranës, madje edhe në sheshet e lira përqark pallateve të Tiranës, të cilat janë të lira për t’u shfrytëzuar nga banorët. Së pari, Bashkia e Tiranës, do t’u zërë edhe frymën banorëve të Tiranës, duke mos u lënë më asnjë hapësirë të lirë, pasi do t’u çojë parkingun te dera e shtëpisë. Së dyti, kjo hapësirë rreth pallateve, si edhe rrugicat nëpër Tiranë, nuk janë pronësi e Bashkisë, por e qytetarëve, të cilët në hapësirën që kanë ndërtuar pallate hapësira e lirë rreth tyre është e blerë nga ata, por në saj të ligjeve ndërtuese, pallati zë 40, 50 % të sipërfaqes, ndërsa tjetra është hapësirë e lirë, por pronë private e hipotekuar, dhe jo pronë e Bashkisë. Ndaj Bashkia nuk mund të përcaktojë si vende parkimi me pagesë hapësirat e lira dhe rrugicat e Tiranës, që janë pronë e qytetarëve. Veç të tjerash, ky projekt parkimi i Bashkisë, kërkon që kryebashkiaku të ketë kompetencë, në kundërshtim me ligjin, që të përcaktojë ai hapësirat e parkingut, si edhe tarifat. Paskëtaj, fshihet edhe një plan tjetër i kryebashkiakut. Që më pas, pas miratimit të këtij projekti, bashkia t’ua japë me qira, ose me koncesion, privatëve, duke zbatuar në mënyrë të tërthortë projektin që u kundërshtua para zgjedhjeve të 2015. Kreu i këshilltarëve të Djathtë, Nardi Olli, në prononcimin e për gazetën “Telegraf”, pohon se ata do ta kundërshtojnë fort, pasi nuk mund të lejojnë që kryebashkiaku të marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak, duke vendosur ai cilat rrugë do të përcaktohen për parking, dhe as tarifat, që janë kompetenca të Këshillit Bashkiak, por më kryesorja, kjo është një gjobvënie për qytetarët tiranas, në këto kushte. Sipas informacioneve të gazetës “Telegraf” edhe këshilltarët e LSI nuk do të votojnë këtë projekt të kryebashkiakut Veliaj, dhe pritet që sot në Këshill Bashkiak të ketë përplasje të mëdha. 
Nard Olli, Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës: Erion Veliaj merr kompetencat e Këshillit Bashkiak
Nard Olli, Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, në prononcimin për gazetën “Telegraf” pohon se ky projekt i Veliajt kërkon t’u vendosë gjobvënie të re qytetarëve të Tiranës. 
– Zoti Olli, çfarë mendimi keni ju për projektin e Bashkisë së Tiranës, për vendosjen e tarifave për parkimin në rrugët e Tiranës?
– Është një projekt tejet i nxituar, aspak realisht, bie ndesh me interesat e banorëve të Tiranës, në tërësi. Sepse mënyra sesi e kanë paraqitur ata të Bashkisë projektin, nuk ka asnjë shpjegim konkret mbi nevojat dhe mundësitë reale të vendeve të parkimit, çfarë do të thotë që do të jetë një kosto e shtuar për qytetarët e Tiranës. Me aq sa ne kemi informacion. Ne kemi çuar sugjerimet tona në komisione dhe sot në seancë do të shikojmë reagimet. Në këtë format siç është sjellë, ne, besoj se do ta votojmë kundër. 
– Kush do t’i ketë kompetencat për të përcaktuar rrugët që do të parkohen me pagesë dhe çmimin e parkingut?
– Këtu është shkelja flagrante. Në bazë të ligjit, këto janë element që rregullohen nga Këshilli Bashkiak. Aty po tentohet të shmanget Këshilli Bashkiak. Më e rëndësishme është se nuk ka asnjë studim të mirëfilltë në raport me numrin e automjeteve, sa automjete kanë banorët, sa hapësira të tilla u teprohet banorëve? Ka çmime tmerrësisht të larta, thua se jemi në Paris, ka një mori problematikash.
– Ka mundësi që në një të ardhme të afërt, Bashkia e Tiranës t’i japë me qira ose koncesion parkingjet e rrugëve të Tiranës?
– Kjo është një mundësi tjetër. Sepse projekti është me dy formate. Formati është krijimi i një agjencie “Tirana Parking” që gjoja ky të jetë në varësi të Bashkisë, por ka disa probleme, që sigurisht lë hapësira të dukshme, nga mënyra sesi është ndërtuar, pjesa tjetër e projektit është se, i jep kompetencë kryetarit të Bashkisë që të përcaktojë ai zonat e parkimit, qoftë edhe të përcaktojë tarifat, që është në kundërshtim të plotë me ligjin. E kemi në dy nivele problemin. Në nivel social dhe në atë ligjor. Për mua është një gjobvënie e pastër ndaj qytetarëve të Tiranës në këtë situatë ekonomike të vështirë.