Kryebashkiaku Veliaj shpërndan dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe romë

477
Sigal

Festat e fundvitit dhe atmosfera e gëzueshme që ato ofrojnë kanë trokitur edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara të institutit “Ramazan Kabashi”, për fëmijët rom dhe ata që vijnë nga familjet në nevojë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndërsa shpërndau dhuratat për vogëlushët, shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që në këto ditë festash gjejnë pak kohë për t’i shërbyer njerëzve që kanë nevojë për mbështetje. Ai tha se këtë vit Bashkia e Tiranës do të shpërndajë dhurata për të gjithë fëmijët që vijnë nga familje në nevojë ekonomike dhe zonat periferike të Tiranës, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të festojnë. “Për të gjithë fëmijët që vijnë edhe nga zonat periferike, që vijnë edhe nga fshati, për të gjithë ata që vijnë nga qendrat sociale, që janë me ndihmë ekonomike, që vijnë nga komunitetet e ndryshme që asistohen nga Bashkia, këtë vit të ri do të marrin dhurata. Do të sigurohemi që të gjithë fëmijët e Tiranës të kenë dhurata”, tha Veliaj. Më tej, ai shtoi se periudha e festave është një moment reflektimi për këdo që ka mundësi të ndihmojë të tjerët që të bëhet solidar dhe të kontribuojë që i gjithë qyteti të ketë mundësi të festojë dhe gëzojë për ardhjen e Vitit të Ri.