Kryebashkiaku Veliaj: Përfitoni nga amnistia, regjistroni vendbanimin

544
Sigal

Banorët e Njësisë Administrative 8 nuk kanë nevojë të shkojnë deri te Bulevardi “Zogu I” për të marrë një certifikatë, vërtetim apo çdo shërbim që ofrohet sot nga njësia. Pas zyrave të reja për Lagjen 13, Bashkia e Tiranës ka krijuar mjedise të reja edhe për Njësinë 8, të cilat u përuruan nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ai e cilësoi këtë si një premtim të mbajtur për banorët e Njësisë 8. Veliaj: Më vjen mirë që i kemi sjellë shërbimet për ndihmën ekonomike, certifikatat apo gjendjen civile në zemër të Njësisë 8. Jemi në një situatë ku 70% e banorëve e kanë Njësinë Administrative vetëm 5 minuta larg në këmbë. Do të thotë se shumica e Njësisë 8 sot do të shërbehet në një distancë shumë të vogël në zemër të njësisë, në zonën e Selvisë. Më vjen mirë që për 47 mijë banorë, të cilët shkonin tek “Zogu I” për të marrë të gjitha shërbimet, sot jo vetëm kemi liruar Njësinë 9 nga fluksi, por e kemi rikthyer bazën e gjithë shërbimeve komunitare në zemrën e Njësisë 8. Kryebashkiaku ftoi të gjithë banorët që janë pjesë e kësaj njësie, por që nuk janë të regjistruar aty, të bëjnë zhvendosjen e vendbanimit të tyre, duke përfituar edhe nga amnistia e vendosur nga qeveria për transferimin e gjendjes civile. Kjo procedurë, tha Veliaj, është shumë e rëndësishme në mënyrë që edhe fondet e buxhetit për vitin 2019 të ndahen sipas numrit të banorëve për çdo njësi. Veliaj: Dua t’i ftoj të gjithë banorët të regjistrohen në këtë njësi, jo vetëm banorët e Njësisë 8, pjesa e vjetër e Tiranës, por edhe ata të pjesës së re që vazhdon deri te Bregu i Lumit. Është e rëndësishme që të dimë saktësisht sa banorë ka secila njësi, që edhe fondet t’i japim në përpjesëtim të drejtë me numrin e banorëve. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët, jo vetëm këtu në Njësinë 8, ku kemi një hapësirë mbi 500 metra katrorë, ku çdo gjë bëhet lirshëm, pa u shtyrë nëpër kangjella, pa pritur në radhë, me një shërbim dhe mjedis të kulturuar, por edhe në njësitë e tjera 12, 13, dhe 14, respektivisht te Fresku, te Kopshti Botanik dhe zona e Unazës së Re, të regjistrohen aty. Sa më të saktë ta kemi listën e banorëve, aq më të shumta do të jenë fondet.