Kryebashkiaku Veliaj: Banorët te “Unaza e Re” janë paraqitur për shpronësim

546
Sigal

Gjatë takimit me nxënësit e të gjithë shkollave të kryeqytetit dhe përfaqësues të UNICEF-it në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se banorët që preken nga projekti i “Unazës së Re” janë përfitues të paketave sociale. Sipas Veliajt, pronarët që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe do të shpronësohen 100%, ndërsa për ndërtimet pa leje Bashkia e Tiranës ofron tre vite bonus qiraje dhe mundësi për banesa sociale. Veliaj u shpreh se banorët që janë pronarë të një shtëpie në atë zonë do të marrin dëmshpërblimin e plotë për shtëpinë, ndërsa pjesa tjetër do trajtohet nga paketat sociale të Bashkisë së Tiranës, bonus qiraje, banesë sociale apo kredi të butë. Ai kërkoi nga banorët që të mos përdoren nga politika dhe vlerësoi qytetarët të cilët sipas tij i janë drejtuar institucioneve dhe kanë filluar procedurat e shpronësimit. Kryebashkiaku siguroi se falë këtij projekti të Qeverisë shqiptare, do të marrë zgjidhje edhe problemi i trafikut në një nga nyjet hyrëse në kryeqytet, ndërsa i cilësoi politikë të vjetër përpjekjet për të penguar projektet zhvilluese në qytet vetëm e vetëm për të përfituar vota. “Unaza e Re, siç është sot, nuk e përballon të gjithë atë fluks, ka shumë njerëz që vijnë nga rrethet e tjera në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një projekt të ri me “Unazën e Re”, që është projekti që po bëhet nga Qeveria shqiptare, Ministria e Transportit dhe ARRSH. Ne si bashki jemi përfituesit kryesorë sepse çlirohet i gjithë ai trafik te “Unaza e Re”. Veliaj shtoi se Unaza e Madhe do të bëhet, ndërsa nënvizoi se askush nuk mund të bllokojë dot punët e qytetit. “Unaza do të bëhet, kompensimin do ta marrësh, por nuk e bllokon dot qytetin.”