Kryebashkiaku Vangjush Dako merr pjesë në konferencën shkencore “Kultet e Adriatikut”

622
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Shkollën franceze të Romës dhe Universitetit Ausonius-Bordeaux-Montaigne po zhvillojnë tryezën e rrumbullakët shkencore me temë: “Kultet e Adriatikut (shek. III para Kr.- shek.VII pas Kr.)”. Kjo tryezë po i zhvillon punimet tre ditore në ambientet e Pallatit të Kulturës në Durrës. Në këtë tryezë ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtori i institutit të arkeologjisë Luan Përzhita, rektori i akademisë së studimeve albanalogjike Marenglen Verli, historiani i njohur Neritan Ceka, përfaqësues nga ambasada franceze, arkeologë e historianë të njohur nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Italia dhe Sllovenia. Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se : “Me të vërtetë është kënaqësi që unë pres në qytetin tim dhe i hap dyert një konference kaq të rëndësishme që ju keni organizuar. Jam këtu për të dhënë gjithë mbështetjen time për arkeologjinë sepse mendoj që pasuria e qytetit të Durrësit pa këta arkeologë nuk do të kishte marrë sot formë dhe nuk do të ishte i njohur nga qytetarët tanë dhe nga vizitorët që vijnë në Durrës, prandaj për këtë unë dua të falenderoj të gjithë arkeologët që kanë punuar në Durrës, por veçanërisht të madhin Vangjel Toçi, por edhe shumë kontribues e njerëz të tjerë që kanë ndihmuar për zbulimet arkeologjike në Durrës. Ju e njihni Durrësin, është një qendër shumë e rëndësishme, jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën, një qendër e rëndësishme arkeologjike që ka 14 site shumë të rëndësishme e që janë dëshmitarë të gjallë të lashtësisë të këtij qyteti, por nga ana tjetër janë edhe atraksione shumë të rëndësishme për gjithë Shqipërinë. Muzeu Arkeologjik, Amfiteatri i Durrësit janë dy asete shumë të mëdha, jo vetëm për Durrësin, por edhe për gjithë vendin. Une dua t’i uroj suksese kësaj konference, njëkohësisht dua t’ju siguroj që Bashkia e Durrësit nuk do të jetë në kontradiktë zhvillimi me arkeologjinë, por do të jetë një levë ndihmuese bashkëpunimi për të mirën tonë të përbashkët dhe në shërbim të qytetarëve.” Në kontekstin e Atlasit të informatizuar të Adriatikut të lashtë – AdriAtlas (Adriaticummare.org) dhe me rastin e takimit të tij të përvitshëm, u vendos organizimi i tryeze të re të rrumbullakët, në Durrës, Shqipëri, me ftesë të Institutit të Arkeologjisë (Tiranë) dhe me mbështetjen e Shkollës franceze të Romës dhe Universitetit Ausonius-Bordeaux-Montaigne. Ndryshe nga tryeza e Bordosë, kuadri kronologjik shtrihet nga shek. III p.e.s. deri në shekullin e VII e.s., nga ardhja e Romës në atë të sllavëve në Adriatik. Në këtë takim të specialistëve të Adriatikut nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Italia dhe Sllovenia, synohet të hartohen sinteza të reja dhe të inkurajohen hulumtimet e reja në fushën e besimeve, brenda kësaj hapësire të gjerë, e cila është njëherazi një vend shkëmbimesh intensive dhe një mozaik rajonesh dhe popujsh të ndryshëm. Në të njëjtën kohë, është një mundësi e mirë për t’u njohur me dhëna të reja, apo për të ritrajtuar të dhënat ekzistuese, duke i botuar ato me rigorozitet. Ky takim është një rast i mirë, si për kumtuesit, ashtu edhe për prezantuesit e posterave, për të botuar harta të shpërndarjes së kulteve sipas fazave kronologjike, bazuar në të dhënat sasiore.
Sigal