Kryebashkiaku Vangjush Dako merr pjesë në ceremoninë e 65 vjetorit të teatrit Aleksandër Moisiu të Durrësit

1200
Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka marrë pjesë në ceremoninë e 65 vjetorit të krijimit të teatrit Aleksandër Moisiu të Durrësit. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm aktorët dhe regjisorët e këtij teatri si dhe drejtuesit e tij ndër vite. Drejtori i këtij teatri Bashkim Hoxha është shprehur se meqënëse ky është viti i Skënderbeut ky teatër do të rivërë në skenë operën Bijtë e Skënderbeut që është opera e parë e vënë në skenën durrsake rreth 50 vjet më parë. Hoxha deklaroi se këtë ditëlindje që përkon me fillimin e vitit teatri e feston me punë dhe me premiera të shumta që do të vihen në skenë gjatë vitit ndërkohë që fokusi do të jetë gjallërimi i dramës shqipe. Në përshëndetjen e tij kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit do të jetë gjithmonë në mbështetje të teatrit pasi ky institucion është një aset mjaft i rëndësishëm i qytetit: “Teatri Aleksandër Moisiu është një aset i qytetit të Durrësit dhe ky teatër ka mbajtur gjallë shpirtin kulturor të qytetit. Në teatrin Aleksandër Moisiu kanë interpretuar gjatë këtyre 65 viteve aktorë të mrekullueshëm dhe në gjurmët e këtyre aktorëve të mëdhenj jam i bindur që do të vazhdohet po kaq mirë kjo traditë artistike edhe në vitet e ardhshme. Bashkia e Durrësit e ka mbështetur fuqishëm teatrin këto 10 vjet në të gjitha drejtimet, si në financime ashtu edhe në logjistikë e infrastrukturë. Kemi bërë shumë për teatrin por natyrisht duhet bërë edhe më tepër, qytetarët e shumtë që ndjekin teatrin janë tregues se ky qytet e do kulturën dhe ne duke patur fokus shërbimin ndaj qytetarëve i shërbejmë atyre edhe në anën kulturore duke vazhduar ta mbështesim edhe më shumë teatrin. Uroj teatrin e Durrësit për këtë 65 vjetor dhe uroj gjithashtu sa më shumë suksese që të vazhdojë këtë traditë të shkëlqyer edhe në vitet në vazhdim.” Ne 11 janar 1953 nisi jetë ky teatër ku premiera e parë ishte komedia “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës me regji të Pandi Stillu. Gjatë këtyre 65 viteve në këtë teatër kanë interpretuar aktorë të shkëlqyer në rang kombëtar. Kjo traditë vazhdon edhe sot kur ky teatër ka një aktivitet të ngjeshur artistik gjatë gjithë vitit. Aktivitëtin e kanë përshëndetur aktorë, regjisorë si dhe drejtues të tij ndër vite.


Sigal