Kryebashkiaku Mziu: Zero investime për arsimin në Kamëz nga qeveria dhe kryeministri Rama

661
Sigal

Të hënën nis viti i ri shkollor dhe investimet e qeverisë në sistemin arsimor nuk janë të dukshme, veçanërisht në njësitë administrative që drejtohen nga përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike. Bashkia e Kamzës është shembulli i ndëshkimit, diskriminimit të kësaj qeverie, investimet e së cilës në çdo fushë kanë qenë një mollë e ndaluar për komunitetin e kësaj zone, i cili, pavarësisht, se i ka besuar PD-së, janë të të gjitha bindjeve politike. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, evidenton qartë mungesën e investimeve në fushën e arsimit në territorin e Bashkisë Kamëz dhe e gjitha kjo nuk ka ndodhur për mungesë të bashkëpunimit të tij si kryebashkiak dhe Bashkisë, por mungesën e vullnetit të qeverisë për të financuar projektet konkrete. “Kemi kërkuar në mënyrë sistematike nga qeveria “Rama” fonde për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja. Kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër, shkresat dhe projektet e Bashkisë flenë në sirtarët e Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht se në Kamëz, veçanërisht nën qeverisjen e PD-së janë ndërtuar mbi 18 objekte shkollore (shkolla dhe kopshte) me standarde evropiane, sërish bazuar në numrin e popullsisë, Kamza dhe Paskuqani kanë nevojë për të tjera godina të reja në sistemin arsimor”, – thotë kryebashkiaku Xhelal Mziu. Kryetari i Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu pohon se zyrtarisht i është kërkuar qeverisë të financojë ndërtimin e 6 shkollave, 7 kopshteve, si dhe financimin e rikonstruksionit të 9 shkollave dhe mbi 6 kopshteve. Prej vitit 2013, qeveria e “Rilindjes” e ka braktisur Bashkinë e Kamzës, duke mos i marrë në konsideratë asnjë kërkesë e për pasojë duke mos i financuar asnjë projekt. Kjo sjellje, sipas kryebashkiakut Xhelal Mziu, është e padenjë dhe Kamza do të vazhdojë të ketë të njëjtën vijë sjellje politike ndaj PS-së dhe qeverisjes së saj dhe madje ky diskriminim që i bëhet do t’i shtyjë qytetarët që në zgjedhjet e radhës t’i japin një dërrmim tjetër elektoral asaj force politike dhe qeverisë së saj mashtruese.