Kryebashkiaku i Korçës bën show elektoral për TEC-in

140

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili është edhe kandidat i PS-së për kryetar në Bashkinë e Korçës, filloi të bëjë që tani show elektoral, për TEC-in që është planifikuar të ndërtohet në Korçë.Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo nëpërmjet një letre drejtuar dy ministrave Blendi Klosi dhe Belinda Balluku ka kërkuar mosaprovimin e ndërtimit të TEC-it në Korçë. Në letër shkruhet që të mos aprovohet vlerësimi i ndikimit në mjedis, pasi investitorët nuk kanë paraqitur asnjë garanci për një bilanc pozitiv të ndotjes. Kjo letër është vetëm për konsum elektoral, ku kryebashkiaku Filo e shkruan letrën për ministrat, vetëm e vetëm, sa për t’u hedhur hi syve të qytetarëve të Korçës, të cilët, deri tani kanë reaguar fort kundër këtij projekti. Kryebashkiaku i Korçës Filo e di shumë mirë, që këtë projekt të ndërtimit të TEC-it në Korçë e ka miratuar kryeministri Rama dhe ai, nuk ka asnjë shans që të kundërshtojë kryeministrin Rama. Por, duke shkruar letër ministrave, Filo do t’u mbushë mendjen votuesve korçarë, që ai interesohet për qytetin dhe shëndetin e qytetarëve. Mirëpo, sa të mbarojnë zgjedhjet, do të jetë Sotiraq Filo, ndoshta si kryebashkiak, që do të firmosë ndërtimin e TEC-it në Korçë, menjëherë, pasi t’u ketë marrë votën qytetarëve korçarë.