Kryebashkiaku i Kavajës: Kryeministri Rama na kërcënon me burg, sepse është humbës

443
Sigal

Pse nuk hetohen dhe ndiqen penalisht edhe kryebashkiakët socialistë që janë proceduar nga KLSH?

 

Jakup B. GJOÇA

Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, e ka quajtur skenar komunisto-puçist padinë e IKMT-së ndaj tij, duke thënë se ai është nismë dhe praktikë e kryeministrit Rama. IKMT ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kavajës Isa Sakja dhe disa nga vartësit e tij. Sipas kallëzimit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimin e objekteve në territorin që administrojnë dhe kanë cenuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë Kryebashkiaku i Kavajës Isa Sakja reagon: Edi Rama zgjodhi rrugën e përdhosjes së emrit të Isa Sakes dhe kërcënimit me burg të tij, sepse të gjitha sondazhet që bëri në Kavajë, me disa kandidatë të tij, i dalin humbës. Sot, Edi Rama konkretizoi me letra sulmin e tij verbal të ndërmarrë ndaj meje pak javë më parë. Në hall, ngaqë të gjithë sondazhet që bëri në Kavajë, me disa kandidatë të tij, i dalin që të gjithë humbës përballë meje, zgjodhi rrugën e përdhosjes së emrit tim dhe kërcënimin për burg. Është sulm tipik i tij; fillimisht bën akuzën verbalisht, pastaj formulon akt-akuzën. Nuk jam opozitari i parë i sulmuar prej tij, por nëse Edi Rama vazhdon të jetë në krye të qeverisë nuk do jem as i fundit. Unë do të vazhdoj të përmbush misionin tim të drejtimit të Bashkisë Kavajë me të njëjtën dashuri, pasion e përkushtim, siç kam bërë deri tani.

 

Pse nuk hetohen edhe kryebashkiakët socialistë, të proceduar nga KLSH?

 

KLSH, në auditimet e veta gjatë 5 viteve të fundit ka proceduar dhe ka kallëzuar padi penale në prokurori shumë kryebashkiakë socialist, të cilët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë abuzuar me miliona euro fonde në tenderë dhe të tjera veprimtari. Mirëpo, deri tani, asnjë nga këta kryebashkiakë socialistë nuk është gjykuar, sepse organet e specializuara të Gjyqësorit nuk kanë hetuar dhe të gjitha kallëzimet penale të auditeve të KLSH-së i kanë mbajtur në sirtarë. Kjo tregon se edhe institucionet e Drejtësisë veprojnë në mënyrë selektive, duke e zbatuar ligjin me dy standarde. Pyetja është: IKMT-ja kë kryebashkiak socialist ka proceduar për shpërdorim detyre? Përgjigja është: Asnjë kryebashkiak socialist! A thua, se asnjë kryebashkiak socialist nuk ka dhënë leje ndërtimi, duke shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimin e objekteve në territorin që administrojnë dhe kanë cenuar interesin publik dhe territorin publik? A thua, se është rastësi që IKMT-ja procedon vetëm kryebashkiakë që janë zgjedhur nga elektorati i Djathtë? A thua, se është rastësi, që IKMT-ja përzgjedh kohën para zgjedhjeve elektorale, për të bërë procedimet kundër kryetarëve bashkiakë të Djathtë? Pse, ka heshtur deri tani? A mund të shpjegojë IKMT-ja, për çfarë periudhe kohore bëhet fjalë, qoftë edhe në bashkinë e Kavajës? Po më parë, në bashkinë e Kavajës, nga kryebashkiaku socialist Roshi, a janë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin?