Kryebashkiaku i Kamzës i kundërpërgjigjet Dogjanit: Gjysmë deputeti që s’u bë kurrë demokrat

596
Pas akuzave të forta që deputeti Asllan Dogjani ka hedhur kundër kryebashkiakut të Kamëz, ky i fundit i është përgjigjur me të njëjtën monedhë
Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu nuk ka qëndruar indiferent ndaj akuzave të hedhura nga deputeti demokrat Asllan Dogjani kundër tij. Në një shkrim të botuar në rrjetin social facebook, Dogjani e akuzon Mziun si personin që drejton bashkinë e Kamzës pa vizion, ushtron presion tek qytetarët për të mbledhur taksat, ndërsa shërbimi nuk është ai që duhet. Por një nga akuzat më të rënda që Dogjani ka hedhur ndaj Mziut është se ka paguar 800 mijë euro për të rikandiduar për mandatin e dytë për kryetar Bashkie. Duket si një betejë e nisur mes dy demokratëve që nuk janë marrë vesh asnjëherë me njëri-tjetrin. Por këtij qëndrimi shumë të ashpër të deputetit Dogjani i është kundërpërgjigjur Xhelal Mziu, duke argumentuar me fakte dhe prova se e gjitha sa është thënë ndaj personit të tij, është gënjeshtër. Mziu e nis shkrimin me një shprehje të rëndë. E konsideron Dogjanin gjysmëdeputet që u shit apo u fal nga PS, por që nuk u bë kurrë demokrat. E krahason Dogjanin me sekretarin e parë të PPSH, kur thotë se ka folur kundër grupit armiqësor “Kamza”. 

“Nga kush mori urdhër për të reaguar pikërisht në këtë çast? Suksese në jetë!”, shkruan Mziu. “Gjysmë deputeti i blerë me klering për një votë (2013), i shitur apo i falur nga PS-ja, edhe pse i mandatuar nga demokratët e Kamzës, i sulmon ata dhe mua për rezultatin spektakolar të arritur në zgjedhjet e 25 qershorit, jo vetëm krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por edhe krahasuar me çdo degë të Partisë Demokratike në Shqipëri.

Gjysmë deputeti ka folur si Sekretari i Parë i PPSH kundër grupit armiqësor “Kamza” (si gjerdani blu në Shqipërinë e kuqe). Gjysmë deputeti më sulmon mua (kryetar i Bashkisë dhe kreu i PD), që nuk kam marrë rezultatin e kërkuar dhe hedh një lumë akuzash të pabaza ndaj meje e PD-së, por asnjë fjalë s’ka për qeverinë e krimit, të korrupsionit, të drogës dhe të blerjes së votës”, shkruan në reagimin e tij Xhelal Mziu. Më tej ai thotë se Kamza vazhdon të jetë blu dhe kjo falë punës së arritur nga strukturat e Partisë Demokratike dhe rolit të tij si kryebashkiak. Mziu i bën edhe një pasqyrë të detajuar rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit duke dashur t’i tregojë Dogjanit se gjithçka ka deklaruar e ka bërë thjeshtë nga padituria. “Kamza mori 4.823 vota më shumë se PS. Dega e PD Kamëz ka marrë 53% të votave në raport me PS + LSI ose 4% më shumë se viti 2013, kur rezultati i PD në shkallë vendi ishte në shifrën 29%. Më datë 25 qershor nuk kishim zgjedhje, por blerje dhe tjetërsim të votave, për shkak të përdorimit të parave të korrupsionit dhe të drogës. Mijëra qytetarëve në të gjithë Shqipërinë, por dhe në Kamëz u janë blerë votat ose u janë marrë kartat kundrejt pagesës për të mos marrë pjesë në votim. Këtë e dinë të gjithë, veç gjysmë deputetit, të cilit akoma i duket vetja nën drejtimin e socialistëve të Kukësit, duke protestuar tek tuneli dhe Rruga e Kombit apo organizatori i 21 Janarit që u konvertua në demokrat me votat e Kamzës, por në asnjë moment nuk i justifikoi ato për të ngritur zërin për: Mijëra qytetarë të futur në burg për shkak të lyerjes së shtëpisë ose ndërrimit të tjegullave. Mijëra qytetarë të futur në burg për shkak të pamundësisë së pagesës së energjisë elektrike. Mijëra familje të hequra padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. Mijëra qytetarë të ngelur pa punë për shkak ë largimeve politike ose falimentimit të bizneseve për shkak të taksave të larta nga qeveria. Mijëra familje të ikura jashtë për shkak të humbjes së shpresës nga qeveria.

Rreth 150 projekte të dërguara nga Bashkia për ndërtim rrugësh, rivitalizim qendrash urbane, shkollash, kopshtesh, çerdhesh, ujësjellës, kanalizimesh, tregjesh etj, por që në 4 vite zero financime pati nga qeveria Rama”, shkruan kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu. Një tjetër pikë për të cilën Mziu ka dashur t’i bëjë të ditur Dogjanit, është fakti se qytetarët e Kamzës gjatë qeverisjes së Edi Ramës, janë trajtuar më keq nga të gjithë qytetarët e vendit. Sipas tij Bashkia e Kamzës ka pasur zero investime nga qeveria dhe një qytetarë i kësaj bashkie ka marrë 35,5 herë më pak lekë sesa mesatarja e Shqipërisë. 
Sigal