Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako takim me ambasadorin rus Alexander Karpushin

510
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Rusisë në Shqipëri Alexander Karpushin i cili shoqërohej në këtë vizitë edhe nga përfaqësues të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Rusi. Tema kryesore e bisedës në këtë takim ka qenë intensifikimi i marrëdhënieve shqiptaro ruse në nivelin e rajoneve dhe bashkive që shërben si një impuls i fuqishëm për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha e tregtisë, ekonomisë, turizmit, bujqësisë, kulturës dhe arsimit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë ambasadorit rus Karpushin një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve të shumta.
Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik si dhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin rus me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë tu ofrojë investitorëve të huaj dhe konkretisht edhe tyre rusë jo vetëm në fushën e turizmit por edhe në të gjithë sektorët ekonomikë. Nga ana e tij ambasadori rus Karpushin ka falenderuar kryebashkiakun Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë me kryebashkiakun e Durrësit në lidhje më shumë fusha si dhe me perspektivat e bashkëpunimit të gjithanshëm midis Durrësit dhe rajoneve të interesuara të Rusisë. Në takim është rënë dakord për të filluar konkretisht bashkëpunimin në shumë fusha si dhe u mor angazhimi për ndërmarrjen e hapave konkretë për binjakëzimin e Durrësit me një qytet rus bregdetar. Po kështu ambasadori rus Karpushin i ka bërë me dije kryebashkiakut Dako që një grup operatorësh turistikë rusë do të vizitojë qytetin e Durrësit në muajin Maj dhe kjo vizitë padyshim do të ndikojë pozitivisht në nxitjen e interesit të turistëve rusë për të vizituar Durrësin. Në fund të takimit i cili kaloi në një frymë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori rus Karpushin shkëmbyen dhuratat e rastit.
Sigal