Kryebashkiaku Erion Veliaj ka “harruar” të gjobitë koncensionerët e pastrimit për zhulin e Tiranës

160
Nuk e di nëse kryebashkiaku Erion Veliaj e kishte shaka, apo seriozisht, kur deklaroi, që do të 4 fishojë kuotën e gjobave ndaj atyre qytetarëve që u kapën mat nën urën e Lanës, duke urinuar ( më falni, po nuk gjej dot ndonjë fjalë më të butë, që ta zëvendësoj), meqë ata vullnetarisht e pranuan “fajin” dhe paguan menjëherë, dhe këtë aksion kryebashkiaku e quan siparin e një qeverisjeje të suksesshme në shërbim të qytetarëve të Tiranës. 
Tirana, kryeqyteti i depozitave të ujit mbi taracë
Tirana është kryeqyteti në Botë, që mund të cilësohet ndryshe edhe si kryeqyteti i depozitave të ujit mbi taracat dhe çatitë e ço ngrehine. Edhe pse Tirana është e rrethuar me burime dhe rezerva të ujit të pishëm, edhe pse Tirana zë vendet e para për nga pasuritë e mëdha të ujit të pishëm, qytetarët e kryeqytetit, çdo ditë vuajnë mungesën e ujit të pishëm. Tirana është i vetmi kryeqytet në Botë, që edhe atë sasi uji që mbërrin në çezëm, nuk mund të përdoret si i pijshëm, pasi mbërrin i ndotur, nga rruga që bën. Dhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, si kandidat, për të fituar votën e qytetarëve, sigurinë e juit të pishëm 24 orë, e kishte spot elektoral në çdo takim me zgjedhësit. Mirëpo, sa fitoi votbesimin, kryebashkiaku Veliaj, edhe pse ka organizuar tendera të ndryshëm, e “harroi” premtimin për ujin e pishëm të Tiranës, por qeverisjen e tij, e filloi nga taksa e …urinës, duke dënuar me gjobë qytetarët, që shurrepsin nën urën e Lanës, për ndotje të ambientit, ndërkohë, që kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj ende nuk e shqetëson hiç fare ndotja e ujit të pishëm që mbërrin te çezma e shtëpive të qytetarëve. Kryebashkiaku Veliaj, deri tani, nuk e ka zënë në gojë fare problemin e sigurimit të ujit, ndërkohë, që ka deklaruar që në shtator, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë, do të fillojnë edhe luftën kundër atyre që nuk paguajnë faturat e ujit. Ky është një absurditet, sepse, si mund të pretendosh, që do të detyrosh me forcën e ligjit dhe me kërcënimin e dënimeve me burg, qytetarët të paguajnë faturat e ujit që mërrin në çezmat e shtëpive i ndotur, kur nuk u siguron qytetarëve ujë 24 orë, kur ndërkohë, çatitë dhe taracat e gjithë ngrehinave të Tiranës janë të mbushura me depozitat e ujit. Meqë kryebashkiaku Veliaj, do 4 fishojë gjobat ndaj qytetarëve që ndotin mjedisin me urinë, po me ata që ndotin ujin e pishëm të qytetarëve, a do t’i gjobitë kryebashkiaku Veliaj, meqë ujësjellësi i Tiranës është një ndërmarrje e Bashkisë?
Kush do ta mbrojë shëndetin publik nga ndotja e depozitave të ujit?
Depozitat e ujit mbi çdo taracë e çati të shtëpive, pallateve të Tiranës, janë të ekspozuar në agjentët atmosferikë, si dielli, shiu, etj dhe, duke ndënjur për vite të tëra të ekspozuara, ato edhe tjetërsohen në materialin e tyre përbërës, mbushen edhe me lloj-lloj mikrobesh, të cilat së bashku, ndotin edhe ujin që përmbajnë. Kështu, që uji i ndotur nga shumë faktorë, por me rrezik të madh për shëndetin, mbërrin në çezmën e qytetarëve, që pavarësisht se nuk e pinë, prapë janë të ekspozuar në rreziqe të mëdha, edhe kur e përdorin për larje të çfarëdoshme. Meqë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj bën thirrje përditë qytetarëve që të përkrahin nismën e tij, për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja e urinës, a nuk duhet të nisë nismën edhe për të mbrojtur edhe depozitat e ujit nga ndotja? A nuk i takon Bashkisë së Tiranës, meqë merr edhe taksat e pastrimit, edhe taksat e ujit, të dizifektojë edhe depozitat e ujit të qytetarëve, dhe kjo në pamundësi dhe paaftësi të Bashkisë së Tiranës, që qytetarëve t’u sigurojë ujë të pijshëm e të rrjedhshëm 24 orë?
Urbanët nuk japin biletë, kryebashkiaku toleron
Linjat e urbanëve Yzberisht-Tiranë dhe Kashar-Tiranë asnjëherë nuk presin asnjë biletë, por faturionoja i merr drëng-drëng lekët nga udhëtarët pa u dhënë biletë. Edhe nëse u kërkon biletë, faturinot të inatosur të kthejnë përgjigje: Kështu e kemi ne, nuk japim biletë. Meqë dje ishte dita e parë e luftës së qeverisë kundër evazionit fiskal, gazeta “Telegraf” i dërgoi një mesazh kryebashkiakut Erion Veliaj në orë 10.07 me këtë përmbajtje: “ Mirëmëngjez. Meqë filloi lufta kundër informalitetit, nëse keni kohë, provoni linjën e urbanëve të Yzberishtit e Kasharit ku faturinot marrin lekët e nuk japin kurre asnjë biletë”. Mirëpo kryebashkiaku Veliaj, jo vetëm që nuk e ka provuar këtë linjë urbani, por nuk pati as kohë që të fillonte luftën kundër evazionit, pikërisht nga vjedhja që u bëjnë faturinot taksave të bashkisë, mbase ishte shumë i zënë me intervistat që jep në media, për të promovuar luftën kundër ndotjes së medisit nga urinimi.
Kryebashkiaku Veliaj, ka harruar gjobat ndaj koncensionistëve të zhulit të Tiranës
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj që ditët e para të qeverisjes, ka shpallur luftën kundër zhulit. Madje, ka ftuar edhe qytetarët e Tiranës, që, vullnetarisht, në 4 shtator të bashkohen e të pastrojnë Tiranën nga zhuli. Dhe, kundër zhulit të Tiranës, janë edhe gjobat, të cilat kryebashkiaku do t’I 4 fishojë ndaj atyre që ndotin mjedisin me urinim. Mirëpo, me dashe, apo pa dashje, kryebashkiaku I Tiranës, Veliaj, “ka harruar” se për pastrimin e Tiranës paguhen 4 kompani që e kanë marrë me koncension pastrimin e Tiranës. Pra, përgjegjësit e zhulit në Tiranë, janë këta koncensionarë, që nuk e pastrojnë Tiranën, edhe pse marrin rregullisht miliona euro nga taksapaguesit e Bashkisë së Tiranës. Për se deri tani kryebashkiaku Veliaj, nuk ka dhënë asnjë gjobë ndaj këtyre koncensionistëve që janë shkaktarë të zhulit të Tiranës? Ka harruar? Apo nuk mundet kryebashkiaku I Tiranës të gjobitë koncënsionarët e pastrimit të Tiranës, apo të zhulit, siç e cilësoi vetë ai? Si mundet kryebashkiaku Veliaj, të ketë të drejtë qytetare dhe ligjore, t’u bëjë thirrje qytetarëve që vullnetarisht të pastrojnë Tiranën, kur taksapaguesit paguanë miliona euro për koncensionistët e zhulit? Pyesim kryebashkiakun Veliaj: Më 4 shtator, kur qytetarët vullnetarisht do të pastrojnë Tiranën, a do të paguhen koncensionistët e zhulit? Si ka forcë ligjore kryebashkiaku Veliaj, që të dënojë qytetarët që urinojnë nën urë, me gjoba 50.000 mijë lekë, e kërkon që këtë shumë ta 4 fishojë, kur ndërkohë koncensionistët që paguhen të pastrojnë Tiranën, nuk I gjobit, edhe pse Tirana është e mbytur në zhul? Kryebashkiaku i Tiranës, nuk ka bazë ligjore që të dënojë me gjobë, dhe as kompetencë të përcaktojë aforfe kuotën e gjobës për qytetarët që uronojnë në mjedis. Por nga ana tjetër, Kryebashkiaku i Tiranës ka kompetenca që të ndërshkojë në bazë të ligjit koncensionistët e pastrimit, që bëjnë zhul Tiranën. Kryebashkiaku ka detyrim ligjor që t’i ndërshkojë koncensionistët e zhulit edhe me ndërprerjen e kontratës, derisa ajo nuk zbatohet njëanshmërisht nga koncensionari. Përse këtu kryebashkiaku Veliaj nuk e zbaton ligjin, por si Lej Feni, bën popularizëm, me thirrje për vullnetarizëm për të pastruar Tiranën? 
Tualetat plastike, pa ujë e pa kanalizime, burime epidemie
Kryebashkiaku I Tiranës Erion Veliaj, ndoshta në rininë e hershme të tij ka dëgjuar për Lej Fenin, por meqë nuk do ta ketë lexuar, ngaqë nuk shquhej për zellshmëri mësimi, kërkon që ta imitojë Lej Fenin, duke u përpjekur që të duket shpëtimtari I çdo situate. Kryebashkiaku Veliaj, duke vendosur gjobat e urinës, kur ndërkohë nuk kishte marrë paraprakisht as fushatë sensibilizuese, informimi, por as masa të tilla, që t’u krijojë kushte qytetarëve për banja publike, Veliaj, vendosi ku mundi, në rrugicat e parqeve të Tiranës, disa tualeta plastike, dhe i çimentoi, që të mos I merrte era. Mirëpo kryebashkiaku Veliaj, si Lej Fen original shqiptar, mbase kishte dëgjuar që vende të tjera vendosin në publik tualete plastike, ndaj edhe ai I imitoi, duke çimentosur disa tualete palstike, por në asnjërën prej këtyre tualeteve plastike, nuk ka ujë të rrjedhshëm, dhe as depozita uji dhe as nuk u siguroi derdhje nëpërmjet kanalizimeve. Dhe për pasojë, këto tualete palstike, vetëm me përdorimin e ditëve të para, janë kthyer në burime epidemie, pasi janë ndotur nga jashtëqitjet që nuk pastohen. Kështu, Kryebashkiaku Veliaj do të shpëtonte Tiranën nga urinimi nën urën e Lanës, tani, jashtëqitjet e tualeteve plastike, pa ujë dhe derdhje e kanalizime, I ka ekspozuar në diell nëpër rrugicat e parqeve, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin publik të mijëra qytetarëve nga shpërthimi I mundshëm I sëmundjeve epidemike. Mirë Veliaj, që sillet si Lje Fen me qytetarët e Tiranës, por institucionet e shërbimit shëndetësor publik, përse nuk janë alarmuar deri tani për rrezikun e shpërthimit të epidemive nga jashtëqitjet e tualeteve plastike të Bashkisë së Tiranës, që janë pa ujë e derdhje e kanalizime?