Kryebashkiaku Erion Veliaj/ Investim për të ardhmen e qytetit, mbajmë premtimin për kënde lojërash në çdo lagje

413
Sigal

Gazeta Telegraf/ 

 

Veliaj: Investim për
të ardhmen e qytetit, mbajmë premtimin për kënde lojërash në çdo lagje


Përurohet këndi i 4 i lojërave për fëmijë te Bërryli, minifusha
futbolli dhe basketbolli për të rinjtë


Fëmijët e zonës së Bërrylit dhe zonës përreth Maternitetit
të Ri kanë tashmë një hapësirë ku mund të argëtohen, të luajnë dhe të kalojnë
kohën e lirë. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e kompanisë Coca-Cola, mundësoi
ndërtimin e një këndi të ri lojërash në kryeqytet, i cili me llojshmërinë e
lodrave, por edhe hapësirat sportive, ofron mundësi argëtimi për fëmijët e të
gjitha moshave. Këndi i lojërave u përurua sot nga
kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo hapësirë është
një tjetër hap drejt mbajtjes së premtimit që çdo lagje të ketë këndin e vet të
lojërave për fëmijë.

 

“Ky është këndi i katërt i lojërave; e filluam te Liqeni,
më pas vijuam me një kënd shumë të bukur te ‘Mine Peza’, pastaj përfunduam
këndin e lojërave te Presidenca dhe sot ky është këndi ynë i katërt për një nga
lagjet më të mira e më të bukura të Tiranës, ku ka shumë fëmijë, por më në fund
edhe me një kënd lojërash të bashkisë së Tiranës që është publik, që është pa
pagesë për të gjithë fëmijët. Dua t’u them fëmijëve, ta gëzoni, por edhe ta
mirëmbani e ta ruani”, u shpreh Veliaj. Ai shtoi se këndet e lojërave janë një
mundësi jo vetëm argëtimi, por edhe formimi dhe zhvillimi për fëmijët. Ndaj,
theksoi ai, bashkia ka vendosur që në fillim që punën e saj ta nisë nga më të
vegjlit e qytetit.

 

“Ky qytet ka shumë halle, por sa herë që nis historia e
këndit të lojërave, ju i mbani mend protestat, zhurmën, si u politizua dhe si
degjeneroi në dhunë, megjithatë i qëndruam deri në fund projektit, pasi besojmë
se bashkia është si një familje. Nëse në një familje, gjëja më e shtrenjtë janë
fëmijët, ashtu edhe në këtë familje të madhe, që quhet bashkia e Tiranës, gjëja
më e shtrenjtë duhet të jenë fëmijët dhe sa mirë bëmë që rezistuam deri në fund
me këtë projekt, sepse tani jo vetëm bëmë këndin e madh, por në çdo lagje po ndërtojmë
nga një kënd lojërash! Studimet tregojnë se një fëmijë që luan jashtë, që ka
aktivitet fizik, që luan në skuadër, bëhet nxënës më i mirë, më i aftë në jetë,
më i komunikueshëm me njerëzit, se sa një fëmijë që rri tërë kohën mbyllur, apo
nuk ka një hapësirë ku të luajë”, theksoi Veliaj.

 

Ai bëri të ditur se investimet në këtë lagje do të
vazhdojnë edhe me disa projekte të tjera, si në infrastrukturën arsimore, ashtu
edhe në atë rrugore. “Unë i mbaj fjalët dhe më vjen mirë që filluam këtu, por
nuk kemi mbaruar punë me lagjen. Duam të bëjmë edhe disa ndërhyrje, e di që
shkolla “Nikel Dardani” ka më shumë nevojë. Siç bëmë te ATSH-ja, ku u sistemua e
gjithë lagjja nga brenda, kështu do të bëjmë me 50 lagje në Tiranë, kemi bërë
vetëm 12”, tha kryetari i bashkisë. Veliaj falënderoi kompaninë “Coca-Cola” për
mbështetjen, si dhe të gjithë ata që punuan në ndërtimin e këtij këndi.

 

“Kemi qenë këtu përpara disa javësh, ku e gjithë zona
ishte e shkatërruar, me baltë, në disa vende edhe e zaptuar. Pas disa javësh
pune intensive mbajtëm fjalën, ia dolëm, ndaj besoj se të gjithë punëtorët tanë
meritojnë një duartrokitje nga i gjithë komuniteti ynë këtu. Kjo ka qenë një
përpjekje e përbashkët e Bashkisë së Tiranës, bashkë me kompaninë Coca-Cola që
gjithashtu meriton një duartrokitje, pasi na kanë ndihmuar jashtë mase me këtë
kënd lojërash”, përfundoi Veliaj.