Kryebashkiaku Basha: “Po e shndërrojmë Tiranën në një model evropian”

694
Sigal

Hapet fushata elektorale e PD-së. 

Partia Demokratike çeli zyrtarisht dje në mbrëmje, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, 10 ditë përpara hyrjes zyrtare në fushatë elektorale.
Në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, u vetëprezantuan disa kandidatë te Partisë Demokratike që do të garojnë në këto zgjedhje. Mijëra qytetarë mbushën sheshin me flamurin kuq e zi dhe të Partisë Demokratike në duar, ndërkohë koncerti festiv u hap nga këngëtarja e njohur Soni Malaj.

Basha: “Tirana kuptoi që Rama është bllokim, zgjedh Berishën, më të mirin”

 Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha hapi mitingun e çeljes së fushatës zgjedhore të PD-së me një fjalim të karakterizuar nga akuza mbi ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Basha theksoi se Tirana sot më shumë se kurrë arrin të bëjë dallimin mes asaj që ishte dhe është.

 “Në këtë mbrëmje të bukur kam nderin e veçantë të prezantoj para jush  deputetët e ardhshëm të Tiranës, të udhëhequr nga kryetari i PD-së, kryeministri Sali Berisha. 2 vjet më parë nga ky shesh së bashku lamë pas të shkuarën dhe nisëm një rrugëtim të ri për qytetin e Tiranës . Qytetarët gjendeshin përpara një zgjedhje. Të votonin një politikan që kishte braktisur detyrën për të cilën ishte mandatuar dhe që ushqente një konflikt të vazhdueshëm politik, për hir të axhendës së tij personale, për hir të ambicies së tij për pushtet, apo të ndryshonin, dhe të zgjidhnin një tjetër model, që udhëhiqej nga interesat dhe shqetësimet e qytetarëve. Ish-kryetari i Bashkisë donte sërish të ruante pushtetin e tij personal, dhe të interesave të veta.  Sot edhe ata më skeptikët e dy viteve më parë e kuptojnë fare mirë se pse zoti Rama donte me çdo çmim të mbante Bashkinë e Tiranës, dhe për interesat e kujt e donte.  Por Tirana e refuzoi këtë model dy vite më parë, ajo zgjodhi të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve të saj dhe një erë e re nisi për qytetin.  Unë jam i vetëdijshëm se për 2 vite ne nuk kemi zgjidhur gjithçka. Por ne e kemi vënë Bashkinë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, në shërbim të qytetit, në shërbim të qytetarëve. Dhe rezultatet janë të prekshme. Sot kemi më shumë të punësuar, infrastrukturë më të mirë, shërbim më të shpejtë për qytetarët dhe biznesin, më shumë gjelbërim dhe ajër më të pastër.  Kemi një plan urbanistik që respekton pronën dhe garanton  zhvillim të qëndrueshëm. Kemi në zbatim  projekte që po e shndërrojnë Tiranën në një qytet modern dhe Evropian.  Dy vite më parë, ditën kur unë shpalla zyrtarisht  kandidaturën për Kryebashkiak, deklarova para jush se; “Edi Rama nuk është armiku ynë”.  Kam uruar gjatë gjithë kësaj kohe që të kisha drejtë, pasi për ne kundërshtari politik nuk është armik, pasi në bindjen time nuk duhet të kemi armiq, në ambientin tonë, në shoqëri, në politikë. Por çfarë mund të them sot për Edi Ramën.  Ai bllokoi integrimin evropian. Sot, do të ishim vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Dhe qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, do të kishin përfituar nga kjo mundësi, qindra miliona euro grante dhe investime, shumë më shumë  investitorë të huaj për shkak të potencialeve që ka Shqipëria dhe garancisë që ofron një vend kandidat për anëtarësim në BE. Por  Edi Rama tha “jo”. Ai nuk është armiku ynë, por çfarë është dikush që i mohon vendit të tij, zhvillimin, ecjen përpara, integrimin evropian. Çfarë është dikush që për hir të interesave të tij, e lë vendin larg një mundësie të artë, të arritur me shumë mund, nga përpjekjet e të gjithë shqiptareve . Ky njeri sigurisht nuk është mik i Shqipërisë, nuk është mik i shqiptarëve. Përpara se të bllokonte Shqipërinë, ai kishte bllokuar në Bashki shumë projekte të mëdha, Kishte bllokuar unazën e madhe, Sheshin “Skënderbej” e shumë projekte të tjera. E madje dhe sot e gjithë ditën kërcënon se do të bllokojë të gjitha projektet e nisura nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Qeverinë e Kryeministrit Berisha. Ai duket se ka vetëm një mision dhe pasion: bllokimin. Dhe ja ku e kemi sërish këtë model. Prapë i tillë na shfaqet me modelin e interesave dhe klaneve personale, të përfitimit personal, të ruajtjes së pushtetit privat. Por për fat, sot qytetarët, ashtu si dy vite më parë, kanë mundësi zgjedhje. Kanë mundësi të zgjedhin integrimin në BE.  Kanë mundësi të zgjedhin zhvillimin e vendit. Kanë mundësi të zgjedhin një politikë që ka në qendër të saj qytetarin. Unë nuk kam asnjë dyshim në zgjedhjen e qytetarëve të Tiranës. Por jam i bindur se alternativën e punësimit, të mirëqenies, të ecjes përpara, do ta përqafojnë të gjithë qytetarët e Tiranës e të Kavajës, të Rrogozhinës e të Vorës, të Kamzës dhe Paskuqanit, Vaqarrit dhe Kasharit, Farkës, Dajtit Zall Herrit e Baldushkut, të mbarë  Shqipërisë. Shqiptarët janë para një zgjedhje. Zgjidhni më shumë punësim dhe paga më të larta Zgjidhni një jetë më të mirë, më shumë mirëqenie. Zgjidhni integrimin. Zgjidhni modelin që punon për të përmirësuar jetën tuaj. Zgjidhni Sali Berishën dhe PD-në. Përpara për ju,  Përpara për Shqipërinë e zhvilluar Evropiane!

Berisha: Më 23 Qershor votoni integrimin. Kandidatët tanë, deputetë të qytetarit

Kryetari i PD-së, Z. Sali Berisha u shpreh në çelje të fushatës elektorale se koalicioni i tij i djathtë është më i gjeri. Sipas Berishës, kandidatët për deputetë do të jenë parlamentarët e ardhshëm që do i shërbejnë qytetarit e Shqipërisë.
“Mirëmbrëma sot në Tiranën blu, zemrën e kombit, trurin e tij. Zonja dhe zotërinj, kam nder të madh sot të paraqes para jush, ekipin e parlamentarëve të ardhshëm, të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë dhe së djathtës, koalicionit më të gjerë, në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këta gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre është deputet i qytetarit, të qytetarëve të tiranës, Shqipërisë, për ne. Në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë është dhe do jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij”.

Ministri Olldashi: “Sot hodhëm hapin e parë drejt fitores së 23 Qershorit”

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duke iu referuar çeljes së fushatës elektorale të PD-së, mbrëmë në sheshin “Nënë Tereza” të Kryeqytetit, shkruan në facebook. “Sot hodhëm hapin e parë drejt fitores së 23 Qershorit. Mirënjohje dhe respekt pa kufi për të gjithë ju që ishit sot në shesh.”

 

 

Lista e kandidatëve për deputetë e PD-së

Qarku Tiranë

Sali Berisha
Myuqerem Tafaj
Majlinda Bregu
Halim Kosova
Florjon Mima
Gerti Bogdani
Dashamir Shehi
Jorida Tabaku
Edi Paloka
Keltis Kruja
Kastriot Islami
Asllan Dogjani
Visar Zhiti
Arben Qirjako
Gent Deliallisi
Tritan Shehu
Ilir Rusmali
Jemin Gjana
Lajla Përnaska
Gazmend Dibra
Kreshnik Çollaku
Rajmonda Bulku
Kreuza Leka
Shkelqim Hoxha
Fetah Hasani
Ervin Minarolli
Elvana Hana
Grida Duma
Ivi Kaso
Klodiana Shala
Greta Koci