Kryebashkiakja Rira: Prrenjasi është varfëruar ndërsa Rilindja lakuriqe, thotë se ka rilindur

1228
Një ditë më parë, kryeministri i vendit Edi Rama ka hedhur akuza në drejtim të Miranda Rirës, kryetare e Bashkisë së Përrenjasit, duke thënë se ajo ka punësuar në bashki njerëzit e saj të afërm. Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetarja e Bashkisë Përrenjas, e cila ka thënë se qyteti nga ajo është ka qenë në gjendje të mjerueshme dhe se është lënë kështu pikërisht nga Rama dhe shpura e tij.

Miranda Rira*

Sot kryeministri në ikje dhe deputeti i Prrenjasit dhe Librazhdit, u kujtuan më në fund për Prrenjasin. Erdhën dhe dhanë një lumë akuzash për Kryetarin e Bashkisë, sepse nuk kishin çfarë t’ju thonin njerëzve sesi ata e lanë në mjerim Prrenjasin. Nuk kishin si të justifikoheshin, se kanë 26 vjet që mbushin thesin me vota nga kjo zonë, dhe me pa s’ju bie ndërmend nëse këta njerëz janë gjallë apo vdekur. Z. Rama, ti e di fort mirë që unë jam më socialiste dhe më e majtë se ty. Ku e ke “rilindur”Prrenjasin? Me çfarë investimesh? Çfarë ke bërë për fshatrat e kësaj zone? Çfarë ke bërë për spitalin e Prrenjasit që është katastrofë? Çfarë investimesh ke sjellë për kopshtet dhe shkollat? Sa kohë keni që gënjeni për statusin e minatorit? Ku janë ato qindra vende pune që do hapje në Prrenjas? Fondi i zhvillimit të rajoneve që është tërësisht i qeverisë, ska patur para për Prrenjasin, ndërsa ke çuar miliona euro për fasada dhe qendra në bashki të PS. Ju i keni ndarë investimet për shqiptarët, në bazë të ngjyrës politike që ka kryetari i bashkisë. Sa investime ke çuar në Librazhd dhe sa në Prrenjas? Edhe një investim që solle për shëtitoren përgjatë rrugës nacionale, dërguat Sadri Abazin për të marrë tenderin me dokumente fallco, proces që u mbajt peng nga ju për rreth një vit, por nuk ju eci. Meqë u morët ju i pari me mua, po merrem pak edhe unë me ju. A e dini ju Z. Kryeministër se me fondet e qeverisë janë pasuruar shpura që rri pranë jush, ata që japin dhe marrin fondet qeveritare dhe tenderat, dhe jo qytetarët e Prrenjasit dhe të gjithë Shqipërisë?! Prrenjasi është varfëruar ndërsa Rilindja lakuriqe, thotë se ka rilindur. U morët me fisin dhe njerëzit e mi. Po ju, pse keni marrë kushërirën tuaj, Milena Hariton si ministre? Vasilika Vjero, a është kushërira juaj dhe ju e keni vënë drejtoreshë të tatimeve? Nuk po merrem me burrat e ish grave të tua, se me to janë marrë të tjerët. Mire unë paskam marrë shofer nipin tim, dhe ky na qenkërka sakrilegj i madh, do ishte mirë të jepnit llogari se çfarë bëtë ju për Prrenjasin dhe për keta njerëz që i keni gënjyer për më shumë se dy dekada. Po specialistin e IT-se ku ma gjete kushëri?? Ledio Allko është nje punonjes i shkëlqyer që ka mbaruar me 10-ta dhe ska asnjë lidhje gjaku me mua. Ndërsa ai që ju thoni se është krushku im, po ju them se deri dje ka qene Kryetari i Partisë socialiste në Prrenjas, por arroganca e pushtetit e la në harresë. Çte bëj unë qe kam një fis kaq të madh dhe mund të qëllojë që nga 230 punonjës që ka bashkia, shoferi është nipi im(sepse është e drejtë legjitime e çdo njeriu të marrë shofer njeriun më të sigurtë), dhe se ndonjëri është edhe në lidhje farefisnore me mua? Po ju them se jam 100% rrajcare dhe kam një fis për të cilin jam shumë krenare. Lëri dokrrat me fare e me fis, por jepi Prrenjasit atë që i takon Prrenjasit, mjaft më manipuluat me demagogji dhe me rrena këtë komunitet. Ndërsa ti Z.Balla e di fort mirë se ndihmën ekonomike e jep ministria, dhe ska asnjë lidhje bashkia me këtë pjesë. Ti në fakt je i pari, që duhet të japësh llogari, se përse gjithë fondet i cove në Librazhd dhe se për Prrenjasin s’të ra ndërmend edhe pse ky komunitet ka 3 legjislatura që të voton. Këtë herë, Prrenjasi e ka vendosur, do të votojë jo për Rilindjen e palindur, jo për marrëveshje diversantësh, por për një parti të majtë si LSI që do t’i japë Prrenjasit, Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt, dinjitetin e munguar. 

*Miranda Rira, kryetare e Bashkisë Prrenjas
Sigal