Kryebashkiakja Miranda Rira denoncon aferat me ujin e pijshëm: Të implikuar pushtetarë të Rilindjes

217
Abuzimet me ujin e pijshëm në Prrenjas dhe aferat e pushtetarëve
Kryetarja e Bashkisë, Miranda Rira, denoncon rolin e deputetit socialist, Taulant Balla dhe zyrtarëve të tjerë në biznese që vjedhin qytetarët
Partia Socialiste, me në krye Taulant Ballën, bëjnë kërdinë me ujin e pijshëm me lidhje të paligjshme. Për këtë reagoi edhe kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira. Në Prrenjas duket se është ngritur një rrjet merimange që po vjedhin ujin e qytetarëve. Taulant Balla, së bashku me kryetarin e PS, Prrenjas, ish-kryetar komune në Rrajcë, Haxhi Çollaku, kanë bërë kërdinë me lidhje të paligjshme të ujit. Ata kanë ngritur një fabrikë uji që merr ujë direkt nga tubi kryesor i ujësjellësit të Prrenjasit, pa asnjë lloj leje dhe normalisht pa paguar asnjë detyrim. Uji gjendet nëpër dyqane me etiketën “Ujë Qafë-Thana. Kuptohet që e blejnë qytetarët dhe lekët shkojnë në xhepin e të mëdhenjve të zonës, kur banorët nuk kanë as ujë për të pirë. Në fillim kishte habi pse Bashkia Prrenjas, drejtuar nga LSI, s’kishte vepruar, por më pas u mësua se Ujësjellësi i Prrenjasit menaxhohet nga “dishepulli” i Taulant Ballës, kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra. E pyetur për gazetën “Telegraf”, kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira, tha se “këto lidhje kanë që në kohën e ish-kryetarit të komunës Rrajcë, Haxhi Çollaku, sot kryetar i Partisë Socialiste i Bashkisë Prrenjas”. Ky ish-kryetar komune, në kohën kur ishte vetë i parë, edhe pse Rrajca digjej për ujë të pijshëm, mori dy tuba të mëdha piratë nga tubi kryesor i ujësjellësit të Qafë-Thanës. Më vonë, krijoi një fabrikë në kushte teknike të këqija, një tip barake, si ajo e Gërdecit. Burimi Qafë-Thana është i vetmi ujësjellës i madh i bashkisë Prrenjas që mban qytetin, Rrajcën, Urakën, Katjelin, Kotodeshin, Prrenjas Fshatin dhe Rashtanin me ujë. Më tej Rira thotë se fabrika e ujit Qafë-Thana është kallëzuar disa herë, por është e kamufluar qëllimisht nga deputeti i zonës Taulant Balla. Fitimi është i madh, sepse është njësoj sikur ta marrësh ujin nga tuneli direkt, ta ambalazhosh dhe ta shesësh. Bashkia Prrenjas ka bërë kallëzim penal për këtë dy herë rresht dhe në dy rastet është pushuar çështja. Në kohën e verës, ka shumë banorë që s’kanë ujë të pinë, ndërsa fabrika vjedh ujë natë e ditë, ambalazhon ujë për biznese dhe për llogari të vet. Qindra e mijëra njerëz mbeten pa ujë të pijshëm për shkak të kësaj fabrike, mafia e ujit ka rregulluar gjithçka. Ky kamuflim ka ndodhur dhe me argumentin se gjoja tubi ku merret uji është i ndërmarrjes sha Librazhd, meqenëse ujësjellësi Prrenjas-Librazhd nuk është ndarë akoma. Pra, afera është më e madhe, sepse për këtë aferë ka pasur dijeni dhe e ka mbrojtur edhe drejtori i sha Librazhd, Agron Gega, por siç duket është kryetari i bashkisë së Librazhdit që drejton sh.a. Librazhd. Në kushte të tilla, çështja është mbyllur gjithmonë. Për më tepër, në një nga mbledhjet e fundit të basenit të Shkumbinit Elbasan, i është dhënë leje këtij subjekti që të ndërtojë një fabrikë uji bash në hyrje të tunelit të Qafë-Thanës. Pra vjedhja do jetë akoma më e madhe dhe për këtë mban përgjegjësi ish-prefekti i Elbasanit, Ardit Demiri, i cili po ashtu ka qenë dhe është kryetar i PS Elbasan. Kjo leje për fabrikë uji, jo më duke vjedhur një km më poshtë, por në hyrje te tunelit, është një tjetër shkelje flagrante. Rira tha se ky është një rrjet merimange i kryetarit të PS Prrenjas, kryetarit të PS Elbasan, deputetit Balla dhe i kryetarit të bashkisë Librazhd, po ashtu i PS. “Rama bën propagandë për ujin, por harron se ata që vjedhin më shumë atë, janë deputetët dhe kryetarët e tij të Partisë Socialiste”, përfundon Rira. Por më i çuditshëm është fakti se edhe pse janë dy ujësjellës të ndryshëm, çuditërisht Kastriot Gurra nuk lejon që të ndahen, por do të vazhdojnë të jenë pjesë e të njëjtës sh.a., sepse kështu mund të garantojë abuzimin e shefit të tij të madh të PS dhe kryetarit të vogël të PS së Prrenjasit. Në këtë kohë të aksionit politik, Edi Rama duhet ta ketë të qartë, se ata që vjedhin më shumë janë kryetarët e partisë së tij, siç është rasti i kryetarit të PS të Prrenjasit, Haxhi Çollaku.