Kryebashkiakja Koka, pjesëtare e lëvizjes “Rilindja e re” e PS, plan bojkotimi takimit me kreun e partisë

600
Sigal

 

Rama të shtunën në Sarandë, nis anti-mitingjet për të thyer lëvizjen “Rilindja e re” e PS

 

Kryetarja e bashkisë Floriana Koka, plan bojkotimi takimit dhe ngujim në bashki me celulën e saj anti-Rama

 

Duket se një erë e mirë po fryn për socialistët e ndershëm, por takimi i Ramës në Sarandë, duket se do të jetë një “tajfun” për kryetaren e bashkisë së Sarandës dhe për mbështetësit e saj të joshur me poste klienteliste brenda dhe jashtë bashkisë

Burime nga Partia Socialiste e Sarandës dhe nga bashkia, bëjnë me dije për gazetën”Telegraf”, se ditën e shtunë, datë 17 dhjetor 2016, në qytetin bregdetar ku ka lindur dhe po vepron lëvizja “Rilindja e re” me drejtuese zonale kryetaren e bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, do të shkojë për takim “karshillëku” e tregues fuqie komanduese mbi socialistët, kreu i “Rilindjes” së vjetër  të PS, kryetari Edi Rama, së bashku me grupin e tij të ministrave dhe deputetëve të besuar. Kreu i PSSH dhe njëherazi kryeministër i Shqipërisë, zoti Edi Rama, do të jetë në qytetin e Sarandës, për të zhvilluar një takim me socialistët e rebeluar të bashkive Delvinë, Finiq, Himarë, Konispol e Sarandë, shumica e të cilëve janë zhgënjyer prej “Rilindjes Rama” dhe janë rreshtuar në “Rilindjen e re” anti-Rama, duke pasur si “menaxhere” të zonës, kryetaren e bashkisë së Sarandës, zonjën Floriana Koka. Po nga këto burime brenda PS e brenda bashkisë Sarandë, mësohet se Rama vjen i alarmuar në qytetin e jugut, pas lëvizjes së ish deputetit Kokëdhima. Kujtojmë që Saranda është cilësuar si kryeqendra e kësaj lëvizjeje për rilindjen e re të PS, por edhe sepse kryebashkiakët e kësaj zone, janë produkt i përzgjedhjes së bërë nga ish deputeti i sulmuar prej grupit “Rama”. Mirëpo Rama ka dijeni të plotë për acarimin e bazës socialiste në Sarandë e zonën e krejt jugut të Shqipërisë, për shkak të talljes së bërë prej kupolës së PS; me mashtrime për vende pune, për shkak të korrupsionit në shërbimet publike, për shkak të shpërfilljes së qytetarëve prej administratës së bashkisë e  të qeverisë dhe për shkak të premtimeve për zgjidhje social-ekonomike, të cilat u premtuan me bujë, por nuk u realizuan në këto 3 vite e gjysmë pushtet të “rilindësve”. Drejtues të lartë të PS, të afërt të stafit të Edi Ramës, kanë qenë ditët e fundit në qytetin jugor, duke shërbyer si “pararojë” e kryetarit Edi Rama, për testuar sitatën brenda strukturës së PS, për të thithur shqetësimet e socialistëve të ndershëm e të braktisur, por edhe për të “zbuluar” se çfarë bëhet në kampin armik brenda PS, rezidenca e të cilëve është bashkia dhe zyra e kryetares Floriana Koka dhe zyrat e ish-komunave, tashmë njësi administrative, në krye të të cilave janë emëruar “misionarët” e zonjës Koka dhe të klanit të saj anti-Rama. Ajo që shqetëson socialistët e Sarandës është nepotizmi në administratë, mbajtja në punë në drejtimin e bashkisë, të arsimit e të zyrave të tjera në Sarandë e më shumë se 24 pensionistëve, presioni i kryebashkiakes Floriana Koka për të mbështetur lëvizjen e re reformuese, duke i dërguar me detyrim punonjësit e bashkisë në mbledhjet anti-Rama, shkeljet financiare me tenderët dhe plane tatimesh duke i shkaktuar shtetit dhe taksapaguesve miliona lekë dëme. PS-ja bën me dije, se do të punojë fort, për t’u rikthyer socialistëve dhe banorëve të Sarandës shpresën e mbërthyer nga oktapodi nepotik. Duket se një erë e mirë po fryn për socialistët e ndershëm, por takimi i Ramës në Sarandë, duket se do të jetë një “tajfun” për kryetaren e bashkisë së Sarandës dhe për mbështetësit e saj të joshur me poste klienteliste brenda dhe jashtë bashkisë.