Kryebashkiakja Ademi: Qeveria diskriminon Shkodrën

617
Gjendja e banorëve në zonat e përmbytura është dramatike, ndërkohë që luhet ping pong politik 
Në Shkodër gjendja e banorëve në zonat e përmbytura është mjaft dramatike. Niveli I ujit po ngrihet vazhdimisht, shtëpitë janë përmbytur, rrugët janë të pakapërcyeshme nga uji, banorët kanë humbur edhe pasuri, bagëtitë rrezikohen edhe nga mungesa e ushqimit. 

Kryebashkiakja e Shkodrës replikon publikisht me qeverinë
Kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi i është përgjigjur zv/kryeministres Mesi, e cila theksoi në një deklaratë për mediat se nuk do të shpallet emergjenca, por do të shtohen ndihmat. Kryebashkiakja Voltana Ademi deklaroi: “Sot mendoja se do të më duhej të dilja para mediave për të njoftuar shpalljen e emergjencës civile nga qeveria shqiptare për zonat e përmbytura. Të gjitha indikacionet ishin se sot, Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile në Tiranë, do të shpallte gjendjen e emergjencës civile pjesore në zonat e përmbytura të Bashkisë së Shkodrës. Pas kërkesës time të datës 5 mars 2018 në Komisionin e Emergjencave Civile të Qarkut dhe dërgimit të saj në instancat qeveritare në Tiranë me 9 mars 2018, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile të Republikës Shemsi Prençi dhe prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja që kërkuan shpalljen e emergjencës civile. Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë.

Më e keqja është se këtë përgjegjësi të rëndë refuzuese të një të drejte legjitime të banorëve në zonat e përmbytura, ia lanë një bashkëqytetareje, e zgjedhur deputete edhe me votat tuaja. Këtë herë Shkodrën qeveria ka vendosur ta dënojë duke përdorur një shkodrane dhe kjo, të gjithëve ne, na lë një shije të keqe. Vendimet e marra nga Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile në fakt, janë vetëm përsëritje e asaj, që të gjithë bashkë po kërkojmë dhe po bëjmë prej 3 javësh në territor: Të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për banorët dhe ujë të pijshëm; të shtohet furnizimi me bazë ushqimore për gjënë e gjallë si dhe të shtohen forcat në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre. Edhe këto gjoja vendime, janë vetëm një tallje për banorët në zonat e përmbytura. Vendimin e sotëm të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile në Tiranë, do ta konsideroja një turp të madh dhe nëpërkëmbje e qytetarëve dhe institucioneve të tyre përfaqësuese në nivel vendor. Me keqardhje më duhet ta pohoj publikisht se vendimi i sotëm, është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj. Me këtë dalje publike, dua të siguroj banorët në zonat e përmbytura se do të vazhdojmë të jemi pranë tyre siç kemi qenë deri më tani. Po ashtu, do të jemi të parët dhe përkrah tyre, për të kërkuar dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara, të cilat kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve dhe keq menaxhimit të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.
Sigal