Kroaci, Kodheli merr pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Europës Juglindore

511
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve Europës Juglindore, i cili u zhvillua në Dubrovnik të Kroacisë. Ministrja Kodheli në fjalën e saj theksoi se kjo nismë është e rëndësishme dhe e suksesshme për ndërtimin e besimit dhe sigurisë në zonën e Europës Juglindore. SEDM-i ka forcuar marrëdhëniet mes vendeve të rajonin tonë. Më tej, ministrja e Mbrojtjes Kodheli theksoi se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimet e SEDM-it dhe SEEBRIG-ut, mjedisi i sigurisë po ndryshon me shpejtësi, rrjedhimisht organizata jonë ka nevojë të koordinojë më mirë prioritetet e saj strategjike në “realitetin e ri botëror”. Në këtë drejtim, – vijoi më tej ajo, – SEDM-i duhet të zhvillohet më tej në bazë të interesave tona të përbashkëta dhe mirëkuptimit për atë që duam të arrijmë. Është krejt normale që të jemi më ambicioz për të ardhmen e SEDM-it. Në një kohë vështirësish financiare, me shkurtime të konsiderueshme në sektorin publik, ne duhet të shpjegojmë për publikun çfarë, ku dhe sa efikase është mënyra se si shpenzohen burimet që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ministrja Kodheli sheh si të nevojshëm eksplorimin e mënyrave dhe mundësive të reja se si vendet tona mund të kontribuojnë konkretisht në familjen euro-atlantike, e cila përballet me sfida dhe kërcënime të reja në Lindje dhe në Jug. “Unë e vlerësoj propozimin e Turqisë dhe punën e kryer, me qëllim nxitjen e perceptimit dhe gatishmërisë së SEEBRIG-ut duke e vënë atë potencialisht në dispozicion të një Grupi Kuadër të NATO-s (NATO Frameëork Grouping). Në takimin tonë të fundit Shqipëria ka theksuar që SEEBRIG-u duhet të jetë “një njësi e vërtetë” dhe ne jemi të lumtur të vërejmë që Brigada jonë ka shanse për të pasur një kapacitet të qëndrueshëm dhe realisht operativ”, nënvizoi ajo. Shqipëria, vijoi ministrja Kodheli, në të gjitha angazhimet në SEDM, ka theksuar përkushtimin ndaj “politikës së dyerve të hapura”, si një shtysë e madhe për zhvillimin tonë dhe për të ardhmen. Përpjekjet tona të përbashkëta janë për të garantuar që të gjithë njerëzit të mund të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne nuk dëshirojmë të shohim ndarje të reja, apo izolim të ndonjë vendi. Sipas saj, izolimi sjell ndarje, pasiguri dhe krijon tensione, dhe ne besojmë fuqishëm në vlerat dhe parimet tona demokratike. SEDM-i, si një iniciativë rajonale është krijuar në vitin 1996 dhe paraqet një proces të bashkëpunimit midis Ministrive të Mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Në këtë iniciativë rajonale marrin pjesë pesëmbëdhjetë shtete si anëtarë të plotë të dhe një shtet vëzhgues.
Sigal