Kriza politike, Vasili në gjurmët e Metës: Jemi gati për çdo sakrificë, lëmë edhe postet tona

70
Kreu i LSI-së Petrit Vasili ka deklaruar se kjo forcë është gati të heqë dorë nga të gjitha postet në funksion të një zgjidhjeje për krizën politike në vend. Vasili ka afirmuar kështu atë që edhe më parë ish-kreu i kësaj force, sot President i zgjedhur i Republikës e ka pohuar edhe më parë.
“Sigurisht është një situatë krize politike. Këtë nuk kemi arsye pse ta fshehim. Është një krizë që kërkon maturi dhe largpamësi. Maturi për t’u menduar dhe largpamësi për të kuptuar efektin e veprimeve të sotme për të ardhmen e vendit. Ndaj ne kemi inkurajuar çdo zgjidhje që siguron zgjedhje të lira dhe me standarde. Edhe dje kam theksuar me gatishmëri e sinqeritet që në funksion të kësaj zgjidhjeje kemi vënë të gjitha postet tona në qeveri. Kam afirmuar zgjidhjen që ka dhënë zoti Meta më parë. Asnjë sakrificë nuk është më e madhe se rëndësi e zgjedhjeve me standarde e të lira. Ky ka qenë dhe mbetet pozicioni ynë edhe në moment edhe në ditët në vijim”, deklaroi Vasili.

I pyetur për propozimet që maxhoranca i ka ofruar opozitës, duke qenë se LSI nuk ka qenë pjesë e negociatave të djeshme, Vasili tha se është njohur me variantin e zgjidhjes duke e cilësuar realist.

“LSI, siç e cituat në mënyrë korrekte nuk ka qenë pjesë e këtij negocimi. Ka qenë negocim biletaral. Jemi njohur sigurisht me variantin e zgjidhjes, nuk do më pëlqente ta quaja ofertë, variantin e ofruar nga PPE. Ka qenë variant realist që hapte hapësira për zgjidhje, i jepte garanci të rëndësishme PD-së që ajo të bëhej pjesë e procesit dhe jo rastësisht propozimin për t’iu drejtuar PPE-së e ka bërë zoti Meta”, tha Vasili.

Ai u shpreh se do ishte e mirëpritur sërish që PPE të thoshte fjalën e saj për ta bërë zgjidhjen më të pranuar.

“Mendoj se sërish do ishin të mirëprituara që Partitë Popullore ta thoshin fjalën e tyre sepse e bën çdo zgjidhje më të pranuar.

Stabiliteti i vendit, e ardhmja e tij që lidhen vetëm me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kërkon dhe do kërkojë sakrifica. LSI ka qenë e gatshme, ne kemi qenë të gatshëm për t’u vënë në dispozicion maksimalisht në funksion të zgjidhjes”, theksoi kreu i LSI-së Petrit Vasili.