Kriza, mbyllen shtigjet për negociata mes palëve

502
Replika dhe akuza mes qeverisë dhe opozitës në limitet kohore të regjistrimit në KQZ. Basha: Rama, në orët e fundit si kryeministër
Partia Demokratike është shfaqur e vendosur për të mos u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve , ndërsa Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama është në orët e tij të fundit si drejtues i qeverisë. Të dy politikanët replikuan në distancë dhe nuk i kursyen akuzat për krizën politike që po mban të mbërthyer vendin. Ndërkohë hapësira për të biseduar mes palëve duket gjithnjë e më e vogël, ndërsa opozita kërkon ngritjen e një qeverie si kusht për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Afati për regjistrim në KQZ mbaron mbrëmjen e sotme dhe opozita ka konfirmuar se nuk do të dërgojë dokumentacionin përkatës. 

Akuzat e Ramës
Në komunikimin javor në “Facebook”, kryeministri Edi Rama nuk la asnjë shteg për negocim të shtyrjes së zgjedhjeve. Ai akuzoi ata që nuk duan 18 qershorin, se nuk e duan bashkimin e Shqipërisë me Evropën, por me kundërshtarë të saj. “Pse mendoj që në Shqipëri po merr pak formë një qasje e re politike ndaj BE-së. Një qasje që i bie ndesh përpjekjes së hershme të shqiptarëve mendjendritur, rilindësve tanë, martirëve tanë, heronjve të luftës dhe punës apo atyre që u torturuan e sakatuan në burgjet e diktaturës. Një qasje që i bie ndesh edhe përpjekjes popullore që mori hov në lëvizjen e dhjetorit ’90 e që përcaktoi politikën e këtyre 27 viteve për një Shqipëri si gjithë Evropa. Është një qasje që merr formë përditë si pasojë e frikës nga zbatimi i reformës në Drejtësi. Atëherë nuk ka asnjë shans që BE të na pranojë si të denjë në tryezën e negociatave për anëtarësim”, tha Rama. Sipas tij, frika nga drejtësia që do të rilindë patjetër sapo të nisë spastrimi i prokurorëve e gjykatësve të korruptuar përmes Vetingut i dha jetë çadrës ku është ngujuar PD. “Frika nga drejtësia po i jep jetë qasjes destruktive të PD-së ndaj procesit demokratik në Shqipëri e ndaj procesit të integrimit të plotë evropian të Shqipërisë. Frika nga drejtësia e ka kthyer ditën e gjykimit të popullit më 18 qershor në një ditë që politikanët e korruptuar në çadër nuk duan të vijë kurrë. Nuk e duan 18 qershorin sepse kjo datë ndan Shqipërinë që lufton për drejtësi e për punë të ndershme, për shtet e për mirëqenie për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga Shqipëria e drejtësisë se kapur, pa shtet e pa barazi para ligjit”, u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.

Kryeministri nënvizoi se opozitarët janë gati ta sakrifikojnë Shqipërinë, nuk e duan 18 qershorin, sepse në këtë datë populli do të vendosë jo për qeverinë e 4 viteve të ardhshme, por për Shqipërinë që duam për fëmijët e të moshuarit. “Janë gati ta marrin peng popullin e Shqipërisë. Nuk e duan 18 qershorin, ditën e gjykimit të popullit sovran për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë edhe partnerëve tanë të mëdhenj: Nëse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave që bëjnë shtet apo të rikthehet në rrugën e paligjshmërisë dhe rrëmujës. Kemi humbur shumë kohë e energji për njerëzit e këtij vendi dhe janë gati ta hedhin në erë urën që me zor kemi ngritur për 27 vite me radhë për të shkuar në Evropë”, tha Rama. Sipas tij, ata që nuk e duan 18 qershorin dhe që duan të dalin mbi popullin janë gati të dalin me interesat kombëtare të Shqipërisë dhe janë gati të na ndajnë edhe një herë për së gjalli nga Evropa e lirisë, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror. “Janë gati të bashkohen me kundërshtarët e BE-së, në rajon e Evropë, në Perëndim e Lindje se e duan Shqipërinë si çiflig pandëshkushmërie, e duan Republikën me një Kushtetutë si libër pa kuptim. I duan ligjet si letra pa vlerë”, u shpreh kryeministri.

“18 qershori do sjellë një vendim të qartë: O me Evropën, o me frikën nga Evropa, o me drejtësinë, o me tmerrin nga drejtësia, o me reformat për të bërë shtet, o me pallavrat që çojnë në rrëmujë, o me rritjen ekonomike, o me zhytjen në batak, o me një qeveri që lufton çdo ditë, ose me një qeveri që na kthen në të shkuarën, o me Shqipërinë që duam, o me Shqipërinë që kishim”, tha Rama.

Reagimi i Bashës
Pak sekonda pasi Edi Rama mbaroi rubrikën “Komunikimi i Javës”, Lulzim Basha i dha përgjigje nga protesta e PD përballë kryeministrisë. “Çdo të diel, në vetminë e tij, këndon monologu e bilbilit. Rama tha sot, se të bësh zgjedhje fasadë, është patriotike, duke treguar se ai ka nevojë për ilaçe”, tha Basha.

Lideri i opozitës tha se Rama, duke qenë në orët e fundit në karrigen kryeministrore, po i fryn përçarjes së shqiptarëve. “Të ndalësh demokracinë me krim dhe drogë nuk është aspak patriotike dhe të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme nuk është aspak anti-evropiane. Anti-evropian është vetëm projekti i Ramës për kapjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve”, tha Basha. Lulzim Basha përsëriti se Partia Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet që ai i quajti fasadë. “Na jep KQZ-në, por çfarë duhet ajo kur ti ke krimin, drogën dhe policinë që e ke shndërruar në repart ushtarak të krimit”, iu drejtua Basha, Kryeministrit Rama nga çadra. “Nuk ka e nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të qeverisë së krimit dhe korrupsionit. Na jep KQZ-në, por çfarë duhet ajo kur ke krimin, drogën dhe policinë që e ke shndërruar në repart ushtarak të krimit. Nuk regjistrohemi për zgjedhje fasadë”, tha Basha. Ai shtoi se kryeministri ka humbur lidhjet me realitetin, jeton në flluskën e tij, i rrethuar me milionat e korrupsionit.

Kryetari Lulzim Basha tha se vendi është zhytur në mjerim për shkak të keqqeverisjes dhe vjedhjes së parave të taksapaguesve nga një grusht oligarkësh. “Sot realiteti shtyp ëndrrat tuaja, shpresat, xhepat tuaj, dhe është në fakt e keqja që po ikën. Ajo që kemi në shpirt dhe në mendje së shpejti do të jetë realitet. Jemi në një moment të veçantë, të psikologjisë dhe mendimit. Jemi në momentin kur të gjithë e kuptojnë që ajo që s’ka ardhur akoma, por që është nisur dhe do të vijë shpejt, është shpresa dhe ëndrra e gjithsecilit prej nesh, që ne e quajmë Republika e Re”, tha kreu demokrat. Basha tha se qendresa e qytetarëve është edhe garancia e fitores së kauzës për zjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që ka kohën e mjaftueshme për të pjekur kushtet e nevojshme.

“Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe evropiane. Ne jemi kudo, demokratë e socialistë, një gjë nuk durojmë dot dhe do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin. Kjo që po jeton orët e fundit, së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë. Gjithçka do të ndryshojë, falë kësaj lëvizje, falë kësaj qëndrese”, tha kryedemokrati Basha.

Afati
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar ditën e sotme si përfundimtare për të ppranuar kërkesat e regjistrimit për votimet e 18 qershorit. KQZ do të mblidhet sot për të regjistruar partinë e Spartak Ngjelës “Ligj e Drejtësi” dhe “Sfida për Shqipërinë”, të themeluar nga Gjergj Bojaxhiu. Megjithatë opozita mbetet e paregjistruar në zgjedhje, ndërsa nuk është përjashtuar mundësia edhe e një shtyrjeje të afatit për më 19 prill, një hap ende i pakonfirmuar.
Sigal