Kriza e madhe ekonomike/ Në 2018-n humbën punën 17 mijë shqiptarë, ndërkohë që administrata u “fry” me 15 mijë militantë provizorë

386
Sigal

Ndërkohë që administrata publike është “fryrë” me mbi 15 mijë nëpunës në qeverisjen e ‘Rilindjes’

17 mijë shqiptarë humbën punën në fund të vitit 2018

Jakup B. GJOÇA

Në vitin 2-13 administrata publike kishte rreth 97 mijë nëpunës, ndërsa në vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, administrata publike është “fryrë” me mbi 15 mijë nëpunës të tjerë, ndërkohë që dhjetëra mijë nëpunës janë larguar nga puna, dhe janë zëvendësuar me të tjerë. Njëfarësoj, është bërë spastrimi (partiak) i administratës publike, për të larguar të gjithë ata nëpunës që nuk konsiderohen nga partia, “tanët” dhe u punësuan militantët, me kriterin e vetëm, kontributin e tyre elektoral. Një shembull i qartë është se qindra vendime gjyqësore janë marrë për paditë që kanë bërë të larguarit nga administrata publike dhe kanë fituar gjyqet, për shkak të largimeve në kundërshtim me ligjin, duke e detyruar shtetin të dëmshpërblejë të gjithë nëpunësit e larguar në kundërshtim me ligjin.

Premtimi i 350.000 të reja, i harruar

Premtimi i madh elektoral i PS në 2013-n ishte se do të hapte 350.000 vende të reja pune. Kjo shifër nuk u arrit kurrë, jo vetëm në mandatin e parë, por as edhe deri më sot, në 6 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste.

Falimentimi i bizneseve, mijëra punëtorë flaken në rrugë

Mbyllja masive e bizneseve si pasojë e krizës ekonomike dhe rritjes së taksave ka filluar të japë efektet e para të forta në tregun e punës. Instituti i Statistikave, një organ në varësi të qeverisë, pranoi se në tremujorin e katërt të vitit të kaluar humbën vendin e punës mbi 17 mijë shqiptarë, kryesisht të punësuar në bizneset private, duke dalë në rrugë si të papunë. Sipas INSTAT, nga 1 milionë e 152 mijë vetë që ishin të punësuar në tremujorin e tretë të vitit 2018, në tremujorin e katërt shifra u ul në 1 milionë e 135 mijë vetë. Kjo do të thotë se në vetëm tre muaj, mbi 17 mijë shqiptarë kanë humbur punën dhe tani janë të papunë. Të dhënat i përkasin burimit administrativ, pra janë nxjerrë nga listëpagesat e të punësuarve që bizneset dorëzojnë tek tatimet, çka përbën dhe treguesin më të besueshëm të punësimit.

Të dhënat e INSTAT

Të dhënat e detajuara nga INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e atyre që kanë humbur punën në tremujorin e fundit janë të punësuarit në bizneset private, çka tregon se mijëra biznese, kryesisht ato të vogla kanë mbyllur aktivitetin duke falimentuar. Sipas INSTAT, vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2018 numri I të punësuarve në bizneset private u ul me 10 mijë vetë duke zbritur në 508 mijë vetë në fund të dhjetorit, nga 518 mijë vetë që ishte në tremujorin e tretë. Veç të punësuarve në biznese, rënie kanë shënuar edhe atë në sektorin bujqësor, ku numri i të punësuarve u ul me 9 mijë vetë krahasuar me tremujorin e tretë. Vitin e kaluar qeveria uli pragun e xhiros për bizneset që paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar nga 5 milionë lekë në vit në 2 milionë lekë. Kjo masë, e cila u kundërshtua fuqishëm nga bizneset por edhe FMN, detyroi 11 mijë biznese të vogla, të cilat më parë ishin të përjashtuar nga TVSH, të paguajnë 20 për qind për çdo vlerë të shtuar që realizojnë. Të dhënat e punësimit tregojnë se për shumë nga këto biznese, ulja e kufirit të TVSH-së ka rezultuar fatale duke çuar në mbylljen e tyre dhe nxjerrjen e 17 mijë vetave të papunë.