Kriza dhe negociatat Rama-Basha, ofensivë diplomatike në Tiranë

508
Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë e Holandës do të takojnë palët në konflikt. Pritet edhe negociatori nga Parlamenti Evropian 

Një ofensivë e vërtetë diplomatike pritet këtë të hënë në Tiranë për të mundësuar lehtësimin e dialogut mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, pas disa javësh tensioni të lartë politik dhe akuzash të ashpra mes palëve. Partia Demokratike nuk është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në votimet parlamentare të 18 qershorit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Shefi i mazhorancës e ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke deklaruar se do të shkojë drejt zgjedhjeve edhe pa praninë e Partisë Demokratike. 

Gjermania do të investohet për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në Shqipëri, që rrezikon të rëndohet në ditët e ardhshme për shkak të kalimit të disa afateve kohore të lidhura me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, do të jetë sot në Tiranë, pas vizitave të zhvilluara në javën e shkuar në Serbi dhe Kosovë. Ndonëse vizita është pjesë e një turi rajonal të kryediplomatit gjerman, takimet e tij në Tiranë do të fokusohen te kriza e brendshme politike. 

“Ne duam që të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt funksionimit të shtetit juridik, stabilitetit dhe mirëqenies”, theksoi Gabriel para nisjes së turit. “Bashkëbiseduesit e mi do t’i siguroj se rruga e anëtarësimit në BE mbetet e hapur, nëse bëjnë përparime dhe vazhdojnë të realizojnë reformat, në vend të tendosjeve dhe përçarjeve”, tha kryediplomati gjerman dhe aleati politik i kancelares Merkel, me të cilën ai ndodhet në bashkëqeverisje. Gabriel është ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë dhe kryetar i SPD-së (Partisë Socialdemokrate), aleate në qeverisje.

Sipas burimeve diplomatike, në takimet me krerët më të lartë të shtetit dhe drejtuesit e opozitës, ministri i Jashtëm gjerman pritet të përsëritë thirrjen për zgjidhjen e krizës në institucione dhe ndërprerjen e bojkotit parlamentar për të mos penguar edhe zbatimin e reformës në drejtësi. Në të njëjtën kohë, kryediplomati gjerman pritet të theksojë edhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe avancimin e procesit të integrimit. 

Ndërkohë në Tiranë do të jetë sot edhe ministri i Jashtëm i Holandës, Bert Koender, ndërsa me interes pritet edhe angazhimi i një tjetër politikani të rëndësishëm. Një ndër negociatorët më të përshtatshëm cilësohet David McAllister, eurodeputet gjerman, i cili nga marsi mban postin e kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. McAllister ka shprehur gatishmërinë për të bërë ndërmjetësim mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, por më parë palët duhet të bien dakord për modalitetet e tryezës. I vetmi kusht i tij, mësohet se është që palët të jenë paraprakisht dakord me atë çfarë do të diskutohet në tryezë.

Kriza politike në Shqipëri po ndikon jo pak edhe tek të huajt, të cilët po bëjnë përpjekje që të ulin në një tryezë kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit, Ilir Metën dhe kreun e PD-së Lulzim Bashën. Pas ngecjes së negociatave për t’u ulur në një tryezë me ndërmjetës Presidentin e Republikës, palët kanë aktivizuar të deleguarit e tyre për të negociuar një tjetër takim, por përveç tyre pritet të aktivizohen edhe disa negociatorë të huaj.
Sigal