Kritikat e Edi Ramës dhe disa deputetëve të PS-së kundër Kryetarit të LSI-së

537
Sigal

Nga faqja zyrtare e PS-së, tashmë janë hequr të gjitha kritikat e deritanishme, që Kryetari i saj Edi Rama dhe deputetët e PS-së, i kanë bërë Ilir Metës. Meqë, sikurse tha edhe Kryetari i LSI-së, që me të kaluarën historike të PS-LSI do të merren historianët e arkeologët, po risjellim disa nga këto kritika. Edi Rama  midis të tjerave, e ka cilësuar Ilir Metën  si “ matrapaz i votave të opozitës”, ndërsa  Ilir Meta ia ka kthyer përgjigjen: “klani të qartë kriminal dhe mafioz”.

Edi Rama, 12 janar 2011 Video skandali, fytyra e pushtetit të vjedhur

Ndërsa sot, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, Kryeministri  Berisha dhe zëvendësi i tij, Iliri, kusari i zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë. Mbrëmë u pa e u dëgjua, botërisht, një episod prej pak minutash, lidhur me lumin e me llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit e rulave të tjerë të këtij pushteti, që prej vitesh, ka bërë e po bën kërdinë me HEC-et e me TEC-et, e me bregdetin, me minierat e me pronat e patundshme të shtetit, me çdo pasuri të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Edi Rama, 14 janar 2012

Ilir Meta, pret në shtëpi vendimin e gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë për disa vite burg si pasojë e një skandali të bujshëm korrupsioni botërisht të njoftuar në mediat e mbarë planetit.

Edi Rama, 18 Janar 2011 Koalicioni i Turpit s’mund të jetë qeveria shqiptarëve

Saliu po vazhdon të provokojë, madje përditë e më rëndë, më trashë, më paturpësisht, popullin e tërë duke mos dashur të pranojë se Ilir Meta është prasi i kapur në dorën e tij dhe duke ju sulur opozitës si i marrë me prasin në dorë.

Piro Lutaj, 20 Nëntor 2010

Si ka mundësi që politikanë si Ilir Meta të jenë sot ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri? Si ka mundësi që duke qenë deputet apo ministër të kesh prona anembanë si rrallë biznesmenë të tjerë? Përse Ilir Meta hesht dhe çfarë ka për të thënë për shtëpinë në ish-Bllok, apo për vilën në Gjirin e Lalzit?

Taulant Balla,  27 Nëntor 2010

Ne kemi identifikuar dy pasuri të Ilir Metës me një vlerë prej 1.7 milion eurosh që i përkasin, i zotëron dhe i shfrytëzon, por nuk i deklaron Ilir Meta. Në ditët në vijim do të fillojmë të zbardhim për shqiptarët një aferë shumë të rëndë korruptive, ku Ilir Meta është vendosur nën hyqmin e sekserit serb Damir Fazlliç.

 Taulant Balla, 5 Shkurt 2011

Të gjithë e dinë dhe askush nuk mund të harrojë që Ilir Meta është sot shëmbëlltyra e korrupsionit, hajdutërisë dhe kusarisë së kësaj qeverie. Video e Ilir Metës me bllok në dorë u ka konfirmuar sot të gjithë shqiptarëve se, ky pushtet i Sali Berishës i shartuar me Ilir Metën është pushteti që pasi vodhi votat e shqiptarëve, tanimë po vjedh çdo shqiptar të ndershëm.

Ermonela Felaj, 9 Shkurt 2011

Fotografia e fundit që historia do mbajë mend për Ilir Metën, është ajo me bllokun e korrupsionit në dorë, duke ndarë paratë e pista të korrupsionit dhe këtë nuk mund ta ndryshojë dot sado të mundohet të bëjë të ndershmin në konferenca shtypi.

Eduard Shalsi, 15 Janar 2011

Matrapazi Ilir Meta dhe bosi i tij Sali Berisha mendojnë se mund të vazhdojnë të tallen me shqiptarët, por gabojnë dhe përgjigjen do e marrin nga vetë shqiptarët në 21 janar. Pasi një gjë është sot e qartë: ka ikur matrapazi Ilir Meta, por nuk ka ikur blloku i pisllëqeve që është në dorën e Sali Berishës.

Saimir Tahiri, 14 Gusht 2010

Ilir Meta në shërbimin e tij të radhës, ka firmosur dhe dërguar pranë departamentit Amerikan të Shtetit tekstin e shkruar nga Sali Berisha, që si fryt i mediokritetit e fodullëkut politik të këtij pushteti të korruptuar, kanë menduar një komplot e puç diplomatik qesharak, me synim për të hequr qafe ambasadorin e një vendi mik që për Sali Berishën dhe Ilir Metën përbënte vetëm pengesën e radhës.

Arta Dade, 2 Shkurt 2013

 BE e shqetësuar  me luftën e zbehtë kundër korrupsionit, që kulmoi me publikimin e video-skandalit të ish-zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta.

Bendi Klosi, 23 Nëntor 2009

Astrit Patozi dhe Ilir Meta, u vunë sot në garë, kush i tregon më shumë dhëmbët popullit opozitar.

Armando Subashi, 16 Korrik 2010

1.8 milion eurot e ministrit Prifti janë veç maja e ajsbergut të korrupsionit, ku është kredhur qeveria Berisha-Meta.

Ilir Meta 13 janar 2011

Kjo regji mafioze nuk është thjesht e çimkës në fjalë, por është e një klani të qartë kriminal dhe mafioz, i cili sot kontrollon Edi Ramën dhe lidershipin e Partisë Socialiste, përmes shantazheve dhe aferave që ka bërë, i cili e ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar, dhe i cili kërkon që me çdo kusht këtë lavatriçe dhe vazhdoi ta përdorë për të pastruar paratë edhe pas 8 majit dhe ta kthejë të gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të krimit të organizuar. Unë, sikurse e shikoni, qartësisht ndjehem absolutisht i privilegjuar që të mbetem i njëjti person, me të njëjtin karakter në shërbim të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, të lirive dhe të drejtave të tyre, por edhe me një karakter që do ta ndihmojë Partinë Socialiste të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është uzurpuar dhe se çfarë metodash të ulëta, manipulative, tërësisht të regjizuara në mënyrë mafioze do të përdorë dhe kërkon të marrë pushtetin.