Kristo: Shqiptarëve u ka vajtur ku s’mban më, partitë bëjnë fushatë për vetveten!

517
Erion Kristo, aktivisti i Shoqërisë Civile, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se demokracia jonë nuk ekziston dhe se tashmë, ka ardhur koha e lëngut, duke përdorur sarkazmën, ndaj reagimit të njerëzve vetëm në rrjetet sociale, por që nuk e shoqërojnë reagimin e tyre me veprime konkrete, edhe për probleme të mëdha, që cënojnë demokracinë tonë. Zoti Kristo, duke u munduar të shpjegojë eksodin e madh të shqiptarëve, thotë se dëshpërimi ka arritur një kulm të ri, për shkak të premtieve të qiellit. Ndaj edhe produkti i procesit zgjedhor të 21 qershorit, do të jet një shllak elektoral, për arësye se partitë s’kanë nevojë për elektorat, për të përcaktuar sundimin e tyre. 
– Zoti Kristo, cili është mendimi juaj për “Funeralin e Rilindjes”? 
– Kam përshtypjen se ju i referoheni një shkrimi të z. Ben Blushi, që ka bërë shumë bujë. Është një shkrim mllefi, por brenda suazës së politikës së sotme, është më migjenian se kurrë dhe më opozitar se sa kurrë. Lufta brenda krahut politik shfaqet më e ashpër, se sa lufta me palën tjetër.
– Meqë Shqipëria është ende në tranzicion për shkak të politikës, mos vallë “funerali” duhet t’i bëhet politikëbërjes, e cila pa dallime është ‘leuçemia’ e demokracisë sonë? 
– Demokracia jonë nuk është e sëmurë, sepse nuk ekziston. Politikëbërja në fakt është një pëgërëbërje. Po problemi nuk qëndron aty. Problemi qëndron në faktin që konsumohet, edhe pse të gjithë e dinë që është ashtu.
– Si e shpjegoni që rrjetet sociale janë mbushur me reagime, ndërsa aktorët e politikës, ata të cilëve u adresohen kritikat, heshtin? Është marrja e përgjegjësisë apo shpërfillje e plotë? 
– Rrjetet sociale shërbejnë edhe për të shfryrë tensionin. Në momentin që e thonë mendimin e tyre, njerëzit mendojnë se e kanë kryer detyrën e tyre. Ata që kemi në krye e dinë shumë mirë, se mishi u mbarua, prandaj ka ardhur koha e lëngut. Dhe s’kanë arsye për të folur, sepse janë kaluar. 
– Eksodi ekonomik i shqiptarëve i ditëve të fundit, mendoni se trajtohet me përparësi nga politika dhe shoqëria? 
– Eksodi i shqiptarëve nuk ka ndaluar asnjë ditë. Dëshpërimi ka arritur një kulm të ri, për shkak të premtimeve të qiellit. Zhgënjimi është edhe më i madh se sa më parë. Shoqëria s’e çan kokën fare, thjesht e përjeton duke e kryer. Po ta trajtonte me përparësi, ky vend do quhej i bërë.
– Çfarë e vërtete fshihet pas fjalëve boshe të politikanëve, qoftë të qeverisë, por edhe të opozitës për eksodin e shqiptarëve? 
– Në ato maja rripa-rripa…
– Meqë në këto zgjedhje do të kemi një ndarje të re territorialo-administrative dhe të zgjedhurit do të kenë pushtet më të madh, a mendoni se kandidatët janë të zgjedhurit e elektoratit? 
– Partitë politike shqiptare kanë një arritje: ato s’kanë nevojë fare për elektoratin për të përcaktuar sundimin e tyre. Ato e kanë në xhep elektoratin. Elektorati nuk përcakton asgjë lidhur me kandidatët. Por dhe kandidatët nuk përcaktojnë asgjë lidhur me elektoratin.
– De fakto, fushata zgjedhore ka filluar. Çfarë mendoni se do të kemi si garë elektorale: Parashtrim alternativash e programesh nga kandidatë, apo pinpong akuzash të ndërsjellta? 
– Sipas vaftit. Më së shumti, do kemi shllak elektoral.
– Kujt i shërben kjo lojë elektorale? 
– Pushteti është ndarë në tavolinë. Ka shumë njerëz që e dinë. Ka shitje dhe blerje: pazar i gjësë së gjallë.
– Është interesante që nga të dy krahët politikë dëgjojmë akuza për kandidatë të inkriminuar, kur ndërkohë, po këta aktorë politikë, nuk donin të futnin në Kod Zgjedhor filtra kundër kandidatëve të inkriminuar. Çfarë fshihet pas këtyre lojërave? 
– Asgjë nuk fshihet. Askush nuk fshihet. Ata tani dalin haptazi dhe ballëlartë. Na kanë vënë përfund.
– Pse kaq i vakët është reagimi i Shoqërisë Civile, por edhe i shoqërisë tonë më gjerë, për mospërfaqësimin e tyre me kandidatë, që të jenë përfaqësues të elektoratit? 
– Sepse politika, përveçse ka lejuar mbjelljen e kanabisit, ka lejuar edhe mbarështimin e shoqërisë civile, ose moslejimin e lulëzimit të saj. Në momentin që nuk ka shoqëri civile, s’ka si të ketë reagim.
– Mendoni se reagimi do të ndikojë edhe në votim, ndaj kandidatëve që janë përfaqësues të kryetarëve të partisë?
– Reagimi duhet, në të gjitha rastet. Kur nuk ke punë, tund derën – thotë populli. Reagimi kurrë nuk të lë pa gjë. Demokracia është reagim. Ata nuk duhet ta mendojnë jetën të lehtë. Ata nuk duhet të na e shkasin.
-Faleminderit!
Sigal