Sigal

Ish-kreu i KQZ-së, eksperti për çështjet ligjore, Kristaq Kume foli për për çështjen e fundit të shumë debatuar mbi vendimin e Presidentit Meta për mos dekretimin e kandidatit të propozuar nga kryeministër për ministër të Brendshëm. Kume po ashtu sqaroi se kjo çështje nuk mund të zgjidhet përmes delegimit të të drejtave të minsitrit tek zv.ministri, sic propozoi dje kryeministri Rama në grupin parlamentar. Po ashtu Kume foli mbi ngërçin në KQZ, ku ka folur për “keqshërbim të kodit” dhe “përdhunim” i tij.

Nisur nga pikëpamja ligjore e kushtetuese, cili është mendimi juaj, lidhur me vendimin e Presidentit Meta për mos dekretimin e kandidaturës së propozuar nga Kryeministri për ministër të Brendshëm?

Per mendimin tim e gjithë proçedura e nisur më le përshtypjen, ndjesinë e një procedurë të përshpejtuar paargument, e cila si e tillë paragjykon vendimin që mund të marrin institucionet përkatëse që përfshihen me rastin e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të këshillit të ministrave. Kjo sepse sipas nenit 98 të Kushtetutës, ministri emërohet dhe shkarkohet nga president i Republikës me propozim të kryeministrit brenda shtatë ditëve. Emërimi i një ministri ose procedurat për emërimin e një ministri nuk ruhen dhe duhet të fillojnë vetëm atëherë kur në postet përkatëse krijohet një vakancë, që do të thotë për rastin konkret, pasi presideni i Republikës ka dekretuar propozimin e kryeministrit për shkarkimin e ministrit të brendshëm, vakanca krijohet vetëm kur, ky dekret i presidentit të Republikës miratohet nga kuvendi i Shqipërisë. Pas kësaj lind e drejta kryeministrit që të propozojë kandidatin tjetër për postin e ministrit të brendshëm. Në të kundërt, ashtu sic praktikisht u veprua , është supozuar që rrjedha e gjërave do të shkojë  ashtu siç e mendua nga kryeministri, pra presidenti do ta dekretojë dekretin, do të kryehet vakanca e kështu më radhë. Fakti që presidenti i Republikës, siç e kërkon kushtetuta brenda 7 ditëve duhet të shprehi edhe për emërimin, dhe ndërkohë ne kemi deklaratën e tij që nuk ka bindje për kandidatët  e propozuar nga kryeministri dhe asnjë argument tjetër, arsyet pse nuk e ka bindjen, e vështirëson shumë gjykimin e  faktit nëse është i drejtë apo jo një pozicionim i tillë i presidentit Meta.

Ndërkohë që për mendimin tim, sjella e presidentit të Republikës ndaj kësaj të drejtë kushtetuese, duke mos e lexuar këtë të drejtë kushtetuese si sjellje të një noteri, për mendimin tim është normale. Nga ana tjetër edhe kjo që sapo thashë, duhet pranuar me rezerva për sa kohë që ne nuk kemi një interpretim të gjykatës kushteutese për situata të tilla. Ç’bëhet nëse presidenti Meta nuk shprehet me dekret brenda shtatë ditëve, quhet i miratuar apo jo propozimi, këtë unë s’di ta them. Këtë duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, pra jemi në kushtet kur në mungesë të dakordësive apriori për vendimarrje të mëdha midis institucioneve, gjetja  e zgjidhjeve vështirësohet për sa kohë që nuk kemi një gjykatë kushtetuese, në ketë raste mendoj që nuk është e këshillueshme sjellja e cila prodhon, siç thotë populli karshillëk ndaj njëri tjetrit, por është gjetja e zgjidhjes, që të jetë sa më e pranueshme për palët, dhe në përgjithësi sa më e pranueshme për objektin që ne kemi. Pra pasjen e një ministrie të brendshme sa më efektive dhe në shërbim vetëm të ligjit. Problemi nuk zgjidhet edhe duke emëruar të propozuarit për ministër, si zëvëndës ministër dhe pastaj delegimi i të drejtave te ky person, tek ky zëvëndësministër  i të drejtave të kopetencave të ministrit, sepse  nuk ka institucion referuar ligjit, që ta realizojë këtë delegim. Delegimin mund ta bëjë sipas kodit proçedures administrative mund ta bëjë vetëm ministri. Pra theksoj, duhet të bisedohet dhe të gjendet zgjidhja sa më afër dhe në plotësim të kërkesave të kushtetutes dhe të ligjit. Në kundërtën zgjidhja do të jetë jo efektive dhe jo afatgjatë.

Cili është mendimi juaj për ngërçin total të Gjykatës Kushtetuese dhe sa sipas jush ndikon në çështjen e mësipërme?

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka si pasojë të saj mosfunksionimin normal të shtetit ligjor i dha efektet e para të dukshme dhe të prekshme. Ne patëm mundësinë për të gjetur zgjidhje kushtetuese për problemin që sapo folëm. Mungesa e kësaj gjykate, është shkaktuar si rezultat i reformës në pushtetin gjyqësor dhe është një faturë që jemi duke e paguar. Ajo që besojmë dhe presim të realizojmë nëpërmjet reformës në sistemin gjyqësor të mund ta justifikojë ketë periudhë kalimtare me probleme në sistemit gjyqësor, jo vetëm në gjykatën kushtetuese ose gjykatën e lartë dhe kështu me radhë.

Sa sipas jush është në frymën e Kushtetutës që një Gjeneral në rezervë të jetë edhe ministër i Brendshëm?

Një qytetar që plotëson kushtet që duhet të plotësojë deputeti i kuvendit të Shqipërisë, mund të caktohet në detyren e ministrit. Edhe në rastin kur ka qënë ushtarak në gradë madhore, por tashmë është në liri. Nuk mund të caktohet në qoftë se është efektiv i forcave ushtarake. Pra nuk mund të ketë kufizimi përveç se ato që duhet të merren në konsiderate kur zgjidhesh deputet. Nëse plotëson kushtet e tjera kjo nuk përben asnjë problem.

Po lidhur me situatën në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve? Mazhoranca ka votuar dy kandidatët e propozuar prej saj në Parlament e ndërkohë opozita ka kritikuar këtë vendim..

Krijimi i katër vakancave në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve do të thotë që ky institucion u fut në procesin e ripërsëritjes së tij, e cila duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e kodit Zgjedhor, në përputhjen e parimit, sipas të cilit ky kod parashikon të ndërtohet KQZ, si një komision më përfaqësim dhe ballancim të plotë politik, mazhorancë-opozitë, tre me tre. Që do të thotë të konsiderosh sot, ku ka filluar proçedura e ripërtëritjes së këtij komisioni, kryetarja e komisionit qendrore të Zgjedhjeve si, pjesë e anëtarsisë së këtij komisioni që i takon opozitës do të thotë e pakta që të mos e lexosh fare nenin përkatës të kodit zgjedhor, të mos ta konsiderosh, këtë nen ku parashikon që kryetari i komisonit Qendor të Zgjedhjeve, të zgjidhet si i tillë  me një procedure në të cilen nuk përfshihet partitë politike. Që do të thotë baraspesha politike në këtë komision, vetëm atëherë kur tre anëtarë janë të opozitës dhe tre anëtarë të mazhorancës. Kjo ishte dashur të bëhej. Me atë që është bërë deri tani, e cila u bë me arsyetimin që ndër katër veta me katër vakanca do të jetë e balancuar dy me dy, për mua është vetëm një keqshërbim i kodit dhe përdhunim i tij, sepse dihet se nëse do të veprohet kështu, opozita do të ketë dy dhe mazhoranca do të ketë katër anëtare në këtë komision.