Krimi dhe droga, Klosi: “Provat” rrëzojnë Ramën, Shoqata e Policisë: Situata jashtë kontrollit

680
Alma Çuka
Ardhja e DEA-s amerikane, provat e opozitës së bashkuar kundër Ramës, situata e krimit jashtë kontrollit dhe përplasjet me fjalë në Kuvend 
Kuvendi i Shqipërisë është bërë arena ku politikanët në të shumtën e rasteve e shfrytëzojnë për të hedhur akuza kundër njëri-tjetrit. E tillë është bërë edhe seanca e djeshme plenare. PD dhe LSI akuzuan direkt kryeministrin Edi Rama si personin e lidhur me krimin. Po kështu ai u akuzua edhe për mbështetjen e trafikantëve të drogës. Teksa i është bërë e ditur se situata e krimit dhe trafikut të drogës ka dalë jashtë kontrolli, kryeministri është shprehur se kjo gjë pritet të ndryshojë gjatë muajit nëntor me ardhjen e ekspertëve të DEA-s amerikane ( agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës). I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili i ka kujtuar Ramës se çfarëdo të përpiqet të bëjë nuk mund të ndryshojë realitetin që ka krijuar. Por ish-shefi i SHIK, Fatos Klosi nuk e sheh këtë situatë ashtu si Basha. Për Klosin ardhja e DEA-s është gjë e mirë dhe kjo do të ndihmonte me konsulencën e saj. Për Klosin i gjithë faji është i politikës që flet dhe vetëm flet e asnjë fakt konkret nuk çon në prokurori për të demaskuar Edi Ramën dhe vënë atë me shpatulla pas murit. Klosi thotë se vetëm provat e rrëzojnë Ramën nga pushteti. Fjalët, sipas tij, janë të kota dhe populli nuk po di se kë të besojë. Ndërkohë Shoqata e Policëve të Liruar, në një deklaratë të saj shprehet se Edi Ramës i ka ikur situata nga kontrolli. Kjo shoqatë shkon më tej, kur thotë, se një gjendje e tillë në vend nuk është parë që nga viti 2004-2005. Dhe për këtë, ata thonë, se i gjithë faji është i politikës që Edi Rama ka ndjekur, që në kohën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Sajmir Tahiri. 
Zoti Klosi, kryeministri Rama gjatë një debati me shefin e PD-së Basha deklaroi se situata me krimin dhe drogën në vend do të marr fund në nëntor kur këtu të vijnë ekspertë të DEA-s amerikane. Mendoni se Rama në këto kushte ka pranuar “humbjen” përballë kësaj situate dhe akuzave të opozitës?
Besoj se do të vijnë agjentët e DEA-s amerikane për të ndihmuar lidhur me luftën kundër krimit dh trafikut të drogës. Po kështu jam i bindur se është një kërkesë e kryeministrit. Edhe unë do ta bëja, nëse do të isha në vendin e tij. Por them se kjo është një kërkesë e tij për të mbyllur gojën e opozitës përballë situatës së krijuar. Në parlamentin tonë, akuzat janë pa doganë. Kësaj gjëje i duhet mbyllur rruga. Në këtë situatë të krijuar populli s’po kupton se kush ka të drejtë e kush jo. E në këto kushte, mbase ardhja e tyre do të ishte e drejtë dhe kjo do të bënte të mbyllej njëherë e mirë ky diskutim. Politika nuk përballet në Kuvend për problemet reale. Unë nuk do ta konsideroja dorëzim të kryeministrit. Është thënë prej kohësh se, nëse këto akuza janë të vërteta ka një vend ku duhet të dërgohen provat. Ka një prokurori. Këto gjëra nuk thuhen në parlament dhe nuk zgjidhen aty. Nuk mund të bëhet asgjë përmes publikimit të fotove. Ato foto mund të tregojnë që kryeministri ndodhet në kafe apo në ndonjë vend tjetër me ndonjë person të shpallur në kërkim dhe akuzuar për krime të ndryshme, por kurrsesi nuk vërtetojnë, se ai ka njohje të mëparshme me ta. Është absurde që fotografitë të konsiderohen akuza serioze. Askush nga ata që flasin nuk shkon dot, as në prokurori dhe as në gjykatë. Sepse atje duhen prova të forta. 

Kush mendon se do t’i japë zgjidhje kësaj situate?
Unë shpresoj se të gjitha këto do të gjejnë zgjidhje me ligj. Procesi i pastrimit të drejtësisë do e rregullojë. Pra le të presim. Koha do të jetë rregullatori me i mirë. Gjithsesi në këtë vend unë nuk pres që këto punë të rregullohet kaq shpejt. 

PD dhe LSI janë shprehur se do të bashkëpunojnë për të larguar Ramën?
Po shumë mirë, ata le të bashkohen. Edhe unë atë dua, të bashkohen. Të gjejnë prova dhe t’i çojnë para drejtësisë për kryeministrin e akuzuar si të lidhur me krimin. T’i çojnë provat në prokurori dhe të gjithë të biem rehat. Ky popull nuk beson më tek politikanët. Vetëm me prova mund ta largojnë kryeministrin, se në të kundërtën ata të mos mendojnë se kryeministri do qajë dhe do thotë se do të iki. Opozita e ka shumë të thjeshtë. Të çojë dosjen në prokurori. Të botojë se çfarë përmban dosja në gazetë. 

Mendon se ka prokuror që të hetojë në këto momente kryeministrin?
Pse jo. Prokuroria është institucion. Është Prokurori i Përgjithshëm. Nëse do të dërgoheshin prova do të ngriheshin të gjithë ashtu sikundër u bë edhe në rastin kur Azem Hajdarit iu bë atentat. Për të hetuar atë rast erdhën prokurorë nga jashtë. Le të ngrihet një komision i veçantë dhe të hetojë këtë përfshirje të kryeministrit me persona të inkriminuar. Të marrësh në hetim kryeministrin është çështje delikate. Po të duan, mundësitë janë. Por sa për ato që thuhen në parlament askush nuk mban përgjegjësi. Ata e kanë edhe të shkruar këtë gjë. Kjo që bëhet është tepër e rëndë. Ky është sekreti i gjithë kësaj kakofonie. Unë nuk dua të dal në mbrojtje të kryeministrit, por e gjitha kjo një minimum serioziteti e kërkon. Provat e çojnë këtë vend në zgjedhje të parakohshme. Por ajo që dua të them është se, e gjitha kjo bëhet vetëm për një vend kryeministri. Kjo është e turpshme. Kushdo që e sheh parlamentin tonë, do të mendonte kështu. 
Sigal