Krimet në vend, Hajdarmataj: Tahiri të thirret në seancë dëgjimore

556
Sigal

Deputetja
e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë
në Fier ku burri vrau gruan apo dhe horrori sot në Korçë, ku një baba vari dy
fëmijët e tij e më pas u vetëvra. Me anë të një postimi në rrjetin social
‘Facebook’ Hajdarmataj theksoi se familja shqiptare po lëngon nga mosekzistenca
e shtetit për gratë.

Nga ana tjetër deputetja e djathtë
i ka bërë apel Presidentit Bujar Nishani që të mbledhë KLD për të monitoruar
drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës. Sakaq, ajo bëri
thirrje që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm për të
shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e
dhunuara.

REAGIMI I HAJDARMATAJT

Çfarë na duhen kuotat gjinore në politikë kur
vendi është në një emergjencë kombëtare për kuotat e sigurisë së jetës, sidomos
të grave? Sot, në krizën më të thellë që po lëngon shoqëria dhe familja
shqiptare nga mosekzistenca e shtetit, ne grave deputete, (absolutisht të
pakushtëzuara nga forca politike), duhet të shpallim me emergjencë, një mision
kombëtar: “Gratë për gratë, nënat për nënat dhe mbi të gjitha, të gjitha bashkë
për fëmijët, për engjëjt e pambrojtur nga instiktet mizore”.

Duke përkrahur me vlerësim, kërkesat e koleges Bregu, mendoj se zëri i saj nuk
mund të mbesë vetëm një jehonë, për institucionet që janë në përgjumje ose të kapura
nga korrupsioni dhe interesat e qeverisë.

Askush më mirë dhe më me kompetencë se sa Aleanca e Grave Deputete, mund të
ndërmarrë nismat e theksuara nga deputetja Bregu për;

-Apel Presidentit të Republikës të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e
vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës.

-Të thirret në seanca dëgjimore, Ministri i Brendshëm për të shpjeguar
dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.

-Propozime urgjente ligjore për rëndimin e sanksioneve në legjislacionin kundër
dhunës në familje.

Nuk ndreqet asgjë me mallkime, sharje, trishtim apo lutje.

Nevojitet një plan kombëtar veprimi konkret, për masat kundër dhunës në
familje, para se këtë vend ta marrë vertetë lumi.