Krimet e rënda, hetim 35 zyrtarëve të lartë të policisë

719
Zhdukja e tre ish-zyrtarëve të policisë, ja ku bie përgjegjësia 
Zyrtarët e SHÇBA-së, dyshohet të kenë njoftuar ish-shefat e policisë, menjëherë pas lëshimit të urdhër arresteve, kërkohet shpjegim
Skandali që ka shpërthyer në radhët e Policisë së shtetit, tashmë është tepër e vështirë të mbulohet edhe nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nxjerrja e informacioneve sekrete, që kanë të bëjnë me ekzekutimin e urdhër arresteve për punonjës të policisë, të nivelit të lartë, ka alarmuar, organin e akuzës. Po kërkohet të gjendet e vërteta, por askush nga institucionet nuk mban përgjegjësi. Megjithatë, situata i ka mbetur në duar, Ministrisë së Brendshme, e cila në momentin e marrjes në dorëzim të urdhër arresteve, ishte porositur të kishte kujdes. Ish-zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, shprehen se rruga e vetme që ndjek Prokuroria e Krimeve të Rënda, në këto raste, është deri tek SHÇBA. Kjo e fundit merr urdhër për të ekzekutuar arrestimin. Ata nuk përjashtojnë rrjedhjen e informacionit nga kjo strukturë, duke e lidhur me faktin se kanë njohje me njëri-tjetrin. Hysni Burgaj, thotë se mundësia e dekonspirimit ekziston dhe kjo jo vetëm për këtë rast. Ndërkohë Arjan Hoxha, ish-shef policie, ka besim se asnjë prej tre urdhër arrestet nuk do të zbatohet. Për të, i gjithë faji është i policisë, e cila i ka pasur nën vëzhgim dhe e ka ditur shumë mirë se ku ndodhen ata. 
Fshehja e ish-zyrtarëve, Burgaj: Njihen me njëri-tjetrin
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, e ka ndjekur situatën e krijuar ditët e fundit, me listën e gjatë, me emrat e ish-zyrtarëve, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim nga kolegët e tyre. Sipas tij, urdhër arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur bëhet fjalë për arrestimin e punonjësve të policisë, i dërgohen zyrës së Shërbimit të Çështjeve të Brendshëm dhe Ankesave. Është kjo zyrë, e cila më pas ka të drejtën të ekzekutojë urdhrat e arrestit. Për Burgajn, mundësia e dekonspirimit, jo vetëm për këtë rast, ekziston, pasi, sikundër thotë ai, ata njihen me njëri-tjetrin dhe në këto kushte informacioni rrjedh. 
Hoxha: Për asnjë nga tre ish-oficerët nuk do zbatohet urdhër arresti
Arjan Hoxha, ish-zyrtar i policisë ka deklaruar se 3 urdhër- arrestet të lëshuara ndaj shefave të policisë nuk kanë për t’u ekzekutuar asnjëherë, pasi ata janë ndihmuar nga shteti për të dalë jashtë vendit. “Kanë lejuar edhe trafikimin e drogave të rënda siç është heroina, kokaina dhe trafikimin e armëve. Mes tyre ka edhe policisë që janë përjashtuar nga detyra. Pa vendim të gjykatës nuk mund të fajësohen ata. Kemi të bëjmë me një krim ndërkombëtar. I kemi denoncuar gjithmonë si të lidhur me krimin. Tahiri hoqi nga puna pa të drejtë gjithë ata punonjës policie, edhe pse ata fituan të drejtën me gjykatë dhe ai nuk i pranoi këta punonjës. Ish-ministri bëri veprime në kundërshtim me ligjin. Pra, është bërë shkelja më flagrante në burimet njerëzore. Pra qëllimi ishte për ta bërë vendim në këtë gjendje që është sot. Si mund të thuhet se unë nuk kam adresat e këtyre personave, kur unë i kam pasur në vëzhgim? Në analizën time, policia ka funksionuar si një grup i strukturuar kriminal. Pa bekimin e drejtuesve dhe ministrit nuk mund të mbillej vendi i gjithë me drogë. Nga 1 mijë punonjës ti si ministër, do të marrësh vesh njëherë se ka drogë në vend, se po mbillet për shembull në Shkodër. Ky vend ka më shumë parcela me drogë. Me aq përvojë sa kam unë, ato urdhër-arreste nuk do të ekzekutohen, pasi një oficer nuk mund të largohet pa lejen e drejtorit. Janë të ndihmuar për t’u larguar nga vendi dhe për të shpëtuar nga ky aktivitet kombëtar që është ai i kultivimit të drogës në vend.”, u shpreh Hoxha.
Pjerin Ndreu, thirrje ish-zyrtarëve të dorëzohen: Kompromentoheni rëndë
Në një kohë kur ende nuk janë ekzekutuar urdhër-arrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu u ka bërë thirrje atyre që të dorëzohen sa më shpejt. Përmes një reagimi në Facebook, ligjvënësi i majtë ka shkruar se është e papranueshme që ata t’i shmangen urdhrit të organit të akuzës. “Ish- zyrtarët e policisë, ndaj të cilëve ka urdhër-arresti, duhet të dorëzohen një orë e më parë! Shmangia nga ekzekutimi i arresteve është e papranueshme për një ish- zyrtar të rangut të lartë! Të paraqiten para drejtësisë e të japin dëshmi për akuzat, përndryshe pozita e tyre kompromentohet dhe lë hije dyshimi të forta për implikimin e tyre në rrjete kriminale!”, ka shkruar Ndreu në facebook. Një ditë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda lëshoi urdhër-arresti Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë Vendore Vlorë, Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë si dhe Sokol Boden, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi.
Sigal