Krijohet Shtabi i Emergjencave/ Kryebashkiaku Veliaj: Kontaktoni me këdo që është prekur

422
Sigal

Bashkia e Tiranës ndihma për të prekurit nga tërmeti, qindra qytetarë solidarizohen

 

Veliaj: “Miratojmë 1 mln dollarë për fazën e parë; Do të nxjerrim nga arkiva të gjitha dosjet e pallateve të viteve ’90 për të lehtësuar punën e inspektorëve”

Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milion dollarë për kapërcimin e të gjitha pasojave që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm që përfshiu dje qytetin. Teksa kontribuoi personalisht me ndihma për të prekurit, në pikën e ngritur posaçërisht nga Bashkia e Tiranës pranë sheshit “Skënderbej”, ku çdokush mund të dhurojë rroba apo ushqime, kryebashkiaku Veliaj tha se janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës.

“Do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milion dollarë për këtë fazë të parë të emergjencave. Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje”, tha Veliaj. Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorët për planin organizativ. Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë.

“Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin. Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë ndoshta për ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës. Duke nisur nga dita e hënë, jo vetëm shkollat do jenë në rregull, por do të ketë edhe staf i cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve, sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj.

 

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës do të nisë menjëherë nga puna për të nxjerrë nga arkiva dosjet për të gjitha pallatet e ndërtuara kryesisht në vitet ’90, për t’i ardhur në ndihmë  Institutit të Ndërtimit gjatë procesit të evidentimit të pasojave nga tërmeti dhe riparimit të tyre. “Do të nxjerrim të gjitha arkivat e pallateve kryesisht të viteve ‘90. Janë ndërtime që kanë ndodhur në vitet e tranzicionit. Nuk kemi pasur probleme me ndërtime solide dhe të kontrolluara, por me ndërtime ku është shtuar edhe ndonjë kat apo është zgjeruar hapësira. Nuk po i hyj asaj si bëheshin pallatet në vitet ‘90 dhe me çfarë kontrolli, por ajo që do të bëjmë është që do nxjerrim gjithë fashikujt. Qytete të tjera të ngjashme me ne janë rrafshuar në tërmete të kësaj natyre, por fatmirësisht Tirana kësaj i mbijetoi. Por duke nxjerrë fashikujt, do t’ia bëjmë më të lehtë punën çdo inspektori që do të vijë nga Instituti i Ndërtimit. Aty ku ndërtuesi, konstruktori, arkitekti inxhinieri është gjallë, është në Tiranë, mund të japin një dorë për të proceduar më shpejt gjithë inspektimet”, theksoi ai.

 

Veliaj vlerësoi edhe kontributin e qindra qytetarëve që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes për të kontribuar me veshje dhe ushqime për njerëzit e prekur nga tërmeti. “Qindra qytetarë kanë dhuruar ushqime, rroba e veshmbathje, për disa familje, sidomos ato në zonat rurale. Kriza nuk do mbarojë me sot e nesër, por do të vazhdojë derisa të rehabilitohen plotësisht të gjithë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që duan të bëjnë diçka, që nuk merren me llafe e nuk japin mend për gjëra kot, por që duan realisht të bëjnë diçka konkrete e kanë një mundësi, të vijnë të dhurojnë këtu. Kemi pasur një stok të konsiderueshëm në qendrën tonë të Emergjencave Civile në Farkë për të përballuar valën e parë dhe do mirëpresim kontributet e qytetarëve”, deklaroi kreu i Bashkisë.

 

Ai u shpreh se fakti që qytetarët i janë rikthyer jetës normale, është treguesi më i mirë se Tirana nuk i nënshtrohet asnjë sfide dhe ia del gjithmonë mbanë. “Tirana ia ka dalë gjithmonë, jam i bindur që do ia dalë edhe kësaj here. Fakti që sot qytetarët i janë rikthyer jetës normale, do të thotë që ky qytet nuk nënshtrohet ndaj asnjë sfide. Kjo ishte një sfidë e paparashikueshme. Kemi kaluar javën më të vështirë në Tiranë. Patëm edhe një rrëshqitje në Zall-Herr, ku u zhvendos gjithë tubacioni i ujit. Ndoshta, ky është edhe një moment reflektimi për çfarë i kemi bërë natyrës. Besoj se ky është një leksion për të ardhmen. Për të tashmen është që të gjithë të jemi të mobilizuar dhe të bëjmë më të mirën. Jam i bindur që të gjithë bashkë edhe kësaj here do t’ia dalim”, deklaroi Veliaj.

 

Kreu i Bashkisë tha se të gjithë grupet e punës kanë qenë në terren gjatë gjithë natës duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.