Sigal

Kryeministri Rama në një takim në Libofshë të Fierit jep lajmin e krijimit të Agjencisë Kombëtare të Titujve dhe Pronësisë. Kryeministri Rama, ndër të tjera tha: Nuk do të ketë më ALUIZNI nga njëra anë, hipotekë nga ana tjetër. Këtu ka plot njerëz që kanë marrë legalizime, ka të tjerë që do të marrin legalizimet e fundit dhe e dinë shumë mirë se çfarë kanë hequr në vite. Kanë shkuar te ALUIZNI dhe u kanë thënë prit se duhet ta sjellë hipoteka; kanë shkuar te hipoteka, u kanë thënë e ka ALUIZNI, deri në momentin kur kanë marrë lejen nga ALUIZNI dhe nuk e kanë hipotekuar dot, sepse ALUIZNI me të tjera harta dhe hipoteka të tjera. Domethënë, një histori pafund, një tmerr pafund, që ne e kemi trajtuar, e kemi lehtësuar, por nuk e kemi zhbërë deri në fund dhe që do të marrë fund pikërisht me këtë proces reforme dhe me këtë ndryshim rrënjësor të mekanizmit, një Agjenci Kombëtare e Titujve të Pronësisë, që do të trajtojë në mënyrë horizontale të gjithë tematikën e pronës. Ky është mekanizmi. Brenda këtij mekanizmi do të ketë dhe një mekanizëm të ri, avokat të qytetarit, një mekanizëm brenda institucionit që do ta përdorin qytetarët për të mos humbur kohë e për të mos qëndruar në pritje, apo për të mos shkuar në gjykatë përpara sesa të gjejnë gjuhën e përbashkët me institucionin, apo me palën në konflikt aty. Drafti i ri do të shkojë në Parlament. Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të kemi një adresë të re dhe një qasje krejt të re, pas kaq shumë problemesh dhe kaq shumë historish dhe kohe të kaluar me problemet e pronës.