Kreu socialist Rama braktis 100- vjetorin menjëherë pas fjalimit të tij

74

Athinë, 100-vjetori i Pavarësisë: Socialistët e kthejnë në fushatë elektorale

As 100-vjetori i Pavarësisë nuk ka ndalur kreun e opozitës shqiptare për të festuar këtë festë larg çdo teje partiake. Socialistët në Athinë kishin marrë masa shumë të mira për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë, duke lënë përshtypje se çdo gjë do të shkonte më së miri. Por, si gjithmonë, nuk ndodhi kështu. Këngët dhe vallet u ndërprenë, kur në salle futet Edi Rama, i shoqëruar nga disa deputetë dhe kryetarë të bashkive, të ardhur nga Shqipëria. Që nga ai çast, festa e shumëpritur shekullore humbet rëndësinë e saj. Politika shfrytëzon rastin më të mirë, duke marrë situatën e çastit në dorë. Duhej të shfrytëzohej rasti, duhet bërë opozitë me çdo kusht. Kështu ndodhi! Kryetari i socialistëve në Greqi, zoti Artur-Artjan Qirici, përshëndet të pranishmit dhe menjëherë mikrofoni kalon në duart e  kryekoordinatorit për emigracionin, zotit Erion Veliaj, i cili bën rolin e prezantuesit deri në fund, duke i marrë kompetencat e organizatorit të kësaj feste madhështore, por duke e kthyer atë me të drejtë në fushatë elektorale…

Në rolin prezantues, me mikrofonin në dorë dhe zërin eksitues, Veliaj fton për të folur me radhë një nga një e kryetarët e bashkive të ardhur nga Shqipëria dhe më pas edhe deputetin Taulant Balla, të ashtuquajtur vëlla të tij,  si shpëtimtarin e Shqipërisë, njeriun e vetëm që po përballet me korrupsionin në Shqipëri. Të ftuarit nga Shqipëria, fatkeqësisht të rreshtuar në një resht, kanë ndalur këngët dhe vallet e rinisë, ka ndalur atë festim që në asnjë mënyrë nuk duhej ndalur. Të pranishmit janë të detyruar tashmë të dëgjojnë fjalimet e një pas njëshme të këtyre politikanëve, që si të ftuar për të festuar së bashku 100-vjetorin e Pavarësisë, padrejtësi e kthyen këtë festë në fushatë elektorale. Në këtë festë jubilare, jo pak herë, u theksua nga kreu socialist Edi Rama dhe fjala Rilindje, një rilindje për Shqipërinë…Gjithashtu, nga ai u kërkua gjithashtu që, emigrantët të presin nga një biletë dhe të shkojnë për të votuar. Rama harron, ose bën një gjë të tillë, kur kjo strukturë politike është e vetme në Shqipëri që nuk ka marrë asnjë kandidature nga emigracioni, duke e përbuzur dhe injoruar atë. Rama harron, kur një takim tjetër, injoroi emigrantët, kur u tha: “Ju jeni vetëm për të na votuar neve, nuk kini të drejtë të vini kandidaturë. Por, edhe këtë radhë, Rama përsëri injoron emigrantët, injoron strukturat e PS-së, duke u larguar menjëherë pas fjalimit të tij, duke braktisur 100-vjetorin, për të cilin edhe kishte ardhur. Një veprim, që të në dyshim  pyetjen: Sa mirë do të ishte që festimet të tilla të bëheshin pa prezencën e kësaj politike shkatërrimtare!

Fjala e Ramës

Në fjalën e tij Rama ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pritjen që i kanë bërë, duke theksuar se: “Ju na nderoni dhe na rrisni vlerat bashkë me ju. Shqipëria ju ka një borxh të madh. Ndihma juaj ka qenë e madhe përballë asaj varfërie dhe papunësie nga kjo qeveri. Ndihma juaj ka qenë aq e madhe, sa ndihma e dhënë nga të gjithë shtetet e tjera, ju mbani në këmbë ekonominë. Ju morët rrugën për një jetë më të mire dhe si për t’u kthyer një ditë përsëri në atdhe. Ju u përballet me vështirësitë e shumta, pasi ky vend nuk ishte i gatshëm që t’i shikonte shqiptarët të barabartë njësoj me vendasit. Ju sot na bëtë krenarë, që  në Greqi preferojnë për punë shqiptarë, që punojnë bukur dhe janë talente në ndërtim etj.. Jeni krenarë për atë që kini bërë, kini shkruar një histori për fëmijët tuaj dhe për brezat e ardhshëm”. Lidhur me zgjedhjet, kreu socialist i bëri thirrje emigrantëve që të udhëtojnë këtë radhë për në Shqipëri, për një Rilindje. “Ju duhet të merrni edhe një here rrugën e madhe për votime, jini pjesa më e madhe në Greqi, që duhet të prisni një biletë për të ardhur dhe votuar për një rilindje të shtetit të drejtë. Me votën tuaj ju duhet të bëni që fshati të jetojë ashtu siç jetoni ju këtu në Greqi, të mos jenë të varfër, por të jetojnë ashtu siç jetoni ju. Ashtu siç shkojnë fëmijët tuaj, në shkolla, duhet të shkojnë edhe fëmijët në Shqipëri. Shqipëria ka braktisur nxënësit dhe fëmijët, ka braktisur arsimin. Librat për fëmijët e emigrantëve të mos dhurohen privatisht por të investohen nga shteti për gjuhën shqipe”. Lidhur me ndihmën që shqiptarët e japin Shqipërisë, Rama ka kërkuar ndihmën e tyre, duke theksuar se: “Ju të gjithë së bashku i jepni një ndihmë të madhe ekonomisë, por ka ardhur koha që t’i japim një dorë Shqipërisë, për një rilindje. Rilindjen dhe pavarësinë shqiptarët e bënë nga jashtë vendit. Është përsëri dita që shqiptarët në emigrim të bëjnë rilindjen e Shqipërisë. Duam të ndryshojmë marrëdhëniet emigrant-shtet, duke mos i munduar emigrantët në radhë të gjata nëpër konsullata”. Rama u ka premtuar të pranishmeve se kur të vi në qeveri do të ketë një televizion për ta, do të ketë emisione të veçanta ku do te flasin për investimet dhe bizneset e tyre. Në mbyllje, Rama u shpreh se, u është mirënjohës emigrantëve për pritjen që i bënë, duke shpresuar se emigrantët do të shkojnë në Shqipëri për të votuar për një Shqipëri tjetër.

Rama braktis festën

Me të mbaruar fjalën,  Rama, së bashku me suitën e tij, janë larguar menjëherë, duke injoruar festën e Pavarësisë. Rama erdhi, foli bëri opozitë në kurriz të emigrantëve dhe iku pa festuar së bashku me ta. Një largim i tij i pabesueshëm, po dhe aq realitet, që më shumë se kushdo i shkon përshtatë politikës shqiptare, që edhe në një festim të tillë nuk di të respektojë, jo veten, por edhe emigrantët. Rama iku ashtu siç erdhi. Foli ato që donte dhe nuk kishte kurajo apo durim të respektonte përgatitjet festive që kishin përgatitur grupet artistike, duke nisur që nga fëmijët e vegjël e deri te grupet e ndryshme të veshur me kostumet kombëtare. Festimet e tilla treguan se sa të aftë janë politikanët tanë të shfrytëzojnë raste të tilla për veten e tyre, dhe sa injorantë janë përballë emigracionit shqiptarë.