Kreu i PS Përrenjas jep dorëheqjen, kalon tek LSI

501
Ajo që pritej dhe hamendësohej, duket se ka nisur të zbatohet në terren. Militantët ishin të parët, tani kanë nisur të shkojnë drejt LSI edhe drejtuesit e degëve lokale të PS. Kjo ka ndodhur në Përrenjas me kreun e PS lokale, zotin Rexhep Facja, i cili ka dhënë dorëheqjen dhe ka kaluar tek dega e LSI, duke deklaruar “moskthimin tek ajo parti, e cila nuk ka mbajtur premtimet, nuk ka gjetur gjuhën e mirëkuptimit me bazën, nuk ka bërë asnjëherë takime transparente me ata që i votuan masivisht në 23 qershor, si dhe kundërshtime të tjera parimore”. 
Zhgënjimi i socialistëve edhe nga qeverisja e “Rilindjes”
Dega e PS Përrenjas ka qenë deri para 23 qershorit 2013, një ndër degët “lider”, ku dihej se vota për të majtën ishte e padiskutueshme, por duket se mungesa e mbajtjes së premtimeve, rritja e numrit të papunësisë, numrit të familjeve të varfra, mungesa e investimeve, rrënimi edhe i atij biznesi gjysmak nga rritja e taksave, emërimet nepotike të deputetit të PS Taulant Balla, shkaktoi reaksion tek baza dhe drejtuesit e PS lokale. Pas largimit të dhjetëra qindra militantëve drejt LSI, duket se tashmë i kishte mbetur radha kreut të degës zotit Rexhep Facja. Ai ka mbajtur dikur postin e drejtorit të PTT në Librazhd, dhe ka qenë zyrtar i mirë i Bashkisë Përrenjas. Zoti Facja është një kontribuues i vjetër i PS, dhe njihet si njeri organizator i strukturave socialiste në bazë. Largimi i tij shihet si një protestë ndaj qeveritarëve që e kanë harruar Përrenjasin, qytetarët dhe banorët e fshatrave. Ata jetojnë në një mjerim të thellë, të papunë, të pashpresë, pa ndihma ekonomike, një qytet që po tkurret çdo ditë. 
Përrenjasi i papunësisë dhe i mjerimit
Në Përrenjas mungojnë investimet, mungojnë projektet e hartuara dhe miratuara nga qeveria pavarësisht se Bashkia ka dorëzuar shumë prej tyre. Përrenjasi, që dikur mbahej me minierat, sot ka një ushtri të papunësh. Mbi 65 për qind e numrit të popullsisë është e papunë, ndërkohë që qyteti dhe fshatrat po braktisen çdo ditë nga të rinjtë dhe të moshuarit, që largohen drejt emigrimit. Kjo situatë kaq e zymtë, dhe pamundësia e realizimit të premtimeve të fushatave, largimi dhe mungesa e gjatë e pranisë të deputetëve dhe ministrave, ka sjellë reagimin edhe nga baza socialiste dhe së fundi edhe të kreut të PS Përrenjas Rexhap Facja. Largimi i tij ndoshta nuk ka qenë i papritur, dhe kjo ka sjellë edhe rritjen e interesimit të strukturave qendrore nga Tirana. Aktualisht, dega e PS në Përrenjas ka mbetur pa kryetar, ndërkohë që shumica e bazës po anëtarësohen tek LSI. Kjo e fundit ka nisur të fuqizojë strukturat e veta në këtë rreth, gjë e cila po ndodh edhe me shumë qytete. Pas Elbasanit dhe Librazhdit, duket se edhe Përrenjasi, si një “gur dominoje”, po rrëshqet drejt LSI, e cila shihet si një forcë politike më bindëse, më e hapur, më transparente, dhe më serioze në mbajtjen e premtimeve elektorale. Pritet që në javët e ardhshme Rama të nisë drejt Përrenjasit, ndoshta Sekretarin e Përgjithshëm Ruçi, për të ringritur degën lokale, e cila pothuajse është shpërbërë e gjitha. 
Ilir DURMISHI
Sigal