Kreu i PD-së me politikanët holandezë: Krimi ka kapur shtetin

532
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bisedoi për gjendjen në Shqipëri me një ekip të Fondacionit “Eduardo Frei” të partisë simotër Kristian Demokrate Holandeze CDA. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe asistenca ndaj Partisë Demokratike me qëllim forcimin e aksionit opozitar dhe alternativës e ofertës së PD-së për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas njoftimit zyrtar, me shqetësim të thellë u përcollën në takim sfidat aktuale të rritjes dhe fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri, dhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE, përfshirë Holandën. Në këto katër vite siç konfirmojnë raportet e EUROPOL dhe Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria është kthyer në një bazë të veprimtarisë së grupeve të organizuara kriminale. Kryetari i opozitës vuri në dukje se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur i politikës me krimin ka goditur rëndë standardet e sigurisë dhe demokracisë, e në veçanti votën e lirë, siç ndodhi ne zgjedhjet e 25 qershorit përmes presionit dhe blerjes se votës me paratë e drogës. “Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe bashkëqeverisja me krimin kanë kontribuar në precipitimin e një krize të rëndë në vend, çka ka rritur në rekorde historike fluksin e shqiptarëve që braktisin vendin dhe kërkojnë azil në vendet e BE e në Holandë, për shkak se kanë humbur besimin në të ardhmen e vendit nën qeverisjen e sotme”, tha Basha. Ai shprehu vendosmërinë e opozitës për të vijuar çdo ditë luftën pa kompromis kundër krimit, drogës dhe lidhjeve të tyre qeveritare. Kreu i opozitës theksoi se garantimi i zgjedhjeve e lira janë rruga e vetme e daljes nga kriza, ndaj dhe PD-ja do bëjë çdo përpjekje që të rikthejë votën e lirë. Bashkëbiseduesit holandezë shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Partinë Demokratike në kursin e reformimit dhe modernizimit të saj dhe në sfidat e përballjes dhe luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Ata e siguruan Bashën gjithashtu për mbështetjen në sfidën madhore të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sigal