Kreu i PD-së Lulzim Basha: Nuk ka forcë në botë të na detyrojë të bëjmë pazare me krimin

487
Sigal

Kreu i opozitës Lulzim Basha, deklaroi në përmbyllje të protestës, se nuk do të ketë pazare në dëm të shqiptarëve.

Duke iu përgjigjur ftesës së kryeministrit Edi Rama për negociata, ai tha se nuk ka forcë në botë që ti detyrojë shqiptarët të bëjnë pazare me krimin.

“Mirënjohje për ju qytetarë dhe qytetare. Shqipëria, as Europa nuk e kishte njohur ndonjëherë këtë qëndresë dhe vendosmëri. Për mbi 3 orë litarët e shiut e lidhën shpirtin tuaj me shpresën që buron nga zoti, me besimin tek vetvetja, me bindjen se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë atje ku ishte 3 muaj më parë. Mirënjohje për të gjithë ju. Për qindra mijëra burra dhe gra që ishin pjesë e këtij marshimi madhështor proteste. Mirënjohje e veçante për të gjithë agjëruesit e Ramazanit. Mirënjohje për të gjithë ata që ju bashkuan qytetarësisë së Tiranës nga të gjitha anët e vendit. Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nuk ka forcë të na detyrojë të bëjmë pazare me të keqen”, deklaroi Basha nga selia e PD-së, në fjalimin mbyllës së protestës së sotme.

“Forca jonë është bashkimi, pjesëmarrja, vendosmëria dhe kësaj force nuk i bën dot ballë as Rama dhe as banda e tij e inkriminuar. Ne do të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Misioni ynë është mision brezash, është mision për të gjithë ata të djathtë e të majtë që sot e kanë kuptuar që vetëm përmes bashkimit, dhe vendosmërisë mund ta gjejnë të ardhmen dhe lirinë e tyre”, shtoi kryedemokrati.